Mbi 1,6 milionë kilogramë ushqime që nuk plotësonin standardet e cilësisë, 227 800 litra pije të falsifikuar dhe 526 328 artikuj të skaduar janë sekuestruar gjatë një operacioni ndërkombëtar kundër mashtrimit me produktet ushqimore. Vlera e përgjithshme e produkteve të sekuestruara përllogaritet në mbi 79 milionë euro.
Operacioni i koduar “OPSON XV”, i koordinuar nga Europol dhe Interpol, u zhvillua nga dhjetori i vitit 2025 deri në maj të vitit 2026, në 57 vende të disa kontinenteve.
Gjatë gjashtë muajve, autoritetet kryen 17 071 kontrolle, arrestuan 79 persona, referuan 428 individë pranë autoriteteve gjyqësore dhe goditën 18 grupe të krimit të organizuar.
Mishi dhe nënproduktet e tij, pijet alkoolike, frutat dhe perimet ishin ndër produktet ku u konstatuan më shpesh falsifikime apo shkelje të standardeve të cilësisë. Shkelje u zbuluan edhe te vajrat, produktet e detit, ushqimet për kafshët dhe pijet joalkoolike.
Mes metodave të përdorura nga grupet kriminale ishte ripaketimi i ushqimeve të skaduara, prodhimi dhe shpërndarja e suplementeve ushqimore të paligjshme me përbërës farmaceutikë të padeklaruar, si dhe shkelja e kushteve të higjienës në ambientet e prodhimit.
Vaj vegjetal që shitej si vaj ulliri i cilësisë së lartë
Në Portugali, autoritetet goditën një skemë të dyshuar mashtrimi, përmes së cilës vaji vegjetal shitej si vaj ulliri i virgjër i cilësisë së lartë, përfshirë edhe shitjet përmes rrjeteve sociale.
U sekuestruan 10 mijë litra vaj vegjetal me etiketa të falsifikuara, 340 litra verë likeroze të paregjistruar, rreth 200 mijë euro para në dorë, katër armë zjarri dhe municione. Tre persona janë vënë nën akuzë.
Edhe në Turqi u sekuestruan 4 150 litra vaj ulliri të falsifikuar dhe 970 mijë produkte ushqimore të paketuara, me një vlerë të përllogaritur prej 750 mijë eurosh. Shumë prej produkteve ishin të skaduara, të falsifikuara ose me etiketa të pasakta.
Tregti e paligjshme e mishit të kalit në Belgjikë dhe Itali
Një operacion i përbashkët i autoriteteve belge dhe italiane zbuloi raste të kuajve të rifutur në mënyrë të paligjshme në zinxhirin ushqimor, me dokumente të falsifikuara, mikroçipa të ripërdorur dhe mbetje të barnave veterinare të ndaluara.
Në Bullgari, ndërkohë, inspektorët zbuluan se mishi i papërpunuar dhe ai i përpunuar ruheshin së bashku, pa etiketimin e duhur. Autoritetet sekuestruan 35 941 kilogramë ushqime pa etiketa dhe të skaduara, ndërsa urdhëruan asgjësimin e 34 763 kilogramëve.
Mjaltë i përzier me shurup sheqeri dhe peshk me mbetje medikamentesh
Në Kanada u sekuestruan mbi 10 tonë mjaltë të përzier me shurup sheqeri. Sipas Europol-it, përveç uljes së cilësisë së produktit, përdorimi i shurupeve industriale me indeks të lartë glicemik përbën rrezik për personat që vuajnë nga diabeti.
Në Spanjë u arrestuan dy persona që shisnin peshk të vjedhur nga rezervatet e kultivimit, duke e paraqitur si peshk të kapur në natyrë. Analizat zbuluan edhe mbetje medikamentesh në produktin e sekuestruar.
Në Brazil u sekuestruan 90 tonë produkte të manipuluara, konkretisht 48 tonë sheqer dhe 42 tonë sojë të cilave u ishte ndryshuar përbërja, duke cenuar cilësinë dhe sigurinë e tyre për konsum.
Verë dhe pije alkoolike të falsifikuara
Në një operacion të koordinuar mes Britanisë së Madhe dhe Italisë u sekuestruan 90 paleta me verë dhe proseko të falsifikuar, me një vlerë tregu prej afro 600 mijë eurosh.
Në Ekuador u sekuestruan 19 920 njësi pijesh alkoolike të paligjshme që mbanin emrat e markave të njohura.
Ndërsa në Moldavi u sekuestruan mbi 17 tonë produkte bulmeti, sasi të konsiderueshme perimesh, produkte yndyrore dhe 1 827 litra pije alkoolike. Mes shkeljeve të konstatuara ishin afatet e skadencës, mungesa e dokumentacionit të sigurisë dhe etiketat e falsifikuara.







Komente
Komento