Nga detajet e reja që zbulohen sot për ngjarjen e rëndë të ndodhur rreth orës 04:21 të së martës, mësohet se Ballcaj është djali i tezes së Arbër Demirajt, djalit të ish-prokurorit Skënder Demiraj, i cili sipas hetimeve të deritashme rezulton se është vrarë aksidentalisht gjatë përleshjes me armë në lokalin e natës.
Me lënien të lirë të 19-vjeçarit, ngushtohet rrethi i dyshuarve për vrasjen e 4-fishtë, pasi në ambientet e paraburgimit në drejtorinë e Policisë Tiranë ndodhen vetëm Konstandin Xhuvani, njëherësh djali i deputetes tashmë të dorëhequr Luiza Xhuvani, dhe regjisorit të njohur Gjergj Xhuvani, si dhe shoku i tij Erald Sina.
"Vllai im do me mungosh"
“Vëllai im, do jesh gjithmonë mes nesh. Do të dua gjithmonë, o sa më mungon o vëllai im”. Me këto fjalë, Albano Ballcaj, shpreh dhimbjen për humbjen e kushëririt të tij, Arbër Demiraj i cili u vra aksidentalisht në përleshjen me armë të një dite më parë në lokalin e natës “Ante Grand”.
Ballcaj, djali i tezes së Demirajt, ishte prezent në të gdhirën e së martës në lokalin që u kthye në një masakër të vërtetë me vrasjen e katër personave, e ku vetë Ballcaj u arrestua fillimisht si i dyshuar për krimin e katërfshirë. Këto fjalë të dhimbshme e malli për kushëririn e tij, Ballvaj i ka shprehur në rrjetin social Facebook në një faqe të veçantë të hapur në kujtim të Arbër Demirajt, djalit të vetëm 19-vjecar të ish-prokurorit Skënder Demiraj. Miq, shokë, të afërm e të njohur kanë shkruar gjithashtu duke shprehur ngushëllime për këtë humbje ndërsa kanë risjellë edhe episode të vecanta nga kujtimet me Demirajn.
19-vjeçari u vra aksidentalisht nga një plumb rikoshet gjatë përleshjes së armatosur mes dy grupeve që ndodheshin në lokalin e natës vetëm 100 metra larg Ambasadës Amerikanë në Tiranë. Autorë të dyshuar për këtë masakër janë Konstandin Xhuvani, djali i aktores Luiza Xhuvani dhe regjisorit të njohur Gjergj Xhuvani, si dhe shoku i tij Erald Sina.
Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)