Mashtrimi, të ardhurat ‘12, më ulta se në buxhetin e 2011-ës

Mashtrimi, të ardhurat ‘12, më ulta se në buxhetin e 2011-ës
TIRANE- Ka kaluar dje në Këshillin e Ministrave projektbuxheti për vitin e ardhshëm fiskal. Defiçiti mendohet të mbahet në nivelet që rekomandon FMN-ja, ndërkohë që të ardhurat janë dy për qind më të ulëta se në buxhetin fillestar të 2011-ës. Kryeministri Berisha la qëllimisht në harresë faktin që për këtë vit ishte parashikuar një shifër edhe më e madhe të ardhurash se ajo, që po i serviret aktualisht Kuvendit. Sipas tij, ky është buxheti më i madh në histori, i cili duhet të garantojë stabilitetin makroekonomik të vendit. "Ky është buxheti më i madh në historinë e vendit. Buxheti i viti 2012 është hartuar nga ministria e Financave, bazuar në objektivat e garantimit të stabilitetit makroekonomik. Siç jemi zotuar, nuk ka dhe nuk mund të ketë rritje të borxhit, por vetëm ulje të tij, nuk ka rritje të defiçitit buxhetor, por vetëm ulje të tij. Kemi vendosur të përqëndrohemi në objektin më madhor - rritjen e pagave dhe pensioneve. Vitin e ardhshëm do të jemi një ndër vendet më të pakta që rrisin rrogat, pensionet dhe ndihmën ekonomike”- theksoi Berisha.
Në buxhetin e vitit 2011, të miratuar një vit më parë në Kuvendin e Shqipërisë, shifra e të ardhurave buxhetore ishte caktuar 362 miliardë lekë të reja. Kjo shifër është dy për qind më e ulët se ajo prej 353.8 miliardësh, që po miratohet tani, megjithëse qeveria, në mes të këtij viti, ka bërë një korrigjim, duke rishikuar në nivelin e 343.9 miliardë lekëve këtë parametër fiskal, pra gjithnjë duke e ulur parashikimin e saj fillestar në çdo hap.

POLITIKAT
Sipas tij, viti 2012 nuk është një vit elektoral, megjithatë qeveria do të vijojë rritjen e pagave dhe pensioneve. "Ne nuk e bëjmë këtë për qëllime elektorale, siç është përpjekur në mënyrën më të përsëritur opozita të cilësojë politikën e rritjes së pagave dhe pensioneve. Uroj që të biem dakord në parim dhe kësaj radhe, pasi ata kanë votuar që nga 2005-a kundër rritjes së tyre; le t'a bëjnë zemrën gur dhe të votojnë në favor të kësaj nisme", deklaroi Berisha. Sipas zërave nga Financat, ashtu si edhe këto vitet e fundit, fjala është më tepër, jo për një rritje reale të pages, që do të kishte qenë një rritje tej normës së inflacionit në vend, që është mbi nivelin e tre përqindëve. Praktikisht, rritja e fundit ka qenë thjesht një indeksim pagash të ulta e pensionesh, ndërkohë që personat me të ardhura të tjera kanë pësuar ulje të nivelit real të jetesës.
Si linja përparësore të buxhetit të vitit të ardhshëm, kryeministri përmendi zhvillimin e frutikulturës, projektin e Shqipërisë dixhitale, si dhe vijimin e ndërtimit të një infrastrukture moderne.

PROGRAMI
Në Programin e Qeverisë, të shpallur më 2009 nga kryeministri – pra jo në shumë se dy vjet më parë – janë përmendur shprehimisht një serë parametrash, që janë cilësuar si “parametrat makroekonomike optimale”. “Parametra bazë optimale që qeveria mendon se profilizojnë këtë stabilitet janë: inflacion në nivelin e 3% në vit, borxh publik në nivelin e 50% të PBB, defiçit buxhetor në nivelin e 3% të PBB. Analizat ekonomike flasin se në vitet e ardhshme ka një probabilitet të lartë që ekonomia shqiptare t’u rikthehet ritmeve të larta të rritjes që u vërejtën në vitin 2008 dhe po ashtu këto ritme të rriten edhe më shumë”, deklaroi publikisht dy vjet më parë Berisha.
Në fakt, në rast se nja nga këto parametra është prishur krejtësisht, ky është deficiti buxhetor, i cili zyrtarisht ndodhet shumë pak poshtë nivelit ligjor të 60 përqindëve, ndërkohë që, sipas kritikëve dhe opozitës, edhe ky nivel është tejkaluar me kohë. Fondi Monetar një gjë të tillë e ka parashikuar të ndodhë për vitin e ardhshëm, duke llogaritur borxhet e mëdha që ka marrë në një kohë të shkurtër qeveria shqiptare për të kryer punime shumë të kushtueshme infrastrukturore. Këto borxhe u morën duke përjashtuar situata të vështira financiare, jashtë e brenda vendit dhe duke llogaritur kthim të investimeve në kohë tepër të shkurtëra, gjë që shpreh llogaritje tepër të gabuara.
Kështu, ish-ministri i Transporteve Lulzim Basha deklaronte vite më parë se kthimi i investimit të rrugës Durrës-Kukës do të përfundonte brenda katër-pesë viteve, ndërkohë që Banka Botërore një gjë të tillë e llogariste në 25 vjet. Tani, kur shihet që mirëmbajtja e rrugës ka një kosto tepër të lartë, sa të detyrojë qeverinë të vendosë traun te tuneli i Thirrës për të marrë tarifën e kalimit, këto parashikime duken tepër të ekzagjeruara. Por, nuk ka qenë vetëm një segment rrugor ai, që ka gëlltitur fonde të mëdha.
Berisha shprehej në 2009-ën se “qeveria do të bëjë parashikime të kujdesshme dhe të matura të rritjes ekonomike, mbi bazën e të cilave programohen të ardhurat dhe shpenzimet dhe gjithë parametrat e tjerë makroekonomikë, fiskalë, buxhetorë dhe monetarë. Mbi këtë bazë, politikat konkrete vjetore mbi defiçitin dhe borxhin do të luhaten rreth vlerave të arsyeshme duke minimizuar risqet disbalancuese dhe pasojat që këto disbalancime sjellin në ekonomi”. Por, duket se këto më tepër kanë qenë vijime të premtimeve elektorale, se sa programe të kujdesshme qeveritare.
Përsa u përket pagave e pensioneve, gjithashtu, parashikimi i 2009-ës ishte që “rritja e pagave dhe pensioneve, me prioritet ato të ulëta, do të vazhdojnë edhe në vitet e ardhshme me një nivel rritjeje rreth 10%”. Aktualisht, shqiptarëve po u kërkohet të besojnë se indeksimi me inflacionin duhet të konsiderohet si “rritje”.

SHPENZIMET
Për të mbajtur nën fre deficitin buxhetor, qeveria mendon të ulë shpenzimet buxhetore në një total prej 395 miliardë lekësh, pasi i ka ulur ato dy herë: parashikohej në fillim të vitit të shpenzoheshin 409 miliardë lekë, kjo shifër u rrudh në 390 miliardë pas rishikimit të korrikut, për të marrë një premtim të lehtë rritës në 409 miliardë vitin e ardhshëm.
(shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Ndeshje delikate në Ballsh, Thomas Brdaric: Na duhet disiplinë, Vllaznia luan për tri pikë! Kemi mungesa

Ndeshje delikate në Ballsh, Thomas Brdaric: Na duhet disiplinë, Vllaznia luan për tri pikë! Kemi mungesa