/ATSH-Z.Tosku/- Në Shqipëri, jo çdo maturant mendon se shteti mund të ofrojë çdo gjë të gatshme për sistemin arsimor.
Me çeljen e panairit "Junior Achievement", ditën e sotme në Tiranë, shumë maturantë të shkollave të mesme në Shqipëri prezantuan idetë e tyre inovatore në tregun e sipërmarrjes.
Ndryshe nga ç'ndodh zakonisht, ndërsa dëgjojmë maturantë pafund apo studentë që ankohen për mungesën e kushteve në Shqipëri, nëpër shkolla apo një mjedis të papërshtatshëm për t'u edukuar, për disa të rinj të tjerë, puna, studimi dhe idetë janë më të rëndësishme për moshën e tyre.
E ndërsa intervistojmë disa maturantë në panair, serioziteti dhe puna e bërë nga ata prej muajsh të tërë është e dukshme në mënyrën dhe pasionin që tregojnë duke prezantuar një ide, sikurse kanë prej vitesh në treg duke operuar.
Ndërsa morën pjesë në konkursin kombëtar shkollat "Hasan Pulo" Orikum, shkolla industriale "Pavarësia" Vlorë, shkolla "Kristaq Rama" Tiranë, shkolla "Kostandin Kristoforidhi" Elbasan, shkolla "Muhamed Kondi" Poliçan, shkolla "Nazmi Rushiti" Peshkopi, shkolla "Harri Fultz" Tiranë, shkolla "Ali Demi" Vlorë, shkolla "Ismail Qemali" Tiranë etj, për përfaqësuesit e secilës shkollë, kjo mbetet një nga projektet më të bukura që ata kanë nisur si shkollë.
Për Elis Gjana, maturant në shkollën "Ismail Qemali", projekti përveçse një mënyrë angazhimi është një mundësi e mirë për të dhënë mesazhe në shoqëri, nëpërmjet një ideje biznesi.
"Ideja jonë u bazua në Com -booksat amerikanë dhe duke qenë se në Shqipëri ky nuk ekzistonte më parë, ndaj ishte e rëndësishme të krijonim këtë ekskluzivitet në Shqipëri.
Ne menduam se duke u përshtatur me historinë dhe traditat, me mitologjinë shqiptare, të mund të krijonim një produkt tonin dhe pikërisht arritëm të botonim për herë të parë. Botimi i parë përfshin aventurat e Mujit dhe Halilit, me 30 faqe. Gjithashtu, në këtë libër janë përfshirë edhe shumë lojra për fëmijë. Menduam për këtë libër, pasi i mungon tregut shqiptar dhe është e re dhe menduam të përshtasnim në mënyrë të tillë që edhe fëmijët të mernin një mesazh. Mesazhi qe trajton ky libër është që të mësojmë këtë vepër ku ngjarjet janë bazuar në mitologjinë, por rrjedha e ngjarjes është modifikuar nga ne duke përcjellë mesazhin e paqes, që duhet të ofrohet mes kombit shqiptarë dhe serbëve, duke qenë se krajli është serb, ndërsa Muji dhe Halili është shqiptar. Ne duam që t'i ushqejmë fëmijët e së ardhmes me mesazhin e paqes dhe dashurisë.
Ndërsa sa i përket fitimeve, ato kanë shkuar për bamirësi dhe kanë blerë lodra dhe ushqime për shtëpinë e fëmijës "Zyber Hallulli", tha Gjana për ATSH-në.
Një tjetër ide interesante nga maturantët, ishte ajo e një baterie të rikarikueshme të cilën mund ta pëdorje kudo për pajisjet telefonike, në çdo lloj rasti. Një ide e sjellë prej shkollës "Ali Demi" Vlorë, ku Eni Sinanaj shpjegon për ATSH-në se kanë punuar shumë për këtë projekt, por janë të lumtur për përfundimin e këtij projekti.
E ndërsa të rinjtë, e sidomos maturantët jetojnë në epokën e internetit dhe teknologjisë, shumë prej tyre e shohin zgjidhjen tek teknologjia, si çelësin e suksesit në biznes. Për shkollën "Harry Fultz" në Tiranë, papunësia mbetet një problem serioz në Shqipëri, por që për ta, zgjidhja gjendet tek arsimi profesional dhe tek një faqe në web , ku secili prej të diplomuarve do të mund të gjejë një hapësirë për cv e tyre.
Maturantja Zela Zelka shpjegon me shumë hollësi sesi funksionon faqja në web e krijuar prej tyre. Duke promovuar persona të arsimit profesional, secili prej tyre paguan një shumë minimale për 6-muaj dhe i rezervohet një hapësirë për çdo këkesë punësimi.
Nga ana tjetër, në mbështetje të projektit pilot për krijimin e klasave "inteligjente" që pritet të nisë në muajin shtator të këtij viti, nxënësit e gjimnazit "Kostandin Kristoforidhi" në Elbasan, kanë krijuar të ashtuquajturën B-CARD, që është zgjidhja e një ndër problematikave të shkollave shqiptare. Për të parë qoftë prindi apo mësuesi, rregullsinë e një nxënësi në shkollë si dhe për të krijuar më shumë siguri në shkolla, karta dixhitale e hyrjes është zgjidhja e duhur për ta.
Sipas Edina Bordit, përfaqësuese e kësaj shkolle, gjëja e parë që ne menduam ishte të sillnim në treg kartat magnetike për prodhimin e programve soft për mundësimin e infomacionit për mësuesit dhe prindërit.
Projektet e tjera të prezantuara kishin të bënin me dekore të ndryshme të bërë nga nxënësit, duke shfrytëzuar krijimtarinë dhe potencialin që u fal mosha, edukimi dhe mbi të gjitha mbështetja që Ministria e Arsimit i jep çdo shkolle shqiptare.
Duke u larguar prej maturantëve, me energjinë dhe bukurinë që të transmetojnë, mesazhi i bukur që të tejçon ndalet në shpresën e një brezi të ri që beson në aftësitë, vlerat dhe punën.