TIRANE- Me vetëm 16 votat e deputetëve të mazhorancës, Komisioni i Ligjeve miratoi raportin e grupit të kontrollit për shkarkimin e kryeinspektores së ILDK,Zana Xhukës, ndërsa opozita u largua nga mbledhja.

Duke shprehur kundërshtimin e saj, opozita kërkoi ndërprerjen e çdo procedure nga ky komision, pasi e konsideron këtë vendim të mazhorancës si antikushtetues.

Nënkryetari i këtij komisioni, Oerd Bylykbashi akuzoi mazhorancën se po tenton të vendosë nën kontroll institucionet e pavaruara, përfshirë këtu edhe ILDKP për të kontrolluar pasuritë e tyre të paligjshme.

Bylykbashi tha ndër të tjera, se dy nga tre deputetët e grupit të kontrollit (Pirro Lutaj, Armando Subashi si dhe Ulsi Manja) janë në konflikt interesi me vetë këtë institucion.

“Kontrollin në ILDKP-në e kërkojnë si instrument për të bërë presion mbi gjyqësorin, mbi prokurorët dhe mbi kundërshtarët e vet politikë. Ka dhe një shkresë, komisoni dhe grupi i kontrollit janë njohur me një shkresë të ILDKP,që thotë se së pari veprimet që po kryehen nga deputetët, ku 2 nga 3 deputetët që janë marrë me hetimin janë në konflikt interesi, për rrjedhojë i është kërkuar kryetarit të Kuvendit të anulojë kryerjen e hapave të tjera", tha Bylykbashi.

Ndërkohë që deputeti i LSI, Spartak Braho i kërkoi komisionit ndjekje penale nga Prokuria për të gjithë materialin që është dërguar si përgjigje nga kryeinspektorja Xhuka.

“Kjo s`do t`ia dijë fare se çfarë thotë Kuvendi, bile në shkresën e saj thotë që nuk e njoh Kuvendin fare të nderuar qytetarë. E ka mësuar gabim ai papagalli me emrin Oerd dhe e ka marrë më qafë se ia ka shkruajtur keq këtë konkluzion, por fjalën e kisha te veprimet e tjera që vijnë. Unë do t`i propozoj komisionit që në përfundim t`i kërkojmë Kuvendit kur të miratohet raporti, që i gjithë ky material t`i dërgohet Prokurorisë”, tha ai.

LETRA DHE PËRGJIGJET E XHUKËS
Në një letër drejtuar kryeyarit të Kuvendit, Ilir Meta, kryeinspektorja Xhuka i kërkon “të shpallë pavlefshmërinë e grupit të kontrollit të deputetëve dhe të raportit të formualuar prej tij, si akt antiligjor dhe antikushtetues si dhe t`i mundësojë ILDKP raportim ligjor çdo vjetor.

Në të njëtën kohë ajo iu është përgjigjur edhe 31 pytjeve të kërkuara nga grupi i kontrollit lidhur me deklarimet e pasurive të subjekteve të caktuara, ku sipas deputetëve të shumtat e përgjigjeve, Xhuka i ka anashkaluar duke thënë se “nuk është komptencë e ILDKP, por e institucioneve të tjera”.

REPLIKAT
Bylykbashi:
Kontrollin në ILDKP e kërkojnë si instrument për të bërë presion mbi gjyqësorin, mbi prokurorinë dhe mbi kundershtarët e vet politikë. Kjo që bën komisioni është antikushtetuese sepse kontrolli dhe hetimi është kompetencë e Kuvendit. Nuk mundet që Komisioni i Ligjeve të nisë një procedurë kontrolli dhe hetimi sepse kjo është komptencë e mbledhjes së 140 deputetëve. Nëse ne do të tolerojmë këtë shkelje të Kushtetutës dhe të gjithë bazën ligore, atëherë pyetja është cili është institucioni tjetër që e ka radhën?
Xhafaj: Meqenëse gjatë këtyre ditëve ju e keni vizituar pa kamera ILDKP, do ishte mirë që ta mbronit deri në fund këtë çështje.

Subashi: Ne kemi propozuar në përfundim të këtij raporti, që Kuvendi të shpallë si absolutisht të pavlefshëm vendimin e vet, lidhur me emërimin e znj. Xhuka si inspektore e përgjithshme.
Xhafaj: Kjo është Kushtetuta e vendit tonë, edhe e mazhorancës, edhe e opozitës, e çdo qytetari. Kjo është Kushtetuta edhe për z.Bylykbashi, edhe për Lulzim Bashën, edhe për Zana Xhukën, për të gjithë dhe askush nuk mund të na e mohojë verifikmin e zbatimit të ligjit.

faksimile



Shkrimi u publikua sot (25.01.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)