TIRANË-Amendimet e Ligjit për importin e integruar të Mbetjeve janë të miradoptuara dhe të përshtatshme për Shqipërinë. Kjo ka qenë përgjigja e Bashkimit Europian që u bë e ditur sot nga Eduart Shalësi.

Ligji për Mbetjet u miratua mes polemikave të ashpra dhe u dërgua nga Presidenti për rishqyrtim në parlament, ndërkohë që qeveria e dërgoi për opinion në Bashkimin Europian.

Sot në Komisionin e Veprimtarisë Prodhuese, kreu i këtij komisioni, Eduart Shalsi, tha se, tashmë ka mbërritur përgjigja nga delegacioni europian, sipas së cilës, ligji i ri është i përshtatshëm për kushtet e Shqipërisë.

"Meqënëse ka ardhur një letër nga Bashkimi Evropian në lidhje me kërkesën që unë personalisht i kisha dërguar Delegacionit Evropian përmes Ministrisë së Integrimit, në lidhje me amendimet që i kemi bërë ligjit të mbetjeve", tha Shalsi duke lexuar përgjigjen e BE. 

Përgjigjia e BE
“Duke vlerësuar situatën specifike të Shqipërisë në fushën e menaxhimit të mbetjeve, dhe mungesës së infrastrukturës së përshtatshme për menaxhimin e mbetjeve në vend, ne besojmë se amendimet në ligjin për menaxhimin e integruar të mbetjeve, janë të miradoptuara dhe të përshtatshme për Shqipërinë në këtë moment”.