Ministria e Drejtësisë në Itali do të dëmshpërblejë me 1.5 milionë euro të afërmit e viktimave të një familje shqiptare të masakrës së ndodhur në Gjykatën e Reggio Emilia më 17 tetor 2007. Ky vendim është konfirmuar nga Gjykata Supreme në Itali,e cila e ka konsideruar ministrinë si përgjegjëse për mungesën e sigurisë në sallën e gjyqit.
Bëhet fjalë për një ngjarje të ndodhur 11 viteve më parë, ku Çlirim Fejzo në atë kohë 40 vjeç, u paraqit në sallën e gjyqit për seancën e ndarjes nga bashkëshortja e tij, i armatosur me një pistoletë. Ai ekzekutoi gruan e tij Vjosa 37 vjeçe, kunatin Arjan Demcolli, i cili u përpoq ta çarmatoste si dhe plagosi avokaten e gruas Giovanna Fava. Më pas, ai u qëllua për vdekje nga një efektiv policie, i cili ishte i pranishëm në sallën e gjyqit.
Sipas raportimit të medieve italiane, Gjykata Supreme në Itali hodhi poshtë një ditë më parë apelimin e shtetit italian dhe vendosi që ministria duhet të dëmshpërblejë familjen shqiptare. Gjithashtu Gjykata vendosi që kompensimi duhet t'i paguhet Florentina Demcollit, e veja e Arjanit dhe tra vajzave të saj, përkatësisht 13,15 dhe 18 vjeç.