Mbifaturimet, Paloka: U anulluan
nga presioni i PD, Rama: Vajmedet!

Mbifaturimet, Paloka: U anulluan<br />nga presioni i PD, Rama: Vajmedet!
Kryeministri Edi Rama dhe kreu i Grupit Parlamentar të PD-­së, Edi Paloka janë përplasur në distancë sa i përket anullimit të mbifaturimeve të faturave të energjisë. Paloka e cilësoi këtë vendim të qeverisë si një fitore të PD-së, pasi kjo e fundit sipas tij ishte në ball të protestave të qytetarëve për energjinë. Edi Paloka shprehu qëndrimin se problemi i faturave të padrejta, abuzive, problemi i mbifaturimit është shumë herë më i madh nga sa flitet, ndërsa akuzoi kryeministrin Rama se ka rritur çmimin e energjisë. 

Por në një status në rrjetin social Twitter, kryeministri Rama shkruan se PD ishte në pushtet në vitin 2010 dhe nuk i anulloi këto fatura. "Janë të paparë! Anullimi i faturave skandaloze të vitit 2010 paska qënë kërkesa e këtyre! Po këta ku ishin në 2010-ën?!  Vajmedet PD vajmedet!
 
edi rama twitter


PD: Pezullimi i faturave, kërkesë e qytetarëve dhe e opozitës‏
Por Partia Demokratike thotë se problemi i faturave të padrejta, abuzive, problemi i mbifaturimit është shumë herë më i madh. Në një deklaratë për media, kreu i grupit parlamentar të PD-­së, Edi Paloka, akuzoi Ramën për një falje të detyruar nga revolta e protestës dhe pakënaqësia e shqiptarëve. Fjala e plotë e Edi Palokës
 


Sipas tij, shqiptarët me opozitën në krye nuk kanë për t’u ndalur derisa kauza e tyre e drejtë të shkojë në vend që do të thotë falje të kamatvonesave mbi faturimet abusive; shqyrtim i menjëhershëm i të gjithë ankesave të qytetarëve; ulje e cmimit të energjisë me reduktimin e TVSH­së, me 14 përqind, sic pati premtuar vetë kryeministri.
 
Paloka tha se këto kërkesa të qarta e të drejta erdhën nga protesta masive e 22 nëntorit. Kreu i grupit parlamentar të PD-­së theksoi më tej se në pikun e fatkeqësisë natyrore, kreu aferën e shitjes së energjisë nga kesh dhe blerjes së po kësaj energjie, dy herë me shtrenjtë nga OSHEE, vetëm që të përfitonin klani i tij bashkë me të, të paktën 4 milionë euro.

Rama: Anullohen, nuk falen faturat energjisë elektrike të 53.900 abonentëve me mbifaturim
Kryeministri Edi Rama është detyruar më herët të theksojë sot se nuk janë falur por anulluar faturat e energjisë elektrike të 53 mijë e 900 abonentë me mbifaturim.  Gjatë një takimi me sipërmarësit shqiptarë, Rama deklaroi se kjo masë është marrë pasi shteti në ndryshim nga më parë i njeh borxhet biznesit. Sipas tij  pasi janë bërë verifikimet OSHEE njeh detyrimin e vetë ndaj 53 mijë e 900 konsumatorëve, në masën e 41.1 miliardë lekëve, ose 41.1 milionë dollarëve. “Dje OSHEE ka marrë vendimin për të anulluar, jo për të falur të gjitha faturat. Është një e drejtë që i njihet konsumatorit, kjo është bërë pasi ne i kemi njohur borxhet biznesit”, deklaroi shefi i qeverisë.
 
Çela: Vendimi është marrë që në 2010, por nuk është zbatuar 
Administratori i OSHEE-së, Adrian Çela në një dalje për mediat ka sqaruar vendimin për të hequr nga listat 54 mijë abonentë, që ishin faturuar në mënyrë abuzive, dhe që i kanë apelur këto fatura. Çela sqaroi se ky vendim është marrë nga ERE që në vitin 2010 dhe 2011, por nuk është zbatuar nga askush. Më pas kreu i OSHEE, hodhi poshtë akuzat e PD për blerje të energjisë me çmim të lartë, duke theksuar se po ta krahasosh me blerjet e një apo dy viteve më parë, OSHEE ka kursyer 22 milion euro.



Deklarata e plotë e kreut të OSHEE, Adrian Çela
Jam sot para jush, për të qartësuar një vendim të fundit të OSHEE-së që i jep fund padrejtësisë ndaj abonenteve në lidhje me mbifaturimet.Bëhet fjalë për respektimin e një vendimi të ndërmarrë nga ERE në vitin 2010, e theksoj, në vitin 2010, por që nuk u zbatua kurrë, deri në ditët e sotme, ku OSHEE ka marrë zotimin të dëshmojë se kur bëhet fjalë të drejtat e konsumatorit, ne jemi gjithmonë në krah të tyre.Janë afro 54 mijë raste faturash me emërtim “dëm ekonomik” dhe “energji e pamatur”, të shtrira nga tetori i vitit 2008, deri në prill 2011, me vlerë rreth 4.1 miliardë lekë.Ky model faturimi është rrëzuar poshtë nga ERE në nëntor 2010, duke i kërkuar operatorit të shpërndarjes të marrë masat.Fatkeqësisht, ndonëse vendimi për të vënë drejtësi për të gjithë këta konsumatorë është marrë 5 vjet më parë, deri më sot nuk ishte ndërmarrë asnjë hap për t'u dhënë abonentëve të drejtën që u takon me ligj.Sot, OSHEE po bën drejtësi. Po zbaton një vendim që i jep të drejtë konsumatorëve të cilët ndër vite kanë apeluar raste abuzive të faturimit të energjisë elektrike.Ky vendim i OSHEE nuk është falje detyrimi ndaj askujt. Absolutisht jo. Është vendosje e drejtësisë në vend.Ne çlirojmë nga detyrime të pasakta ata konsumatorë që nuk i kanë paguar këto fatura abuzuese, por i kanë apeluar rastet abuzive të faturimit dhe që sot rezultojnë të kenë patur të drejtë.
OSHEE do të vazhdojë të mbledhë me rreptësi detyrimet e të gjithë atyre që konsumojnë energji.Por, do të jemi të kujdesshëm për të qenë të drejtë me konsumatorët.Ashtu siç OSHEE kërkon të respektohet kontrata dhe detyrimi i abonentit për të paguar faturën, po ashtu angazhohemi të zbatojmë një për një të drejtën që i takon konsumatorit kur konstatohen raste të abuzimit me faturimet.Sot në mëngjes, u është shpërndarë zyrave të Kujdesit ndaj Klientit në të gjithë vendin urdhri për fshirjen nga sistemi i faturave abuzuese dhe pikat si do të zbatohet vendimi i fundit i OSHEE, kurse në faqen e internetit të kompanisë do të publikohet lista me kontratat që preken nga ky vendim.Gjithashtu, nuk lë pa harruar thirrjen ndaj konsumatorëve që të lidhin marrëveshje me OSHEE për të paguar me këste detyrimet dhe/ose të përfitojne ulje me 80% të kamatës deri më 28 shkurt.Pas kësaj date nuk do të ketë më asnjë tolerim.Është shumë e rëndësishme që marrëveshjet të respektohen, në afate dhe pagesa, pasi në të kundërt automatikisht rikthehen në listën e debitorëve dhe do tu pritet energjia elektrike.


  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?



×

Lajmi i fundit

U vra nga bashkëshorti në Athinë, Enkelejda Danajt varroset në Vlorë! Familjarët kërkojnë drejtësi

U vra nga bashkëshorti në Athinë, Enkelejda Danajt varroset në Vlorë! Familjarët kërkojnë drejtësi