Një ditë pasi denoncoi publikisht grumbullimin e mbetjeve në Hysgjokaj të Lushnjës, deputeti i Partisë Demokratike, Saimir Korreshi, publikoi pamje të reja nga e njëjta zonë, këtë herë të përfshirë nga flakët dhe tymi i dendur. Sipas Korreshit, mbetjet që ai filmoi një ditë më parë janë djegur me qëllim, në një përpjekje për të fshehur ndotjen e krijuar prej kohësh në zonë.

“Sot, mbasi e kanë parë videon e denoncimit të plehrave të Lushnjës, i kanë vënë flakën. Shiko çfarë situate dhe çfarë batërdije, ku të gjithë njerëzit paguajnë taksa për pastrim, taksa për gjelbërim, taksa për të gjitha të tjerat. E taksat e lushnjarëve janë vetëm një fije shkrepëse. Përkthehen një fije shkrepëse, për t'i vënë zjarrin, për të ndotur gjithë këtë ambient dhe mund të marri gjithë ky pyll që është këtu, mund të marri flakë. ”, deklaroi ai në videon e publikuar nga Hysgjokaj.

Deputeti i PD e cilësoi situatën një “masakër mjedisore”, duke paralajmëruar për rrezikun që djegia e mbetjeve paraqet për banorët dhe për zonën pyjore pranë vendgrumbullimit. Në video, ai shfaq vendin ku sipas tij hidhen prej kohësh mbetjet e Lushnjës dhe ku ndërhynë edhe zjarrfikëset për të neutralizuar flakët dhe akuzon qeverinë për papërgjegjshmëri. 

“ Këtu mund të rrezikohet i gjithë ky pyllëzim, gjithë kjo bukuri natyrore, të shkrumbohej vetëm nga papërgjegjshmëria e atyre që, ato plehrat që ne treguam dje, donin t'i pastronin me zjarr dhe jo t'i pastronin ashtu siç paguajnë taksat çdo qytetar lushnjar. Ky është krim mjedisor i bërë sot. Gjithë ai pluhur, gjithë ai kancerogjen, ku shkon? Në mushkëritë e të gjithë lushnjarëve. Në vend që të shërbejë kjo për bukuri natyrore për ajër, për të pastruar si mushkëri për gjithë Lushnjen, shërben sot si varrezë e djegies së plehrave", u shpreh Korreshi.

Sipas deputetit demokrat, djegia e mbetjeve nuk është zgjidhje, por një tjetër formë ndotjeje që rrezikon mjedisin dhe shëndetin e banorëve të Lushnjës dhe Shqipërisë.