“Gjatë kohës që ky person ka qenë në kërkim policor, nga organi i Prokurorisë nuk është vendosur masë sigurimi ndaj këtij shtetasi, ndaj dhe mbështetur edhe në Udhëzimin e Ministrit të Brendshëm nr. 56/1 datë 27.05.2013, “Për përdorimin e burimeve të informacionit, marrjen, administrimin, verifikimin dhe vlerësimin e të dhënave” nga Policia e Gjirokastrës në datë 27.05.2014, është bërë anullimi i kërkimit të këtij shtetasi për kalim të afatit policor”, bëri të ditur dje Ministria e Brendshme.
Sqarimi i Ministrisë
Lidhur me akuzat e ngritura nga Partia Demokratike se shtetasi Kostandin Xhuvani ka qenë person i shpallur në kërkim dhe Policia e Shtetit qëllimisht e ka lënë të lirë, Ministria e Punëve të Brendshme sqaron opinionin publik se, “në datë 25.04.2014, rreth orës 19:30, shërbimet e policisë së Komisariatit Gjirokastër janë njoftuar se pranë lokal “Lithiumit” në lagjen 18 Shtatori ka ndodhur një konflikt me armë ku një person ka qëlluar me pistoletë në ajër. Menjëherë policia ka shkuar në vendin e ngjarjes ku është bërë sigurimi i vendit të ngjarjes si dhe shoqërimi për në Komisariat i disa personave të pranishëm”.
Nga informacionet paraprake për këtë ngjarje, ishte mësuar se në brendësi te Bar-Lokal “Sweet” pranë stadiumit të qytetit kishte nisur një konflikt midis disa personave për shkak të një femre.
Për zbardhjen e kësaj ngjarjeje janë shoqëruar dhe janë pyetur në cilësinë e personave që kanë dijeni për veprën penale 11 persona. Sipas ministrisë, nga pyetja e dëshmitarëve në vendngjarje ka rezultuar se një konflikt ishte shkaktuar për shkak të dy vajzave, mes një grupi prej 3 të rinjsh dhe të tjetër që shoqërohej me vajzat. Djemtë pasi kishin dalë nga lokali kishin filluar të ofendoheshin me njëri-tjetrin dhe të shtyheshin me duar, por pa u goditur. Më pas, njëri prej tyre ka nxjerrë nga brezi një armë zjarri, të tipit pistoletë, me të cilën ka qëlluar tre herë në ajër dhe pas kësaj ai është larguar në drejtim të vendit ku qëndrojnë taksitë. Nga të shtënat u dëmtua xhami i një automjeti, por nuk ka pasur persona të dëmtuar.
Hetimi
Ministria e Brendshme ka bërë të ditur se, “nga informacionet e menjëhershme të marra në rrugë operative është mësuar se i dyshuar për këtë ngjarje ishte shtetasi Kostandin Xhuvani. Për dokumentimin e kësaj ngjarje bazuar dhe në nenet 171, 172 dhe 174 të Kodit të Procedurës Penale është proceduar duke siguruar e kqyrur nga Sistemi TIMS fotografitë si dhe të dhënat e këtij shtetasi të dyshuar”. Gjatë këtij hetimi, janë këqyrur dhe marrë edhe fotografitë e të dhënat e tre personave të tjerë, me ngjashmëri të përafërt me personin e dyshuar.
Fotografitë e marra janë përdorur për paraqitjen për njohje nga personat e pranishëm në vendngjarje. Gjatë hetimit, është bërë veprimi hetimor i paraqitjes për njohje me anë të fotografisë, dhe të tre personat e pranishëm në momentin e ngjarjes kanë identifikuar fotografinë e të njëjtit person, e cila i përkiste Kostandin Gjergj Xhuvani, i cili ka qënë personi që është konfliktuar me shtetasin Ergys Gashi si dhe ka qëlluar me armë zjarri në ajër. Po atë ditë është bërë shpallja në kërkim me kartelë me ngjyrë “rozë” e personit të dyshuar për këtë ngjarje, shtetasit Kostandin Gjergj Xhuvani.
Policia: Kishim 3 dëshmitarë Akuza: Ishte në psikiatri
Përplasja mes ministrisë së Brendshme dhe Prokurorisë së Përgjithshme lidhur me pushimin e akuzës së „Kanosjes“ ndaj Kostandin Xhuvanit në Gjirokastër, ka sjellë dhe reagimin e dikasterit të Adriatik Llallës. Sipas prokurorisë, pushimi i çështjes penale është bërë për shak se në spitalin Psikiatrik të Elbasanit është sekuestruar një kartelë mjekësore ku ditën e krimit,pra në 25 prill 2014 Kostandin Xhuvani,ka qënë i shtruar në spitalin psikiatrik ku ka marrë mjekim pasi kishte konsumuar shumë alkool.
Pavarësisht se nga ana policisë së Gjirokastrës janë marrë dëshmitë e 3 personave mes të cilëve dhe të dëmtuarit Ergys Gashi të cilët nëpërmjet fotografive kanë indetifikuar Xhuvanin si personin që qëlloi me armë, ata kanë ndryshuar qëndrimin e tyre në prokurori, duke pohuar se nuk e njihnin Kostandin Xhuvanin.
Për nevoja të hetimeve, u krye paraqitja për njohjen fizike të të dyshuarit Xhuvani nga shtetasi Ergys Gashi. Shtetasi Gashi deklaroi se nuk njihte asnjë nga personat e vendosur në radhë si autor i goditjes me armë ditën e ngjarjes, mes të cilëve ka qënë dhe vetë Kostandin Xhuvani. I pyetur si person ndaj të cilit zhvillohen hetime, shtetasi Kostandin Xhuvani, në prani të mbrojtësit të tij deklaroi se ditën e ngjarjes ai ka qenë në qytetin e Elbasanit dhe më pas ai ka shkuar në spital, pas konsumimit të një sasie alkooli.
Ai mohoi të kishte qenë në qytetin e Gjirokastrës dhe për më tepër të ishte autori i veprave për të cilat hetohej. Sipas prokurorisë nga tërësia e të dhënave të marra gjatë veprimeve hetimore të kryera,rezulton se nuk provohet kryerja e veprave penale të “kanosjes” parashikuar nga neni 84 i K.Penal dhe “prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve luftarake dhe municionit”. Në këtë përfundim arrihet pasi pavarësisht paraqitjes për njohje me anë të fotografive, të të dyshuarit, nuk rrëzohet alibia e pretenduar prej tij dhe e konfirmuar nga një akt publik i përpiluar nga punonjës shtetërorë gjatë ushtrimit të detyrës.
Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 6 Nëntor 2014
Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)