Shtjellat e tymit që mbuluan një ditë më parë zonën e Fushë-Milotit në Kurbin, përfshirë edhe një pjesë të autostradë Lezhë-Laç, nuk janë një rast i izoluar. Pamjet tregojnë se brigjet e Lumit Mat janë kthyer në venddepozitim mbetjesh të ndryshme, nga pjesë automjetesh deri te materiale të ndryshme shtëpiake.

Pasi hidhen në brigjet e lumit, mbetjeve u vihet flaka, duke krijuar ndotje të madhe të ajrit në një perimetër të gjerë në kufirin mes Bashkisë Lezhë dhe Kurbinit. Kjo është një situatë e vazhdueshme që vijon prej vitesh, ndërsa specialistët fajësojnë institucionet mjedisore për mosveprim.

"Lërë lumenjtë, por këtu është mbushur qyteti, gjithçka është mbushur me mbeturina. Mbeturinat janë shkaku kryesor që është bërë gjithë kjo përmbytje. Mbeturinat bllokojnë turbinat... Lëre ndotja e mjedisit, se nuk po pyet më njeri për mjedisin këtu. Problemi është që mos të marrë uji njerëzit, se po ju shkon deri në fyt. Këtu nuk ka as institucione mjedisore, as nuk ka bashki, as nuk ka qeveri",- thotë specialisti i mjedisit Albert Ndoçi.

Në lidhje me djegien e gomave dhe pjesëve të tjera të automjeteve një ditë më poshtë Urës mbi Lumin Mat, policia njoftoi këtë të diel se ka nisur hetimet për identifikimin e autorëve të zjarrvënies, nga e cila u mbulua nga tymi gjithë zona, duke sjellë ndotje të madhe të ajrit.