Për disa është një vëllazëri që promovon moralin, dijen dhe filantropinë. Për të tjerë, një organizatë e fshehtë që prej dekadash lidhet me teori konspirative për ndikim në politikë, ekonomi dhe vendimmarrje globale.

Nesër, Masoneria rikthehet në qendër të vëmendjes edhe në Shqipëri, ku në Tiranë do të mblidhen masonë nga vende të ndryshme të botës për të shënuar 15-vjetorin e Lozhës së Madhe të Shqipërisë.

Pavarësisht se është një nga organizatat më të përfolura në botë, për Masonerinë në Shqipëri dihet shumë pak. Aktivitetet e saj zhvillohen larg vëmendjes së publikut, ndërsa vetë organizata del rrallë me deklarata apo njoftime.

Në Shqipëri nuk ka një shifër zyrtare për numrin e masonëve,  por Lozha e Madhe e themeluar në vitin 2011, deklaron se ka shtatë Lozha operative në vendin tonë me aktivitet në Tiranë, Fier dhe Korçë.

Lozhat janë grupime lokale të anëtarëve. Së shpejti pritet të hapet edhe një Lozhë në Shkodër. Kjo do të thotë se veprimtaria e masonëve është e përhapur gjerësisht edhe në vendin tonë. Mes Lozhave, është edhe një njësi kërkimore e quajtur  “Egnatia” Nr. 10, e cila punon në gjuhën angleze që merret me studimin e historisë, simbolikës dhe traditës masonike. 

Lozha e Madhe e Shqipërisë drejtohet nga një Mjeshtër i Madh, i zgjedhur me votë nga anëtarët për një mandat të caktuar. Ai konsiderohet "i pari mes të barabartëve" dhe jo një drejtues me pushtet absolut. Mjeshtri i Madh aktualisht është Aleko Poshnjari

Në çdo shtet funksionon vetëm një Lozhë e Madhe sovrane, ndërsa ajo shqiptare përfshin edhe struktura si Riti Skocez me 33 gradë, Riti i Yorkut dhe Urdhri DeMolay, duke mbajtur marrëdhënie me organizata simotra në disa kontinente.

Por kush janë masonët shqiptarë?

Në një intervistë të dhënë 2 vjet më parë, ish-Mjeshtri i Madh i Lozhës së Madhe të Shqipërisë, Piro Dode, ka deklaruar se Masoneria në Shqipëri i ka rrënjët shumë më herët se viti 2011. Sipas tij, një pjesë e rilindësve shqiptarë kanë qenë masonë dhe edhe Ismail Qemali ishte mason, ndërsa gjatë regjimit komunist organizimi i Masonerisë nuk lejohej.

Dode shpjegon se pas viteve '90 shqiptarët u lidhën sërish me Masonerinë përmes kontakteve me Lozhën e Madhe të Italisë. Në vitin 2008 u krijua Lozha "Arbëria", ndërsa tre vjet më vonë u themelua Lozha e Madhe e

Masoneria vazhdon të jetë subjekt i dhjetëra librave, filmave dhe teorive konspirative. Pikërisht ritualet, simbolika dhe natyra e rezervuar e organizatës kanë ushqyer për dekada pretendime të ndryshme për ndikimin e saj, megjithëse këto pretendime mbeten të debatueshme dhe shpesh nuk mbështeten me prova.

Vetë Masoneria i hedh poshtë këto interpretime. Në intervistën e tij, Piro Dode është shprehur se organizata nuk është "sekrete", por "e rezervuar", se nuk lejon diskutime politike apo fetare në mbledhjet e saj dhe se nuk është krijuar për të siguruar favore apo ndikim.

Sa masonë ka në botë?

Në botë, Masoneria llogaritet të ketë rreth 6 milionë anëtarë dhe është e organizuar në Lozha kombëtare, të cilat funksionojnë të pavarura nga njëra-tjetra.

Ndryshe nga sa pretendohet shpesh në teori konspirative, nuk ekziston një "udhëheqës i masonëve të botës", pasi çdo Lozhë e Madhe drejton veprimtarinë vetëm në territorin e saj.

Për t'u bërë mason, sipas rregullave të Masonerisë së rregullt, kandidati duhet të propozohet nga një anëtar dhe të kalojë një proces pranimi; anëtarësimi nuk bëhet përmes një aplikimi të zakonshëm.

Mes figurave historike që historianë të ndryshëm kanë identifikuar si masonë përmenden presidenti i parë i SHBA-së George Washington, revolucionari italian Giuseppe Garibaldi, filozofi Volter dhe kompozitori Wolfgang Amadeus Mozart etj.