I shpallur në kërkim nga autoritetet spanjolle për mashtrim me call center-at, është arrestuar në Dubai biznesmeni Amant Josifi. Në fillim të nëntorit të vitit të shkuar, Eurojust, Europol, në bashkëpunim me Strukturën e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit bastisi 6 qendra call center në Shqipëri të lidhura me “Milton Group” dhe arrestoi 4 të dyshuar. Nga hetimet rezultoi se këto qendra ishin në pronësi të tre kompanive të lidhura me biznesmenin Amant Josifi i cili u shpall në kërkim më 1 dhjetor të vitit 2022. Policia shqiptare njoftoi se arrestimi në Dubai është kryer pas një pune gjurmuese të përbashkët me autoritetet spanjolle për llogari të këtyre të fundit.

Hetuesit shqyrtuan rreth 3 milionë imaile për të zbardhur aktivitetin kriminal të rrjetit ku bënte pjesë edhe biznesmeni shqiptar. Qytetarët spanjollë, duke u kontaktuar nga këta “call center”, josheshin përmes mashtrimit për të investuar shuma monetare në tregjet e kriptovalutave, mallrave dhe produkteve të tjera financiare.

Duke përdorur këtë praktikë, u mashtruan më shumë se 200,000 persona në Europë, shumica prej tyre në Gjermani, Itali dhe Spanjë. Në megaoperacionin ku i përfshirë ishte edhe SPAK në nëntor 2022 u arrestuan 4 shqiptarë në Tiranë, teksa zbarkoi edhe Guardia Civil spanjolle. Në hetim në total ishin 15 Call Centera, në disa vende të Europës, 6 prej të cilëve ndodheshin në Shqipëri.

Grupi kriminal ka arritur të përfitojë rreth 50 mln euro për çdo tre muaj dhe mashtrimet i kryenin online në Absolut Global Markets, AurumPro, Finaxis, SNP Broker, CapitalMarketsBanc etj, përmes kriptovalutave. Autoritetet spanjolle mësohet se kanë nxjerrë masë arresti ndaj Josifit me akuzat mashtrim në rrethana rënduese, krim kibernetik, skema piramidale dhe organizatë kriminale.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:58
Arrestimi i Amant Josifit, reagon policia: U kap për llogari të drejtësisë spanjolle, për çfarë akuzohet

Policia e shtetit ka reaguar në lidhje me arrestimin e Amant Josifit në Dubai. Autoritetet shqiptare i njoftojnë se Josifi u kap në Dubai, për llogari të autoriteteve spanjolle. Më nëntor të vitit 2022 ai është dënuar në Spanjë me masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Mashtrime me rrethana rënduese”, “Krim kibernetik”, “Skema piramidale” dhe “Organizata kriminale”, të parashikuara nga Kodi Penal spanjoll.

"Sqarim i Policisë së Shtetit, në lidhje me kapjen në Dubai, të shtetasit A. J., të shpallur në kërkim ndërkombëtar në kuadër të megaoperacionit policor ndërkombëtar të koduar “FRIDA-REFOX”. Në vijim të punës hetimore, gjurmuese dhe kërkimore, për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim në kuadër të hetimit të përbashkët ndërmjet autoriteteve policore shqiptare dhe atyre spanjolle, u kap në Dubai, për llogari të autoriteteve spanjolle, shtetasi i shpallur në kërkim ndërkombëtar A. J.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Shkallës së Parë e La Seu de Urgell, Spanjë, me vendimin nr. 2, të datës 03.11.2022, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale "Mashtrime me rrethana rënduese", “Krim kibernetik", "Skema piramidale" dhe "Organizata kriminale", të parashikuara nga Kodi Penal spanjoll", thuhet në njoftim.