Në Shkodër, bastioni i Partisë Demokratike që e humbi me Bardh Spahinë përballë Benet Becin, Sali Berishën e çoi 2 prilli, ditë që përkujtohet si masakra e fundit e komunizmit në vend, pasi 34 vite më parë, më 2 prill 1991, u ekzekutuan katër persona të pafajshëm pas një proteste kundër komunizmit. 

Nga atje, kreu i Partisë Demokratike vazhdoi sulmet ndaj kryebashkiakut Beci dhe qeverisë Rama. Ndërsa mbronte Bardh Spahinë, i cili u dërgua sot për gjykim nga institucionet e drejtësisë, Berisha sulmoi Benet Becin, duke thënë se ndaj tij ka një dosje të rëndë, por mbrohet nga kryeministri Rama. 

"Shkodra ka ditur të triumfojë gjithmonë mbi diktatorët dhe diktaturat. Kësaj here, Shkodra do u japë leksionin më të merituar atyre që menduan se mund ta nëpërkëmbin. Shkodra është bastion i përjetshëm i vlerave të konservatorizmit, i besimit tek Zoti, tek familja, tek atdheu. Këtu këto vlera nuk kanë vdekur kurrë dhe nuk vdesin kurrë. Këto janë vlerat themelore të lirisë, këto janë vlerat themelore të konservatorizmit.

Shkodra është djepi i tyre. Zoti Spahia na nderon në Shkodër. Dhe shpejt qytetarët e Shkodrës do marrin vesh se kush është ai që i qeveris aty, se çfarë përfaqëson bashkiaku i Dobraçit. Do e mësojnë shumë shpejt. U jap fjalën se qytetarët e Shkodrës do mësojnë shumë shpejt se ç’përfaqëson Beci i Dobraçit.

Kurse Bardh Spahia shkon në SPAK se ka zbatuar ligjin, ka mbrojtur kodin e një zyrtari, i cili nuk mund të pranojë delinkuentë në administratë. Pra, ai proces na bën nder të gjithëve ne dhe i bën nder Shkodrës dhe çdo qytetari. Tani, e vërteta është që ka një dosje tmerrësisht të rëndë për Benet Becin, me të cilën e mban peng Edi Rama. Por ne jemi kundër politikës së pengjeve.", u shpreh Berisha.

Beneti Beci nga ana e tij përkujtoi masakrën e 34 viteve më parë ku u ekzekutuan nga regjimi komunist 4 të rinj të pafajshëm që protestuan kundër diktaturës.  4 heronjtë e demokracisë i kujtoi edhe Lulzim Basha përmes një postimi në rrjetet sociale Arben Brocin, Bujar Bishanakun, Nazmi Kryeziun dhe Besnik Cekën që u vranë 2 prillin e 1991-shit.