Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish për ligjin e importit të mbetjeve urbane në Shqipëri, i miratuar të enjten në Kuvend, mes protestave të Shoqërisë Civile. Nga faqja e tij zyrtare në Facebook, kreu i qeverisë sqaron se nuk i ka tradhtuar shqiptarët, pasi ligji i ri i miratuar nga mazhoranca ndalon importin e plehrave të rrezikshme, si ato për djegie dhe groposje. 

Rama thekson se njerëzit po i manipulojnë sharlatanë të politikës, për t'i përdorur kundër qeverisë.

"Çfarë po u thuhet sot njerëzve nga sharlatanët politikë e mediatikë, për ligjin e ri të mbetjeve, është një shpifje që synon t'u fusë frikën dhe t'i përdorë kundër qeverisë! Ne nuk i kemi tradhtuar shqiptarët kur ndaluam importin e plehrave nga jashtë; nuk i kemi tradhtuar kur kaluam ligjin e ri që s'ka të bëjë gjëkundi me lejimin e importit për plehra që digjen apo groposen në Shqipëri; nuk do t'i tradhtojmë kurrë për asnjë interes që bie ndesh me interesin e tyre e të fëmijëve tanë!", shkruan Rama. 

Ai shton se qeveria ndoqi praktikën ligjore të Bashkimit Europian, me synim rregullimin e industrisë së riciklimit. 

"Ligji i ri është vetëm normalizimi i jetës për industrinë e lehtë të riciklimit, 100% sipas legjislacionit të gjelbër të BE-së, e cila blen mbetje letre, plastike, alumini apo druri dhe i kthen në lëndë të parë për prodhimin e ambalazheve, shisheve plastike, kanaçeve të aluminit apo material bio për ngrohje (pelet)", shkruan Rama në Facebook. 

Reagimi i plotë i Kryeministrit:
"Çfarë po u thuhet sot njerëzve nga sharlatanët politikë e mediatikë, për ligjin e ri të mbetjeve, është një shpifje që synon t'u fusë frikën dhe t'i përdorë kundër qeverisë! Ne nuk i kemi tradhtuar shqiptarët kur ndaluam importin e plehrave nga jashtë; nuk i kemi tradhtuar kur kaluam ligjin e ri që s'ka të bëjë gjëkundi me lejimin e importit për plehra që digjen apo groposen në Shqipëri; nuk do t'i tradhtojmë kurrë për asnjë interes që bie ndesh me interesin e tyre e të fëmijëve tanë!

Ligji i ri është vetëm normalizimi i jetës për industrinë e lehtë të riciklimit, 100% sipas legjislacionit të gjelbër të BE-së, e cila blen mbetje letre, plastike, alumini apo druri dhe i kthen në lëndë të parë për prodhimin e ambalazheve, shisheve plastike, kanaçeve të aluminit apo material bio për ngrohje (pelet).
 
Ishim vendi i vetëm në Europë pa këtë ligj dhe sot jemi thjesht një vend si të tjerët, në rajonin tonë apo në Bashkimin Europian".


mbetjet
(Efektet e ligjit, nuk lejohen mbetjet për djegie dhe groposje)



Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com