Duke pasur në vëmendje kundërshtitë dhe protestat e maturantëve, kundër fazës së parë, ministrja Nikolla ka bërë një rezyme të numrit të animimeve në të gjitha institucionet e arsimit të lartë në vend ndërkohë që ka falenderuar rektorët, dekanët e grupet e punës për zbatimin e udhëzimeve.
“Ankimimet në universitete, nga raportimi bëhet e ditur se janë 287 ankimime në 475 mijë aplikime ose 0.06% animime në totalin e të gjithë aplikimeve për të vijuar studimet e maturantëve. Është mbyllur faza e parë e aplikimeve. Po komunikojmë me të gjithë institucionet e arsimit të lartë në vend. Falenderoj rektorët, dekanët e grupet e punës që po veprojnë për zbatimin e udhëzimeve në këtë proces. Autonomia dhe përgjegjshmëria institucionale është vënë në funksion. Gjithçka do të vijojë sipas ligjit, fituesit e raundit të parë do regjistrohen më 13 shtator” tha ajo.
Nikolla shtoi se, përmes raundit të parë është mundësuar që maturantët më të mirë të kenë mundësi të regjistrohen të parët, ndërkohë që sa i takon raundit të dytë,
maturantët do të kenë mundësi jo vetëm që të riaplikojnë, por edhe të ndryshojnë preferencat e tyre.
“Raundi i parë, mundësoi që më të mirët të regjistrohen të parët.Është faza e dytë me 10 preferenca, më të mirët e raundit të dytë mund të fitojnë sërish në 10 degë dhe pasi të zgjedhin ku do shkojnë janë universitetet që do të plotësojnë kuotat pas rankimit të raundit të dytë” tha ministrja.
Nikolla ka shtuar se, universitetet kanë shpallur rreth 25 mijë vende, ndërkohë aplikantë për në universitete publike janë 22 mijë.
Ja fjala e plotë e ministres Lindita Nikolla
Të dashur prindër dhe maturantë!
Lejomëni të ndaj me ju raportimin e parë të ardhur nga universitetet.
IAL-të kanë mbyllur fazën e ankimimeve, nga ku rezulton se:
UT nga 88. 276 aplikime ka 216 ankimime.
UMT nga 2. 024 aplikime ka 28 ankimime.
UPT nga 24. 177 aplikime ka 19 ankimime.
Un. DR. nga 35. 491 aplikime vetëm 3 ankimime.
Un. Arteve nga 1. 234 aplikime vetëm 1 ankimim.
Un. Shkodres nga 13. 126 aplikime 16 ankimime
Universitetet e Korçës, Elbasanit, Vlorës dhe ai i Sporteve kanë zero ankimime në 36. 018 aplikime.
Pra, në total rezultojnë vetëm 287 ankimime në 475.000 aplikime, ose vetëm 0.06 % e numrit të aplikimeve. E thënë ndryshe 1 në 1655 aplikime ka kërkuar verifikim.
Besoj shfirat flasin vetë!.
Të gjitha këto ankimime janë shqyrtuar nga IAL-të dhe kanë marrë përgjigje. Jemi në komunikim të pandërprerë me Universitetet tona dhe falënderoj Rektorët, Dekanët dhe Grupet e Punës të cilët po realizojnë me shumë përgjegjësi këtë proces. Autonomia dhe përgjegjshmëria institucionale po funksionon.
Të dashur maturantë gjithçka do të vijojë sipas parashikimeve dhe Udhëzimit Nr.13.
Për ju fituesit e raundit të parë rregjistrimet fillojnë në datë 13 shtator.Raundi i parë mundësoi që më të mirët të zgjedhin të parët, por edhe për të gjithë ju të tjerët një pamje reale, të qartë për ta bërë meritën dhe preferencën fituese.
Ju keni sërish në dispozicion 10 alternativa që mund të jenë edhe alternativa të reja. Pra, 10 mundësi të reja pasi keni gjithçka më të qartë falë transparencës së raundit të parë.
Më të mirët e raundit të dytë sërish mund të fitojnë edhe 10 programe dhe pasi ata të zgjedhin siç udhëzimi përcakton, vendet e lira do të plotësohen nga universitetet duke ulur vijën e kuqe dhe ruajtur renditjen e raundit të 2-të duke plotësuar kuotat e parashikuara.
Rikujtoj që nga IAL publike janë shpallur 24 915 vende studimi, ndërkohë që aplikantë në universitetet publike në fazën e parë janë 22 mijë.
Suksese!
Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)