Një 20-vjeçar është arrestuar nga Policia në Kamëz, pasi është kapur në automjetin e tij i veshur me uniformë dhe stema policore, të ngjashme me ato të Policisë së Shtetit. Ndërsa pas verifikimeve, rezultoi se 20-vjeçari nuk ishte punonjës i policisë.

Policia bën me dije se gjatë kontrollit në banesën e të riut, u gjetën 4 dokumente identifikimi me emra dhe fotografi të dyshuara të falsifikuara, një armë sportive, uniformë policie, 16 stema dhe grada të ndryshme si dhe tre kapele me shenja të ngjashme me ato të Policisë së Shtetit.

Po ashtu policia thekson se punon për dokumentimin e plotë të ngjarjes.

Shërbimet e patrullës së Komisariatit të Policisë Nr. 5, gjatë kontrolleve të ushtruara në kuadër të goditjes së paligjshmërisë në çdo fushë që shfaqet, në bulevardin “Nënë Tereza”, kanë konstatuar automjetin tip “Mercedes-Benz”, me drejtues shtetasin E. B, i cili ishte i veshur me uniformë dhe stema policore, të ngjashme me ato të Policisë së Shtetit.

Pas ndalimit të mjetit dhe verifikimit të mëtejshëm, rezultoi se drejtuesi, shtetasi E. B, nuk ishte punonjës policie.

Në vijim, gjatë kontrollit në banesën e tij, gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale:

            •          4 dokumente identifikimi me emra dhe fotografi të dyshuara të falsifikuara;

            •          1 armë sportive të llojit pistoletë me 2 krehra përkatës;

            •          uniformë e Policisë së Shtetit;

            •          16 stema dhe grada të ndryshme;

            •          3 kapele me shenja të ngjashme me ato të Policisë së Shtetit.

Vijon puna për dokumentimin e plotë të rastit dhe verifikimin nëse 20-vjeçari mund të jetë i implikuar në veprimtari të tjera të kundërligjshme, që lidhen me përfitime përmes përdorimit të pajisjeve dhe uniformave policore.

Në përfundim të veprimeve të para hetimore, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit E. B, 20 vjeç, banues në Kamëz, dhe materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftimin e policisë.