Ministrja e Shëndetësisë, Klodiana Spahiu, ka vizituar sot maternitetin “Mbretëresha Geraldinë” në Tiranë, ku po vijojnë punimet për rikonstruksionin dhe modernizimin e kompleksit spitalor. Gjatë vizitës, Spahiu bëri të ditur se me Buxhetin 2027 janë parashikuar investime edhe në maternitetet e Fierit dhe Shkodrës.
“Shëndeti i gruas, nënës dhe fëmijës në qendër të politikave tona shëndetësore”, shkroi ministrja në një postim në rrjetet sociale.
Në maternitetin “Mbretëresha Geraldinë” ka përfunduar faza e parë e investimit, me ndërtimin e një godine të re prej rreth 6 mijë metrash katrorë, e cila ka 7 salla operacioni dhe 6 salla lindjeje. Me këtë investim, kapaciteti i spitalit është rritur nga 260 në 360 shtretër.
Aktualisht po punohet për fazën e dytë, që përfshin rikonstruksionin dhe përforcimin e godinës historike të Obstetrikës, rinovimin e fasadës së Gjinekologjisë dhe sistemimin e ambienteve të jashtme.
Në këtë fazë është parashikuar edhe riorganizimi i Reanimacionit Neonatal, i shërbimit të kujdesit për gratë pas lindjes dhe i farmacisë spitalore.
Ndërkohë, faza e tretë do të përmbyllë punimet në të gjithë kompleksin spitalor.
Sipas ministres, investimet e parashikuara në Buxhetin 2027 do të shtrihen edhe në maternitetet e Fierit dhe Shkodrës, me synimin për të përmirësuar kushtet dhe shërbimet për nënat dhe të porsalindurit.









Komente
Komento