Kandidatët e viteve të kaluara do të kenë dhe 3 ditë kohë për të aplikuar me formularin A1Z për Maturën Shtetërore 2015. Në kalendarin e publikuar nga Agjensia Kombëtare e Provimeve, parashikohet që ditën e sotme të aplikojnë kandidatët në qytetet, Kurbin, Mirditë, Kukës, Has, Tropojë, Dibër, Mat dhe Bulqizë.

Ndërsa ditën e nesërme, (30 mars) do të aplikojnë kandidatët në qytetet Vlorë, Sarandë, Delvinë, Gjirokastër, Tepelenë dhe Përmet. AKP ka parashikuar që në datën 31 mars, sisteimi do të jetë i hapur, për të gjithë kandidatët që nuk kanëaplikuar në kohë me formularin A1Z. Formulari A1Z plotësohet online nga Maturantët para Maturës Shtetërore 2015.

Nga kandidatët që nuk janë shpallur fitues në asnjë program studimi në maturat e mëparshme. Nga kandidatët që janë shpallur fitues në një program studimi në maturat e mëparshme, por nuk janë regjistruar. Formulari A1Z plotësohet dhe nga të rinjtë që janë shpallur fitues dhe janë çregjistruar, vërtetuar nga dekanatet përkatëse me shkresë zyrtare në AKP.

Fleta e çregjistrimit origjinale dorëzohet në AKP para aplikimit me formularin A1Z, që të bëhet i mundur çregjistrimi në sistemin e Maturës dhe heqja e numrit të matrikullimit. Fotokopja e fletës së çregjistrimit dorëzohet në shkollën ku do të bëjë aplikimin online me formularin A1Z. AKP thekson se deri në 30 mars mund të aplikojnë edhe kandidatët që kanë kryer arsimin e mesëm jashtë vendit dhe aplikojnë për herë të parë në Maturën Shtetërore.

Aplikimi online me Formularin A1Z bëhet në shkollën ku kandidati ka mbaruar arsimin e mesëm të lartë, ose në shkollën që ka caktuar Komisioni i Maturës Shtetërore në DAR/ZA, e vendbanimit.
 
 
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)