Të tre ngrenë lart vlerat e liderit të PS si drejtues i një partie që do të rilindë vendin pas `90, ku vetë Rama konsiderohet nga ata si kryeministër i ardhshëm. I nevojshëm dhe i çmuar për shqiptarët konsiderohet Edi Rama nga ata. “Nga ajo që kam njohur nga Edi Rama, ky njeri ka diçka të çmuar dhe një ideal në vetvete që më duket jashtëzakonisht i nevojshëm dhe i çmuar për shqiptarët”, shprehet Papavrami në mesazhin e tij në një spot për të majtën shqiptare.
“Unë do të vij në datën 23 në Tiranë, pasi dua të votoj, të votoj për Edi Ramën, të votoj për Rilindjen, për një Rilindje të vlerave. Duke votuar Edi Ramën, për ekipin e tij dhe të gjithë së bashku do të përshpejtojmë ritmin e hapave për atdheun që të gjithë aspirojmë”, është mesazhi i Anri Salës. Ndërkohë që dhe tenori Agim Hushi, nëpërmjet programit të Rilindjes shprehet krenar që është pjesë e një ëndrre që po rilind pas viteve `90.
“Unë nuk jam anëtar i një partie, po jam rilindas. Jam pjesë e asaj ëndrre të bukur që po rilind pas `90, Rilindjes së madhe. I uroj zotit Rama të jetë Kryeministri i Rilindjes Shqiptare!”, shprehet tenori në mesazhin e tij. Në mesazhin e tyre që zgjatë rreth 2 minuta, emrat e njohur të artit shqiptar e shikojnë liderin e së majtës si kryeministrin e ardhshëm që do të rilindë vendin me programin e tij.
Gjithësesi nuk janë vetëm këta emrat me famë botërore, por edhe artistë shqiptar në vend e shikojnë si një mundësi ndryshimi të vendit me programin e të majtëve. Në të njëjtën kohë nuk mungojnë as intelektualët në vend që kanë dalë hapur në mbështetjen e Rilindjes Kombëtare, madje dhe që e kanë mbështetur edhe në takimet me Këndin e Fjalës që ndërmorri kreu i PS gjatë kësaj fushate zgjedhore.
MBËSHTETJA E SONDAZHEVE
Nëse zgjedhjet parlamentare do të mbaheshin para 23 qershorit, Partia Socialiste do të merrte 41.2% të votave, Partia Demokratike 30.1% ndërsa Aleanca Kuqezi 14.9%. Ky është rezultati që del nga sondazhi i organizuar nga fondacionit "Kult" me qendër në Tetovë. Sipas sondazhit të “Kult”, Lëvizja Socialiste për Integrim do të dalë parti e katërt me 4.1% ndërsa Fryma e Re Demokratike vjen pas saj me 3.9%.
Partitë e tjera pritet të marrin 1.6% kurse 4.2% e të intervistuarve nuk kanë treguar se për cilën parti do të votojnë më 23 qershor. Ndërkohë që një tjetër sondazh nga Instituti Italian “Piepoli” parashikon fitues koalicionin e majtë me 49 %, krahasuar me koalicionin e djathtë në 40%.
Gjatë muajit prill të këtij viti, Instituti “Piepoli”, një kompani lider në Itali për furnizimin e publikut dhe tregut me studime të ndryshme, ka intervistuar 1651 qytetarë shqiptarë në të gjithë vendin, rezultatet e të cilit janë publikuar nga televizioni "Vizion Plus". Edhe IPR Marketing ka nxjerrë fitues koalicion e majtë me 51 % të votave dhe ai i djathtë, 45 për qind.
RAMA MBËSHTETET NGA QEVERITË EUROPIANE
Lideri i së majtës, një mbështetje të madhe ka marrë dha nga krerët e qeverive në vendet europiane. Pëmenden takime të rëndësishme dhe mbështetje nga Mbretëria e Danimarkës,ku në një tur europian që ndërmorri kreu i PS për të fituar mbështetjen e qeverive europiane, u takua me kryeministren Helle Thorning-Schmidt.
Po ashtu takime ka patur edhe me krerët të qeverisë së Austrisë, Sllovenisë, Bullgarisë. Rama ka marrë mbëshetje për programin edhe nga ish kryeminsitri britanik Toni Bler si dhe nga kryeministri turk Tahip Erdogan. Më herët ai është takuar dhe me kryeministrin rumun Viktor Ponta. Ata njëzëri kanë mbështetur ardhjen e Ramës në pushtet.
Por njëkohësisht një mbështetje të madhe e ka marrë dhe nga stafi i presidentit francez Fransua Hollande, ku ai përmes një letre dërguar PS-së së Tiranës ka uruar kryesocialistin Edi Rama për zhvillimin me sukses të Konventës kombëtare të programit.
Në këtë letër Sekretari për Evropën, Christopher Cambadelis thekson se kjo konferencë është një arritje tepër e rëndësishme përpara zgjedhjeve të ardhshme legjislative të Qershorit 2013. Kreu i Partisë Socialiste ka marrë mbështetje edhe nga Presidenti i Grupit Socialist dhe Demokrat në Parlamentin Europian, Hannes Swoboda.
(Foto: Tedi Papavrami, Agim Hushi, Anri Sala)
Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 19.06.2013
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)