KORCË - Një 50-vjeçar u arrestua nga sektori i Krimit Ekonomik dhe Financiar në Policinë e Korçës, pasi dyshohet se tregtonte naftë kontrabandë. Policia njofton se 50-vjeçari me inicialet F.A, banues në fshatin Sovjan të Maliqit, u kap tek vendi që njihet si “Ish-karburanti i vjetër” në fshatin Sovjan, duke furnizuar me naftë një traktor, sasi e cila dyshohet të jetë kontrabandë.

Gjithashtu gjatë kontrollit të ushtruar në ambientet e brendshme si edhe përreth ish-karburantit të cilin 50-vjeçari e ka në administrim, iu gjet një sasi tjetër e konsiderueshme nafte e dyshuar kontrabandë e ndarë në bidona plastikë, e cila iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale.