Mbështetja e BE-së për rritjen e sigurisë, Çela: Prokuroria ka nevojë për Oficerë të Policisë Gjyqësore të specializuar për krimin financiar

Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela në fjalën e tij në prezantimin e programit të ‘EU4LEA’ të financuar nga BE për rritjen e sigurisë, u shpreh se nisja e këtij projekti vjen në një moment të rëndësishëm të implementimit të Reformës në Drejtësi.

Çela u ndal ashtu në nevojën që prokuroria ka në drejtim të zgjerimit të kapaciteteve profesionale të oficerëve të policisë gjyqësore.

Në veçanti tha Çela, së pari ata që janë pjesë e seksioneve të specializuara për krimin financiar dhe pastrimin e produkteve të veprës penale, por edhe të oficerëve që sapo kanë hyrë në sistem, të cilët kanë nevojë për trajnime të vazhdueshme e të gjithanshme për rritjen e nivelit të tyre profesional.

‘Nisja e punës së projektit vjen në një moment të rëndësishëm të implementimit të reformës në drejtësi, atij të konsolidimit të institucioneve të reja apo të atyre të rikonceptuara prej saj. Nga ana e Prokurorisë së Përgjithshme, në përmbushje të detyrimeve të saj kushtetuese dhe ligjore, janë ndjekur hap pas hapi çështjet që lidhen me zbatimin e ligjeve të reja, duke  synuar që tërësia e problemeve të hasura të trajtohet përmes një angazhimi shumëplanësh, që ka konsistuar në dhënien e kontributit konkret në drejtim të koordinimit institucional, në rritjen e transparencës ndaj publikut për mënyrën e funksionimit të institucionit si dhe bashkërendimin me organet e tjera kushtetuese për gjetjen e zgjidhjeve ligjore në funksion të interesit publik. Në vitin 2020 nga ana jonë u parashtrua vizioni strategjik për realizimin e disa objektivave  që konsistonin në:

Sigurimin e mirëfunksionimit të zyrave të prokurorisë, përmes monitorimit të punës në drejtim të zbatimit të ligjshmërisë, garantimit të respektimit të pavarësisë së prokurorëve dhe rritjes së përgjegjshmërisë e respektimit të të drejtave të subjekteve të procedimit penal

Standartizimin e procedurave të operimit në pikëpamje administrative dhe procedurale brenda zyrave të prokurorisë në funksion të organizimit të ri kushtetues dhe ligjor, me qëllim funksionimin normal të tyre,

Garantimin e zbatimit të ligjshmërisë, duke vënë theksin në rritjen e efiçensës së ndjekjes penale në drejtim të veprave penale që lidhen pastrimin e produkteve të veprës penale dhe konfiskimin e aseteve kriminale

Mirëadministrimin e procesit të hetimit, që nga faza e regjistrimit të veprës penale dhe deri në zgjidhjen përfundimtare të çështjes, me qëllim uljen e kohëzgjatjes së hetimeve dhe optimizimin e produktivitetit

Që në nisje procesi i realizimit të tyre është mbështetur në vazhdimësi nga misionet Euralius dhe Pameca, çka përbën një eksperiencë të vyer mbi të cilën besoj se do ndërtohet edhe puna për vijimin e bashkëpunimit me projektin EU4LEA. Këto objektiva përputhen më së miri edhe me ato të projektit të saponisur.

Në vijim dua të ndalem më specifikisht në nevojën që prokuroria ka në drejtim të zgjerimit të kapaciteteve profesionale të oficerëve të policisë gjyqësore, ku do të veçoja së pari ata që janë pjesë e seksioneve të specializuara për krimin financiar dhe pastrimin e produkteve të veprës penale, por edhe të oficerëve që sapo kanë hyrë në sistem, të cilët kanë nevojë për trajnime të vazhdueshme e të gjithanshme për rritjen e nivelit të tyre profesional.

Një aspekt tjetër i bashkëpunimit do të ishte padyshim edhe forcimi i kapaciteteve të prokurorëve dhe oficerëve të policisë gjyqësore të drejtim të rritjes së efikasitetit në hetimin e krimeve mjedisore, që është edhe një nga prioritetet e punës së këtij viti.

Për ne mbetet ende sfidë rritja në tërësi e efiçensës së punës së oficerëve të policisë gjyqësore si një element themelor në cilësinë hetimit. Përmirësimi formave të mbikqyrjes së punës së tyre dhe gjetja e mekanizmave administrativë efikasë për rritjen e performancës është prioritet dhe besoj se do të gjejmë mbështetje të plotë nga projekti në këtë aspekt.

Në përfundim, plotësisht i bindur në  suksesin e projektit,  dua t’ju siguroj për angazhimin e plotë të prokurorisë, në funksion të krijimit të sinergjisë së duhur për realizimin e objektivit të përbashkët, atij të përafrimit të performancës së institucioneve tona  me standardet më të mira në BE.’- u shpreh Çela.


Lajmi kryesor:

Çelja e bisedimeve/ Ambasadorja e BE-së në Tiranë rendit kushtet: Priten më shumë rezultate në fushën kundër pastrimit të parave


M.Q./KT/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Champions League/ Liverpool mposht 2-0 Real Madridin, Mbappe dhe Salah humbasin penallti! Juve tre ndeshje pa fitore, tri pikë për Dortmund e Lille

Champions League/ Liverpool mposht 2-0 Real Madridin, Mbappe dhe Salah humbasin penallti! Juve tre ndeshje pa fitore, tri pikë për Dortmund e Lille