TIRANA  -  Pamjet filmike nxjerrin hapur një mashtrim të madh të presidentit Bujar Nishani në lidhje me mungesën e bustit të Skënderbeut në sallën ku u dekorua presidenti turk Rexhep Taip Erdogan. Gjatë vizitës së presidentit italian Giorgio Napoletano në të njëjtën sallë është qartësisht e dukshme se busti i Skënderbeut ka qenë në sallë ndërsa gjatë ceremonisë për Erdogan ky bust është hequr.

Pavarësisht se faktet dëshmojnë se në sallën ku u dekorua presidenti turk Erdogan në Pallatin e Brigadave ishte hequr busti i Skënderbeut, presidenti pretendon të kundërtën duke thënë se në atë sallë nuk ka ekzistuar kurrë busti i heroit tonë kombëtar, pavarësisht se të gjitha filmimet e mëparshme e tregojnë qartësisht se busti ka qenë në të njëjtën sallë gjatë dekorimit të presidentit italian Giorgio Napoletano.

Në një deklaratë për mediat lidhur me këtë lajm nga Gjirokastra, presidenti Nishani i quajti spekullantë dhe gënjeshtare mediat që e publikuan këtë lajm pasi sipas tij ceremonia e dekorimit të presidentit turk nuk është bërë në të njëjtën sallë ku ndodhej busti i Skënderbeut.

Më 5 mars të 2014 në të njëjtën sallë që Nishani ka dekoruar së fundmi presidentin Erdogan ka dekoruar edhe presidentin Giorgio Napoletano, por në kundërshtim nga hera e shkuar kur ndodhej në sallë busti i heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, gjatë dekorimit të Erdogan ky bust ishte hequr.

Nuk dihet nëse kjo është bërë qëllimisht apo jo por edhe këtë herë presidenti Nishani ka dalë bllof me mashtrimin e tij për bustin e heroit kombëtar Bujar Nishani.
Videoja e kronikës tregon qartësisht se në ceremoninë e dekorimit të Napoletanos busti i Skënderbeut ka qenë në sallë.
 
PRESIDENCA: BUSTI NUK ËSHTË HEQUR, ISHTE NË SALLËN KRYESORE
 
Burime nga Presidenca sqarojnë se busti i Skënderbeut nuk është hequr, por ndodhet në sallën kryesore, aty ku u bë edhe darka. Ndërsa ceremonia e dekorimit sqaron Presidenca u bë në sallën aneks.
 
“Ceremonia e dekorimit u zhvillua në sallën (aneks) ngjitur me sallën e darkës përpara saj. Busti qëndron gjithnjë tek salla ku u dha darka pasi ajo është salla kryesore me emrin Skënderbej. Me Napolitanon ceremonia e dekorimit u zhvillua tek salla kryesore pasi nuk kishte dreke pas dekorimit.”- sqaron Presidenca.

nishani
nishani
Redaksia Online
(f.m/shqiptarja.com)