PS mungon në Komisionin Hetimor për ‘Shëndetësinë’, opozita: Përpjekje për të bllokuar punën! Ndreca: Mblidheni sipas qejfit, s'kishte vendim

TIRANË- Mbledhja e tretë e Komisionit Hetimor për koncesionet në Shëndetësi ka dështuar. Anëtarët e Partisë Socialiste nuk u paraqitën në mbledhjen ku ishte parashikuar që të miratohej kërkesa për informacione, pasi sipas tyre nuk kishte vendimmarrje për mbledhjen e radhës.

Kryetarja Albana Vokshi, ndërsa karriget e socialistëve ishin bosh, hodhi akuza ndaj tyre se po bëjnë përpjekje për të bllokuar punën e komisionit për dy koncesionet, sterilizimin dhe check up-in.

“Po tentojnë të pengojë punën, në papërgjegjshmëri totale, duke përdorur hile, pretekste të paqena”, tha Vokshi.

Debati për caktimin e mbledhjes duket se është pika që i ndan të dy palët. Vokshi thotë se është kryetarja që cakton se kur do mblidhen, nga ana tjetër nënkryetari socialist Plarent Ndreca në një reagim thotë se vendimmarrja i takon komisionit dhe se Vokshi një ditë më parë refuzoi që të diskutojë mbi pikën e fundit të rendit të ditës për caktimin e mbledhjes.

"Trishtim i madh kur sheh kolegët e opozitës që mblidhen sipas qejfit, në mosrespektim të plotë të rregullave bazike të një organi kolegjial. Çdo vendimmarrje është e Komisionit dhe jo e Kryetares se tij. Asnjë vendimmarrje apo dakortësi nuk ka nga komisioni për mbledhje sot, pavarësisht se dje e kishim në rend dite, por u refuzua të shqyrtohet nga Kryetarja”, shkroi Ndreca.

Në një deklaratë për mediat, opozita në bllok hodhi akuza ndaj mazhorancës se këto janë skenarë me qëllim zvarritjen e hetimeve të komisionit për dy koncesionet, sterilizimin dhe check up-in.

"Gjithë kjo zvarritje është me tendencë që 4 muaj ikin shpejt dhe të bëjnë ç’të jetë mundur që ne mos të zbardhim informacion në kohë, të vonohet thirrja e dëshmitarëve, të vonohet mbledhja e provave të reja", u shpreh Ina Zhupa. 

"Sot është data 3 dhe këta kanë djegur plot 2 javë. Dy javë rresht pengojnë me çdo mjet një element bazik. Mbledhja e sotme ishte miratimi i kërkesave për informacion, kjo gjë i tremb se informacioni i kërkuar nga opozita është një skaner i vërtetë i asaj se ca ka ndodhur", tha Petrit Vasili. 

"Këtyre u ka hyrë uji nga SPAK, nuk kanë interes ta vazhdojnë, prandaj gjysma kanë ardhur në konflikt interesi. Pa pikë turpi, çohet në 11 nga gjumi ka parë ndonjë ëndërr dhe tha nuk e kemi miratuar, ndërkohë që aty ishim gjithë", vijoi Saimir Korreshi. 

Ndërkohë, Vokshi thotë se mbledhjen e radhës e ka caktuar të premten në orën 13:30. Sipas Vokshit, rregullorja i lejon që me ¼ e firmave të deputetëve mblidhet mbledhja, duke theksuar se ka mbledhur firmat e opozitarëve.

“Kemi firmosur të gjithë kolegët e opozitës për të thirrur mbledhjen e radhës të premten. Rregullorja përcakton se me ¼ e firmave të deputetëve thirret mbledhja e radhës. Rregullorja se ka lënë në dëshirën e apo vullnetin e mazhorancës. Mbledhja e radhës do zhvillohet të premten në 13:30”, tha Vokshi.

Ditën e djeshme u miratuan ekspertët që do të ndihmojnë punën e Komisionit Hetimor për Koncesionet në Shëndetësi, ndërsa socialistët refuzuan kërkesat për informacion, si edhe të nënshkruanin formularin për konfliktin e interesit.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:53
PS nuk shkoi në Komisionin Hetimor për ‘Shëndetësinë’, opozita në bllok: Po pengojnë punën! Vokshi: Mbledhja e radhës nesër, s’e vendos Ndreca

1712063471_albanavokshi.jpg

Deputetët e opozitës kanë dalë në një deklaratë për mediat, pasi socialistët nuk morën pjesë në mbledhjen e Komisionit Hetimor për koncesionet në Shëndetësi. Kryetarja e komisionit, Albana Vokshi thotë se e ka njoftuar dje mbledhjen dhe se sipas saj vendimmarrje i takon kryetares. Nga ana tjetër socialistët pretendojnë se vendimmarrja për caktimin e mbledhjes është e përbashkët dhe se Vokshi mbledhjen e djeshme refuzoi të diskutojë mbi pikën e fundit të rendit të ditës, për caktimin e mbledhjes.

Në deklaratën për mediat, Vokshi njoftoi se ka mbledhur firmat e 7 deputetëve të opozitës dhe sipas rregullores, kanë të drejtë të thërrasë mbledhjen.

“Kemi firmosur të gjithë kolegët e opozitës për të thirrur mbledhjen e radhës të premten. Rregullorja përcakton se me ¼ e firmave të deputetëve thirret mbledhja e radhës. Rregullorja se ka lënë në dëshirën e apo vullnetin e mazhorancës. Mbledhja e radhës do zhvillohet të premten në 13:30”, tha Vokshi.

Në bllok deputetët e opozitës hodhën akuza se mazhoranca po përpiqet që të bllokojë punën e komisionit.

Albana Vokshi: Shkelin me të dyja këmbët, në mënyrë flagrante, Kushtetutën, shkelin rregulloren e Kuvendit. Nuk mjaftohen me kaq. Shkelin edhe ligjet antikushtetuese që i kanë miratuar vetë në mënyrë të njëanshme. Mbledhja e sotme bazohet në rregulloren e Kuvendit, neni 32, pika 2, që përcakton se është Kryetari i komisionit që njofton mbledhjen e radhës së komisionit. E kam njoftuar këtë mbledhje, e kam njoftuar në fund të mbledhjes së djeshme, pasi mazhoranca refuzoi që të shqyrtonte kërkesat për informacion, sepse mendojnë se kështu do ta mbajnë peng punën e komisionit, do ta pengojnë zbardhjen e dy prej aferave më të mëdha në shëndetësi, atë të Check up dhe të Sterilizimit.

Por, për një gjë i siguroj: ne, opozita, deputetët e opozitës, unë si kryetare, por edhe të gjithë kolegët e mi që janë këtu të pranishëm në këtë konferencë, i informojmë se jemi të vendosur, ne do t’i shkojmë deri në fund pavarësisht pengesave, pavarësisht trukeve, pavarësisht bojkotit, sepse është mazhoranca.. Keni parë mazhorancë që bojkoton?! Që bojkoton mbledhjet e komisioneve parlamentare?! Nuk ndodh në asnjë vend të botës. E keni këtu, rastin e vetëm unikal në botë. Mazhoranca që bojkoton mbledhjet e komisioneve hetimore që kanë përparësi ndaj komisioneve të tjera edhe të përhershme!!!

Ina Zhupa: Gjithë kjo zvarritje është me tendencë që 4 muaj ikin shpejt dhe të bëjnë ç’të jetë mundur që ne mos të zbardhim informacion në kohë, të vonohet thirrja e dëshmitarëve, të vonohet mbledhja e provave të reja. Ajo që ne deputetët e kemi shprehur që kur kemi marrë është një përgjegjësi për ti shkuar kësaj afere deri në fund. Kësaj do ti qëndrojmë duke zbatuar çdo hapësirë që na jep rregullorja e Kuvendit, duhet thënë që është dakordësuar që ne do zbatojmë rregullorja e Kuvendit. Nuk mund të na i heqin as Ndreca, as përfaqësuesit e tjerë.

Petrit Vasili: Sot është data 3 dhe këta kanë djegur plot 2 javë. Në vend se të kishin urgjencën më të madhe, ata që janë në akuzë penale, popullore dhe politike për të treguar nëse kishin ndonjë mundësi për tu shfajësuar. Dy javë rresht pengojnë me çdo mjet një element bazik. Mbledhja e sotme ishte miratimi i kërkesave për informacion, kjo gjë i tremb se informacioni i kërkuar nga opozita është një skaner i vërtetë i asaj se ca ka ndodhur. Po përpiqen të bllokojnë në mënyra të tjera. Këtu keni njoftimin e bërë dje për mbledhjen dhe s’ka pasur asnjë koment nga rilindasit dhe krejt papritur vetëm sot paradite në orën 10 të mëngjesit është komunikuar që këta bojkotojnë. Këto janë fakte, e zeza mbi të bardhë për të kuptuar se ca roli të neveritshëm luajnë këta. Regjia e vetme e tyre është të pengojnë.

Saimir Korreshi: Që dielli u pa që në mëngjes që nga miratimi i ligjit të ri që do pengohej puna e komisionit, nuk kishim pikë dyshimi. Këtyre u ka hyrë uji nga SPAK, nuk kanë interes ta vazhdojnë, prandaj gjysma kanë ardhur në konflikt interesi. Pa pikë turpi, çohet në 11 nga gjumi ka parë ndonjë ëndërr dhe tha nuk e kemi miratuar, ndërkohë që aty ishim gjithë.

Ora 14:32
Nuk shkuan në mbledhjen e Komisionit Hetimor të Shëndetësisë, Ndreca: Trishtim kur shoh opozitën të mblidhet sipas qejfit, s’pati vendim

1711363324_ndreca.jpg

Nënkryetari i Komisionit Hetimor për Shëndetësinë, Palrent Ndreca në një reagim në rrjetet sociale thotë se nuk pati vendimmarrje për mbledhjen .Ai thotë se ndihet i keqardhur kur sheh kolegët e opozitës të mblidhen sipas qejfit.

"Trishtim i madh kur sheh kolegët e opozitës që mblidhen sipas qejfit, në mosrespektim të plotë të rregullave bazike të një organi kolegjial. Çdo vendimmarrje është e Komisionit dhe jo e Kryetares se tij. Asnjë vendimmarrje apo dakortësi nuk ka nga komisioni për mbledhje sot, pavarësisht se dje e kishim në rend dite, por u refuzua të shqyrtohet nga Kryetarja. Njoftimet e njëanshme dhe të pavotuara apo dakortësuara në komision, janë vijim i kulturës së mosnjohjes së procedurave që i ka kthyer në parti “vulëhumbur”, që akoma, sot e kësaj dite, nuk po arrijnë ta gjejnë", shkruan Ndreca. 

 

 

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet, At Grigor Pelushi në Report Tv: Festa më e madhe e krishtërimit, në 24 dhjetor shërbesa e vigjiljes

Krishtlindjet, At Grigor Pelushi në Report Tv: Festa më e madhe e krishtërimit, në 24 dhjetor shërbesa e vigjiljes