Shkon në dy numri i viktimave nga atentati i rëndë i ndodhur paraditen e së hënës në qytetin e Fierit. Jakup Hasani, i cili mbeti i plagosur rëndë gjatë atentatit ku u ekzekutua xhaxhai i tij, Selami Hasani, ka humbur jetën në spital. Deri më tani janë shoqëruar dhe pyetur në polici 16 persona.

47-vjeçari iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale në Spitalin Rajonal të Fierit, pasi mori 3 plumba në trup, prej të cilëve 2 në bark e 1 në nofull. Pas operacionit, ai u dërgua në repartin e reanimacionit, ku ndodhej nën kujdesin e vazhdueshëm të mjekëve. Xhaxha e nip do të përcillen sot në orën 14:00 në banesën e fundit.

Ngjarja e rëndë ndodhi në lagjen “1 Maji” të Fierit, ku persona të armatosur hapën zjarr në drejtim të tij dhe nipit të tij në oborrin e banesës së Selami Hasanit, i njohur edhe si “Sel Çami”, e cila ishte një vilë me mure të larta dhe kamera sigurie.

Autorët dyshohet të jenë larguar në drejtim të Vlorës, pasi një 'Volvo" e vjedhur u gjet në flakë tek rrethrrotullimi i Pojanit, në autostradën Fier–Vlorë. Brenda saj ishin edhe 2 armë, njëra prej tyre me silenciator. Në kamerat e sigurisë dallohen dy persona, të maskuar me kapuça të zinj në kokë dhe rroba të zeza, pranë banesës së Selami Hasanit.

60-vjeçari që njihet edhe si "Seli i Malit", ishte me precedentë të mëparshëm kriminal dhe prej 3 dekadash në hasmëri me Arben Isufajn, i njohur si "Ben Qimja", të cilit i kishte vrarë nipin në vitin 2002, Julian Isufaj. Në këtë ngjarje mbeti i vrarë edhe një kambist si dhe u plagos një kalimtar. Hasani u dënua me 25 vite burg, nga i cili kishte dalë në vitin 2022.

Pikërisht hakmarrja është edhe njëra prej pistave që po hetohet. "Ben Qimja" ndodhet në kërkim pasi i është caktuar masa e arrestit në burg për kanosjen e gjyqtarit Vladimir Cjapi dhe armëmbajtje pa leje. 

Njoftimi i policisë:

Në vijim të informacionit paraprak të dhënë ditën e djeshme, për ngjarjen e ndodhur në lagjen “1 Maji”, Fier, ku mbeti i vrarë me armë zjarri shtetasi S. H. dhe u plagos shtetasi J. H., 47 vjeç, bëjmë me dije se shtetasi J. H, ka ndërruar jetë gjatë natës në spital.

Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë vijon intensivisht veprimet për zbardhjen e rrethanave, identifikimin dhe kapjen e autorit/autorëve.