Policia e Elbasanit ka arrestuar 2 vëllezër të cilët mbanin lëndë narkotike dhe armë në automjet dhe në banesën e tyre. Arrestimi i tyre është bërë pas një hetimi intensiv. Në banesën e tyre u zbulua sasia prej 33.5 kg lëndë narkotike kanabis.
Në pranga kanë rënë shtetasit, Sadush Ismailaj 36 vjeç dhe Endrit Ismailaj 33 vjeç (vëllezër), banues në fshatin Trebel, Skrapar. Ndaj tyre rëndon akuza për veprën penale "Prodhimi dhe shitja e narkotikëve", kryer në bashkëpunim.
Gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin me të cilin lëviznin këta 2 shtetas dhe në banesën e tyre, u gjetën dhe sekuestruan në total, rreth 33.5 kg lëndë narkotike kanabis. Gjithashtu, të arrestuarve iu gjetën dhe iu sekuestruan automjeti me të cilin transportonin lëndë narkotike, një pjesë arme zjarri, municion luftarak dhe aparatet celulare.
Në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.