Një tjetër operacion i policisë për mashtrimet në Call Center ka cuar në pranga administratorin dhe operatoren që nëpërmjet telefonit, bindnin të huajt për të investuar në bursa fiktive. Në kërkim është shpallur pronari, i cili nuk kishte regjistruar subjektin në organet tatimore.
“Si rezultat i operacionit të koduar ‘Last Call 2’ u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:
- S. N., 24 vjeç, banues në Tiranë, administrator i një subjekti call center;
- R. S., 25 vjeçe, banuese në Tiranë, e punësuar si operatore në këtë subjekt.
Në vijim të veprimeve u shpall në kërkim pronari i këtij subjekti, shtetasi B. H., 36 vjeç, banues në Tiranë”, njofton policia.
Nga veprimet hetimore ka rezultuar se 24-vjeçari administronte një subjekt privat call center, me pronar shtetasin B. H., në zonën e Pazarit të Ri. Në këtë subjekt të paregjistruar në organet kompetente ishte e punësuar si operatore 25-vjeçarja, e cila, së bashku me administratorin, telefononin shtetas të huaj, u prezantoheshin si agjentë shitjesh dhe përmes mashtrimit, i bindnin ata që të investonin në bursën fiktive Forex.
Gjatë operacionit u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 9 njësi kompjuterike, aparate celulare dhe lista me të dhëna të ndryshme të shtetasve të huaj që dyshohet se janë mashtruar, për të investuar në bursa fiktive.
Vijon puna për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale dhe kapjen e shtetasit B. H. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.
Komente










