Nis nesër sezoni i vjeshtës për 20 mijë maturantët që nuk arritën të kalojnë pragun minimal në provimet e maturës së shtetit. Ministria e Arsimit ka publikuar kalendarin e datave të testimit të maturantëve në të gjitha lëndët.

Ndërsa mësohet se edhe sezoni i vjeshtës do të zhvillohet nën masa të rrepta sigurie, duke mos lejuar askënd që ta marrë notën kaluese në mënyrë të pamerituar.

Provimi i parë do të jetë gjuha e huaj, që do të zhvillohet nesër, gjuha shqipe e  cila ka  5600 mbetës do të zhvillohet më 13 shtator.

Matematika e cila këtë vit ka një numër rekord mbetësish prej 14.360 maturantësh do të zhvillohet më 16 shtator, ndërsa 10.864 mbetësit e lëndëve me zgjedhje do të kenë mundësi të riprovojnë sërish dijet e tyre më datë 22 shtator.


Datat e provimeve janë

Gjuhë e huaj 10 shtator 2014
Gjuhë shqipe dhe letërsi 13 shtator 2014
Matematikë 16 shtator 2014
Lëndë me zgjedhje 22 shtator 2014



Provimet do të fillohen në orën 10:00. Provimet e detyruara do të zgjasin 2 orë e 30 minuta. Ndërsa provimet me zgjedhje do të zgjasin 4 orë. Maturantët që kanë vetëm një provim me zgjedhje do të hyjnë në provim në orën 11:30.
Provimet e detyruara do të kenë 25 pyetje, nga të cilat 13 pyetje do të jenë me alternativa që do të vlerësohen me 13 pikë dhe 12 pyetje do të jenë me zgjidhje që do të vlerësohen me 37 pikë. Provimet me zgjedhje do të kenë 20 pyetje nga të cilat 10 pyetje me alternativa që do vlerësohen me 10 pikë dhe 10 pyetje me zhvillim që do vlerësohen me 30 pikë. Provimet do të zhvillohen të përqendruara në Drejtoritë Arsimore Rajonale. Vetëm ZA Tropojë, ZA Lushnje dhe ZA Sarandë do t’i zhvillojnë provimet në qytetet e tyre.


Në provimin e Maturës Shtetërore 2014-të, sesioni i dytë, kanë të drejtë të marrin pjesë:

a) Maturantët/kandidatët që nuk rezultojnë kalues në një ose më shumë provime të Maturës Shtetërore 2014-të, sesioni i parë.
b) Maturantët që kanë qenë pakalues në një ose dy lëndë, në vitin shkollor 2013-2014 dhe i kanë shlyer ato në sesionin e vjeshtës.
c) Kandidatët që kanë përfunduar shkollën e mesme para vitit 2014-të, por nuk kanë shlyer detyrimet e Maturës Shtetërore.
d) Kandidatët që kanë përfunduar shkollën e mesme jashtë vendit dhe kanë njësuar dokumentet shkollore në komisionin e posaçëm të ngritur me Urdhrin e MAS, Nr.108, datë 31.03.2014, por që duhet të japin një apo dy provim me zgjedhje.




Redaksia Online
(g.f/shqiptarja.com)