Juristi: Ka pak shanse të pranohet për shqyrtim padia e Berishës ndaj Antony Blinken

Juristi: Ka pak shanse të pranohet për shqyrtim padia e Berishës ndaj Antony Blinken

Në të Drejtën Ndërkombëtare Private, parimi bazë për përcaktimin e ligjit të vendit në rastet e shkeljeve ligjore duke përfshirë shpifjen bazohet në parimin ‘lex loci delicti’(ligji i vendit ku ka ndodhur shkelja) dhe/ose ‘lex domicile’ (ligji i vendit të vendbanimit ose qëndrimit të zakonshëm të të pandehurit ose të paditurit). Në rastin e Sali Berishës, përfshihet edhe pretendimi që shkelja është bërë edhe nëpërmjet internetit ose në Twitter.

Çfarë nënkupton zbatimin e qasjes së ashtuquajtur “mozaikë” (mosaic approach) duke nënkuptuar atë që sipas praktikës së Gjykatës së Drejtësisë të Bashkimit Evropian, (GJDBE), padia mund të ngrihet në çdo vend ku ndodhet qendra e interesit të paditësit duke nënkuptuar që ky vend nuk korrespondon domosdoshmërish me vendin e banimit ose qëndrimit të zakonshëm duke lejuar zgjedhjes e forumit ose gjykatës në një qasje shumë më të lirë. Gjithsesi, sipas Gjykatës Evropiane të Drejtave të Njeriut, në lidhje me situatat e shpifjes sidomos asaj të bërë online, duhet të ekzistojë një lidhje e fortë midis faktit juridik të shkeljes dhe shtetit gjykatën e të cilit zgjedh paditësi ose i dëmtuari akuzues.

Ndërkohë çështja e njohjes dhe zbatimit të vendimeve të gjykatave të huaja në çështjet civile dhe tregtare rregullohet nga Konventa për Njohjen dhe Zbatimin e Vendimeve të Gjykatave të Huaja në Çështjet Civile dhe Tregtare e vitit e datës 1 shkurt 1971 ku bën pjesë edhe Shqipëria dhe SHBA. Shqipëria ka aderuar në vitin 2009 dhe neni 10 i kësaj konvente është e vetmja bazë që mund t’i jap juridiksion një gjykate franceze sikurse në rastin e Sali Berishës. Neni 10 i kësaj konvente parashikon si vijon:

Neni 10

Gjykata e shtetit të origjinës do të cilësohet të ketë juridiksion për qëllime të kësaj Konvente:

1. Nëse i pandehuri, në kohën kur kanë filluar procedimet, kishte banesën e tij të përhershme në shtetin e origjinës ose, nëse i pandehuri nuk është person fizik, kishte pasur rezidencën e tij, vendin e tij të korporatës ose vendin e tij kryesor të biznesit në atë shtet;

2. Nëse i pandehuri, në kohën kur kanë filluar procedimet, kishte në shtetin e origjinës një firmë tregtare, industriale ose ndonjë biznes tjetër apo një zyrë lokale dhe ishte thirrur aty në procedimet që kanë lindur nga biznesi i kryer nga kjo firmë ose zyrë lokale;

3. Nëse padia kishte si objekt të saj vendosjen e një çështjeje në lidhje me pasurinë e paluajtshme të ndodhur në shtetin e origjinës;

4. Në rastin e dëmeve ndaj personit ose ndaj pasurisë së luajtshme, nëse faktet që shkaktuan dëmin kanë ndodhur në territorin e shtetit të origjinës dhe nëse autori i dëmit të shkaktuar ishte i pranishëm në atë territor në kohën kur kanë ndodhur ato fakte;

5. Nëse me anë të një marrëveshjeje me shkrim ose me anë të një marrëveshjeje verbale të konfirmuar me shkrim brenda një kohe të arsyeshme, palët kanë rënë dakord për t’i paraqitur juridiksionit të gjykatës së origjinës mosmarrëveshjet që kanë lindur ose që mund të lindin në lidhje me një marrëdhënie specifike të ligjshme, për sa kohë që ligji i shtetit të adresuar nuk do të lejonte këtë marrëveshje për shkak të thelbit të mosmarrëveshjes;

6. Megjithatë, nëse i pandehuri ka argumentuar themelin, pa sfiduar juridiksionin e gjykatës ose duke bërë rezerva në lidhje me të; ky juridiksion nuk do të njihet nëse i pandehuri ka argumentuar themelin me qëllim që të rezistojë ndaj konfiskimit të pasurisë ose të sigurojë lirimin e tij apo nëse njohja e këtij juridiksioni do të ishte në kundërshtim me ligjin e shtetit dërgues për shkak të thelbit të mosmarrëveshjes;

7. Nëse personi kundër të cilit kërkohet njohja ose zbatimi, ishte palë paditëse në procedimet në gjykatën e origjinës dhe nuk kishte sukses në ato procedime, përveçse kur njohja e këtij juridiksioni do të ishte në kundërshtim me ligjin e shtetit të adresuar për shkak të thelbit të mosmarrëveshjes.

Pa u plotësuar një nga këto kushte nuk do të ishte e mundur njohja e vendimit. Gjithsesi, përcaktimin nëse ka juridiksion apo jo e bën vetë gjykata të cilës i paraqitet çështja dhe praktika brenda BE-së ka mbajtur qëndrimin për një interpretim të zgjedhur të juridiksionit. Nga ana tjetër, një vendim i cili jepet nuk do të thotë domosdoshmërish se njihet në një vend pasi një gjë të tillë do ta bëjnë gjykatat e vendit ku do të njihet dhe zbatohet, por besoj që në raste të tilla nuk ka shumë rëndësi fakti nëse zbatohet apo jo, më shumë sesa vërtetimin ose jo i një apo disa fakteve për qëllime morale.

Pra në rastin e Sali Berishës avokati i tij mund të përdorë vetëm qasjen e ashtuquajtur ‘Mozaike’ ose parimin që padia mund të ngrihet në çdo vend ku ndodhet qendra e interesit të paditësit duke nënkuptuar që ky vend nuk korrespondon domosdoshmërish me vendin e banimit ose qëndrimit të zakonshëm duke lejuar zgjedhjes e forumit ose gjykatës në një qasje shumë më të lirë. Pra Franca ose Parisi do te cilësohet si qendra e interesit për paditësin Sali Berisha.

Sa shanse ka të pranohet për shqyrtim padia e Berishës? Mendimi im është që ka pak shanse të pranohet, së pari për shkak të problemit të juridiksionit dhe së dyti për shkak të faktit që Sekretari i Shtetit ka vepruar në emër të SHBA-ve të cilat kanë imunitet nga gjykatat e vendeve të huaja. Gjithsesi, ky rast do jetë një rast që do të sfidojë parimet e deritanishme të së Drejtës Ndërkombëtare Private.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Rusia anashkalon sanksionet perëndimore, fillon përdorimin e Bitcoin në tregtinë ndërkombëtare

Rusia anashkalon sanksionet perëndimore, fillon përdorimin e Bitcoin në tregtinë ndërkombëtare