Nga helikopterët të cilët fluturonin në nivelin më të ulët është shpërndarë gaz lotsjellës mbi protestuesit, agjentët policorë kanë qenë të pajisur me litarë, ndërsa ushtarët e vendosur në tarracat e banesave kanë qëlluar me armë në drejtim të protestuesve.
Qeveria egjiptiane, e mbështetur nga ushtria, ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme për një muaj, duke sugjeruar masa më drastike për të rivendosur qetësinë në vend.
ORA 22:20 EDHE LIDERËT E TJERE LENE POSTET E TYRE
Pas dorëheqjes së Zëvendës Presidentit të Egjiptit Elbaradei, edhe drejtues të tjerë janë larguar nga postet e tyre. Disa orë pas largimit të ElBaradei, edhe Zëvendëskryeministri Hossam Eissa dhe Ziad Bahaa El-Din kanë dorëzuar dorëheqjet e tyre në shenjë proteste. Duket se në total janë 8 drejtuesit e lartë të cilët kanë lënë vendin e tyre të punës. Dorëheqja vjen pas operacioneve të ushtrisë për largimin e protestuesve nga sheshet e Kajros të mërkurën në mëngjes, duke lënë pas të paktën 278 të vdekur dhe 2 000 të plagosur në të gjithë Egjiptin, sipas të dhënave të fundit zyrtare të publikuara nga Ministria e Shëndetësisë. Ndërsa sipas Ministrisë së Brendshme egjiptiane numri i viktimave në radhët e ushtrisë arrin në 43.
ORA 18:00 ZEVENDES PRESIDENTI I EGJIPTIT, MOHAMMAD ELBARADEI JEP DOREHEQJEN
Zëvendës presidenti i përkohshëm i Republikës së Egjiptit, Mohammad ElBaradei, ka dhënë dorëheqjen. Lajmi është transmetuar nga "Al Arabya". Dorëheqja e tij vjen pas operacioneve të ushtrisë egjiptiane për shpërndarjen e protestuesve nga sheshet e Kajros të mërkurën në mëngjes, duke lënë pas të paktën 124 të vdekur.
Në një letër drejtuar presidentit të egjiptit Adli Mansour, ku shpreh dorëheqjen e tij, Mohammad ElBaradei, thotë: “Paraqes dorëheqjen time nga posti i zëvendës-presidentit dhe i kërkoj të madhërishmit Zot, që të mbrojë Egjiptin tonë të dashur nga çdo e keqe, dhe të ndihmojë në përmbushjen e shpresave dhe aspiratave të vendit”. Ndërsa thekson se “ka pasur opsione zgjidhjen paqësore të krizës”.
REAGON SHTEPIA E BARDHE
Shtëpia e Bardhë ka dënuar dhunën në Egjipt, duke thënë se kjo do të bëjë më të vështirë situatën që vendi të ecë më përpara.
Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Josh Earnest, duke folur në Martha Vineyard të Masuccetsit ku Presidenti Barack Obama ndodhet me pushime, u shpreh se dhuna po shkon në kundërshtim me premtimet e bëra nga qeveria e përkohshme e Egjiptit.
Ai rikujtoi se "bota është duke shikuar" se çfarë po ndodh në Kajro dhe kërkoi përmbajtje të dhunës.
NUMRI I VIKTIMAVE NE EGJIPT
Një gazetar i agjencisë "France Presse" ka raportuar për mbi 150 të vrarë. Sipas Vëllazërisë Myslimane, partia e ish-presidentit Morsi, numri i viktimave është më i lartë, deri në 500, si dhe flet për mbi 9 000 të plagosur. Por Ministria e Shëndetësisë mohon të gjitha këto shifra. Në fillim mohoi edhe ekzistencën e viktimave, por më pas pranoi se gjartë protestave mbetën të vrarë 56 njerëz dhe u plagosën 526 të tjerë. Sipas burimeve pranë Vëllazërisë Myslimane, në mesin e viktimave janë edhe vajzat e dy udhëheqësve të lëvizjes: Asma El Beltagui, vajza e Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë "Liri dhe Drejtësi", dhe Hasfa Shater me burrin e saj, e cila është vajza e numrit 2 të Vëllazërisë Myslimane, Khairaht Shater, i cili tashmë ndodhet tani në burg.
MES TE VRAREVE, DHE DY GAZETARE
Mes të vrarëve gjatë protestave në Egjipt, deklarohen të vrarë dhe 2 gazetarë, një britanik dhe një arabe.
I vrarë ka mbetur Mick Deane, 62 vjeç, kameraman i "Sky News" dhe gazetarja arabe e "Xpress", Habiba Ahmed Abd Elaziz, 26 vjeç.
POLICIA VIJON ARRESTIMET E PROTESUESVE
Ndërkohë që protestat vijojnë në rrugët e Kajros, policia ka vijuar me arrstimet e disa personave nga radhët e Vëllazërisë Myslimane. Forcat egjiptiane të sigurisë arrestuan Mohamed El Beltagy, ish-Sekretar i Përgjithshëm, i cili është edhe një nga eksponentët më të mëdhenj të lëvizjes fetare që qëndron prapa protestave pro-Morsi.
KAOS NË EGJIPT, VIJOJNE PROTESTAT
Egjipti është përfshirë mes kaosit, konfuzionit pasi forcat e sigurisë ndërmorrën një aksion për shkatërrimin e dy kampeve protestuese në Kajro që janë ngritur nga mbështetësit e presidentit të rrëzuar, Muhammad Morsi.
Policia që në orët e para të mëngjesit të sotëm ka tentuar të largojë protestuesit të cilët kishin ngritur që prej disa ditësh kampe në dy zonat kryesore të kryeqytetit. Forcat e sigurisë qëlluan me plumba gome dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë turmat dhe helikopterë të ushtrisë kontrollinin zonën.
Mes këtij kaosi raportohen shifra të ndryshme për viktimat. Vëllazëria Myslimane raporton për rreth 300 persona të vrarë dhe 9 mijë të plagosur gjatë përleshjeve mes mbështetësve të Morsit dhe forcave të sigurisë.
Ndërsa Ministria e Brendshme i mohon duke thënë se vetëm 14 viktima dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur në përleshjet mes egjiptianëve. Ministria e Brendshme thotë se janë vrarë 2 zyrtarë të sigurisë dhe 9 të tjerë u plagosën teksa u përpoqën të shpërndanin protestuesit.
Mes tyre deklarohen të vrarë dhe 2 gazetarë, një britanik dhe një arabe.
I vrarë ka mbetur Mick Deane, 62 vjeç, kameraman i "Sky News" dhe gazetarja arabe Habiba Ahmed Abo Elaziz, 26 vjeç.
ORA 16:45 ASHTON I BEN THIRRJE PER VETEPERMBAJTJE FORCAVE EGJIPTIANE TE RENDIT
Shefja e Jashtme e Bashkimit Europian, Catherine Ashton, u ka bërë thirrje thirrje forcave të rendit për vetëpërmbajtje pas ndërhyrjes së përgjakshme të ushtrisë egjiptiane ndaj mbështetësve të presidentit të rrëzuar, Mohamed Morsi.
Diplomatja e Lartë europiane përmes një deklarate ka theksuar se përleshjet dhe dhuna nuk janë mënyra drejt zgjidhjes së çështjeve kyçe politike.
Baronesha Ashton ka nënvizuar rëndësinë e dialogut mes të gjitha palëve politike.
VIJOJNE PROTESTAT NE EGJIPT, NDERHYEN USHTRIA ME BLINDA DHE BULDOZERE
Që në orët e para të mëngjesit të së mërkurës forcat e sigurisë vendosën që të largojnë mbështetësit e presidentit të rrëzuar nga dy kampet që kishin ngritur në dy zona të kryeqytetit.
Protestuesit të rrethuar nga barrikada janë larguar me forcë nga ushtria e cila ndërhyri me blinda dhe buldozerë.
Gjithashtu ushtria që rrëzoi Morsin me 3 korrik me anë të një grushti shteti u ndihmua në këtë aksion të përgjakshëm nga helikopterë.
Pas përleshjeve që të lenë përshtypjen e një arene lufte shumë rrugë të Kairos janë të mbushura me mbeturina dhe gazi lotsjellës ende ndjehet në ajër.
Në disa vende një grup protestuesish janë mbledhur pranë trupave të vrarë ku gratë vajtojnë burrat dhe bijtë e tyre që humbën jetën në këtë luftë civile që nuk po i gjendet fundi. Madje ka dhe nga ata të tjerë që luten.
Egjipti ndodhet në një krizë të thellë civile që prej rrëzimit të Morsit, ku mesa duket gjërat po përkeqësohen akoma më shumë dita ditës.
“Në këtë kaos në rrugë është e pamudur të bësh verifikimet sa i takon një shifre të saktë të viktimave”- raportonte CNN, rreth orës 11:00.
Miliona njerëz kanë dalë në rrugë për të kërkuar largimin e Morsi-t, por korrespondentët e mediave të huaja thonë se rrëzimi i tij ka thelluar ndarjet në shoqërinë egjiptiane. Ndërkohë, presidenti i përkohshëm Adly Mnasour ka emëruar disa gjeneralë si guvernatorë të provincave, duke rikthyer një nga taktikat e ish-presidentit Hosni Mubarak. Madje një gjeneral i ushtrisë i sapoemëruar, është filmuar në trazirat e 2011-s duke ngritur armën ndaj disa protestuesve , të cilët luteshin për jetët e tyre. Autoritarizmi i Mubarakut konsistonte në përdorimin e guvernatorëve për të pasur besnikërinë e oficerëve të lartë.
Redaksia online
(e.s/sg/shqiptarja.com)