Deputeti i Partisë Demokratike, Ivi Kaso, është shprehur se shpresonte se me rregulloren e re të Kuvendit, e cila pritet të miratohet me konsensus mes palëve, të ndryshonte sjellja e mazhorancës kundrejt opozitës në Kuvend.
“Bashkohem me vlerësimet dhe falënderimet për kolegët, jo vetëm të këshillit për rregulloren, por edhe ata të këshillit për legjislacionin. Gjykata Kushtetuese e ka kapur këtë mazhorancë në një faull kushtetues. Me anë të vendimmarrjes që cituam dhe që kemi detyrim për ta adresuar brenda ditës së sotme, na adreson jo vetëm piketat mbi të cilat duhet të bazohet vendimmarrja në rregulloren e re, por edhe një parim shumë të rëndësishëm që duhet të jetë edhe lajkmotivi i punës së këtij kuvendi nga sot e tutje, atë të kërkesës për të pasur si udhërrëfyes të punës sonë balancën e 2 parimeve shumë të rëndësishme, parimit të autonomisë parlamentare dhe parimin e demokracisë përfaqësuese, parim i cili është shkelur disa herë në mënyrë të njëanshme. Unë shpresoj që miratimi me konsensus i rregullores së re t’i çelë rrugën një sjellje të re të mazhorancës në Kuvend”, tha mes të tjerash Kaso.
Lajmi kryesor:
PS e PD konsensus për ndryshimet në Rregullore, miratohet me 100 vota pro! Kreu i SPAK s’raporton më në Kuvend, por te komisioni ‘Xhafaj’! Jo seancë pas orës 22:00









