Menjëherë pas deklaratës së deputetes demokrate, Jorida Tabaku, se Damian Gjiknuri është përgjegjës për mashtrimin e kompanisë ‘Gulf’ me karburantet, ka ardhur reagimi i ministrit të Energjetikës.
Gjiknuri i kërkon Tabakut të lexojë ligjin para se të dalë para medieve, për të ditur kompetencat ligjore të ministrave dhe fushën e veprimit. Me ironi, ministri shkruan në ‘Facebook’ se duke lexuar deputetja do të zgjerojë njohurit në fushën e hidrokarbureve, por do të shmangë edhe broçkullat.
Sa i takon mashtrimit të ‘Gulf’, Gjiknuri sqaron se çdo veprim spekulativ dhe abuziv në treg do të ndiqet rigorozikisht nga strukturat e specifikuara ligjzbatuese.
"Një këshillë miqësore për deputeten Tabaku. Kur të marrësh përsipër të dalësh përpara mediave bëj një sakrificë dhe lexo së paku ligjin për të ditur kompetencat ligjore të ministrive dhe fushën e veprimit. Përveçse do të zgjerosh njohuritë në fushën e hidrokarbureve do të shmangësh broçkullat si këto të sotmet.
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë inspekton dhe garanton parametrat e sigurisë teknike dhe cilësisë së produktit që tregtohet dhe nuk trajton apo monitoron aspektet e tregut. Çdo veprim spekulativ dhe abuziv në treg, përfshirë dhe rastin në fjalë duhet dhe jam i bindur se po ndiqet rigorozikisht nga strukturat e specializuara ligjzbatuese, Policia e Shtetit, Tatimet dhe Prokuroria"Damian Gjiknuri, ministër
(Reagimi i ministrit Damian Gjiknuri)