Matura, nuk mund të
ankohesh për notën

Matura, nuk mund të <br />ankohesh për notën
Të gjithë maturantët, të cilët do t'u nënshtrohen provimeve këtë qershor, nuk mund të ankohen, nëse janë të pakënaqur me notën. Rregullorja e re e zhvillimit të Maturës Shtetërore 2012, është mjaftuar me gjetjen e vlerësuesve shumë të mirë, duke u hequr kështu të drejtën maturantëve që të rishikohet testi, nëse vërejnë parregullsi gjatë korrigjimit të tij.
ANKIMI
Ndryshe nga eksperienca e viteve të kaluara, kur të rinjtë kundrejt një tarife prej 1200 lekësh, kishin të drejtë që të ankoheshin nëse ishin të pakënaqur me notën dhe nëse vërtetohej se ai kishte të drejtë, ndryshohej edhe rezultati, këtë vit ata nuk mund ta bëjnë një gjë të tillë. Kjo do të thotë se nëse maturantët janë të pakënaqur nga nota e testit dhe pretendojnë që ajo të rivlerësohet, kjo s'mund të bëhet, pasi rregullorja e Maturës 2012 nuk parashikon procedura rishikimi të testeve dhe as më pak të rivlerësimit të tyre, në mënyrë që të pasqyrohet edhe nota e re me ndryshime. Një procedurë kjo që është ndjekur që në fillimet e zbatimit të Maturës Shtetërore, ku maturantët kishin të drejtë e apelimit të notës, por u hoq në maturën 2011. Ndërkohë specialistë të Ministrisë së Arsimit shpjegojnë se një nen i tillë nuk është parë i nevojshëm, pasi rregullorja e sivjetshme ka procedura shumë të forta për vlerësimin e testeve. Dhe, për këtë arsye, nuk është e nevojshme që të parashikohet procedura e ankimimit, pasi testet do të vlerësohen nga dy komisione të ndara.

VLERESIMI
Këtë herë matura parashikon që testet të kalojnë nëpër dy komisione vlerësimi, të pavarura nga njëri-tjetri. "Çdo pyetje e testit i nënshtrohet një vlerësimi të dyfishtë, të pavarur nga njëri-tjetri", - thuhet në nenin 50, pika 11 të rregullores së Maturës Shtetërore. I njëjti kapitull i rregullores përcakton se edhe procedurat që duhet të ndjekin vlerësuesit në korrigjimin e testeve. "Vlerësuesit, pasi marrin në dorëzim testet, konfirmojnë saktësinë e tyre dhe bëjnë kodifikimin me numra arabë, pavarësisht nga barkodi dhe pa e dëmtuar atë", - thuhet në këtë kapitull, ku më tej saktësohet se vlerësuesit mund të bëjnë shënime në test, por vlerësimet për çdo pyetje i pasqyrojnë në formularët përkatës. "Rakordimi i vlerësimeve bëhet pas korrigjimit në fund të çdo dite vlerësimi. Në rastet kur ka mospërputhje midis dy vlerësuesve, përgjegjësi i vlerësimit, aktivizon një vlerësues të tretë për të bërë vlerësimin përfundimtar. Përgjegjësi i vlerësimit firmos në tabelën e vlerësimit të testit së bashku me vlerësuesin e tretë", - përcaktohet në këtë rregullore.
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Xhudistja nga Kosova, Laura Fazliu fiton medaljen e bronztë olimpike në Paris 2024

Xhudistja nga Kosova, Laura Fazliu fiton medaljen e bronztë olimpike në Paris 2024