Tiranë, 5 Korrik/ATSH-Z.Tosku- Maturantët që kanë marrë rezultatet e të katër provimeve të Maturës Shtetërore do të mund të bëjnë përllogaritjen e saktë të pikëve e cila do ti ndihmojë ata për të përcaktuar më saktë se kush janë degët që mund të fitojnë në universitetet publike të vendit.
Përllogaritja e pikëve për hyrjen në universitetet publike, të maturantit bëhët sipas skemës: Shënojmë me M, D1, D2, Zi dhe Z2 përkatësisht pikët mesatare të shkollës së mesme, vlerësimet në lëndët e detyruara dhe në ato me zgjedhje. Shënojmë me K koeficientin e shkollës të përcaktuar nga universitetet publike. Shënojmë me F1, F2 koeficientet e lëndëve me zgjedhje të përcaktuara nga universitetet publike. Llogaritja e shumës S të pikëve të maturantit do të bëhet me formulën: S={[26*M+20*(D1+D2)]*K+17* (Z1*F1+Z2*F2)}*5.
Në llogaritjen e pikëve kandidatët duhet të përdorin vetëm notën e përshkallëzuar. Për të ditur koeficientin e shkollës së mesme dhe të lëndëve që kanë dhënë si provim me zgjedhje, mjafton të klikosh tek faqja zyrtare e Ministrisë së Arsimit (www.arsimi.gov.al) apo në faqen zyrtare të Agjencisë Kombëtare të Provimit (www.akp.gov.al) të cilat janë të publikuara.
Këtë vit formula ka ndryshim me vitin e shkuar pasi më shumë rëndësi këtë vit dhe peshë ka mesatarja e shkollës së mesme, pasi i është rritur pesha, nga 20% që e kishte më parë këtë vit ka shkuar 26%. Duke ju ulur me nga 3% pesha e seicilit provim me zgjedhje. Në formulën e llogaritjes së pikëve kjo gjë sjell një diferencë prej 50 pikësh. Këtë vit maturantët me formulën e re marrin 50 pikë më shumë se vjet. Ndërsa përsa i përket preferencave, maturantët do të mund të plotësojnë formularin A2, pas miratimit të kuotave të pranimit nga qeveria. Ministria e Arsimit do të publikojë këtë formular ku çdo maturant do të mund të plotësojë 10 preferencat për të ndjekur shkollën e lartë. Kuotat pritet që të miratohen në mbledhjen e radhës së Këshillit të Ministrave, ndërsa Formulari A2 pritët të dalë pas datës 20 korrik./f.n/