Mblidhet grupi i PS, Rama:
Buxheti i vitit tjetër rritje 4%

Mblidhet grupi i PS, Rama:<br />Buxheti i vitit tjetër rritje 4%<br /><br>
Buxheti i shtetit për vitin e ardhshëm dhe prioritetet e tij kanë qenë në fokus të fjalës së kryeministrit Edi Rama në mbledhjen e grupit parlamentar mëngjesin e kësaj të hëne.

Kreu i qeverisë u shpreh përpara deputetëve se synohet që rritja e buxhetit për vitin e ardhshëm të arrijë 4%, ndërsa rritja ekonomike të kapë shifrën 5%. "Sfida është jetësimi i prioriteteve të projektbuxhetit në terrenin e një viti të ri buxhetor ku gjithçka është përmbledhur duhet të zbatohet. Buxheti është programuar për një rritje mbi 4% qysh në vitin e ardhshëm dhe natyrisht është një rritje e bazuar nga njëra anë te rritja e të ardhurave dhe nga ana tjetër tek mundësia për investime", u shpreh Rama duke theksuar se prioritete të vitit të ardhshëm janë investimet në infrastrukturë, shëndetësi, arsim dhe bujqësi.

Kryeministri theksoi gjithashtu se pritet një financim i drejtpërdrejtë nga Komisioni Europian për sektorin bujqësor. "Buxheti i vitit të ardhshëm është buxheti më i konsiderueshëm për bujqësinë, qoftë në aspektin e mbështjes së drejtpërdrejtë të prodhimit dhe eksporteve në bujqësi por qoftë edhe falë përpjekjes, besoj të suksesshme, pasi mungon vetëm fjala e fundit e KE, të bërë nga ministri dhe drejtuesja e AZHBR-së, për të marrë dritën jeshile lidhur me një financim të konsiderushëm dhe të drejtpërdrejtë nga KE për Bujqësinë", theksoi Rama.

"S'ka rritje taksash"
Gjatë mbledhjes së grupit parlamentar kryeministri Rama ka folur edhe në lidhje me paketën e re fiskale. Ai u shpreh se nuk ka rritje taksash për 97% të popullsisë dhe as për kompanitë. Sipas kryeministrit nga formalizimi i bizneseve ka pasur rritje me 25% e të ardhurave. Kryeministri sqaroi se 23% e rritjes ka ardhur nga kuponat e ndyshuar gjatë aksionit kundër informalitetit. Mes të tjerash ai pohoi se të gjithë ato biznese që nuk do të kenë të ardhura mbi 20 milionë lekë të vjetra, janë të përjashtuara nga TVSH-ja. Rama njoftoi lehtësira edhe për ato hotele që do të ndërtohen në vitet e ardhshme, me një standard 4-5 yje, ndërsa pohoi se ato të përjashtohen nga taksa tatim-fitim për 10 vite.

"Në paketën e re fiskale nuk ka rritje taksash, ka vetëm ndryshime të vogla në funksion të filozofisë tonë ku nëse ka një ndryshim në raport me makinat e shtrenjta kjo është në funksion të shumicës dhe filozofisë tonë, por nuk ka rritje taksash për 97% të popullsisë dhe as për kompanitë. Që do të thotë se i gjithë tam-tami i taksave është thjesht një propagandë në kuadrin e të gjithë punës së industrisë së mërzitjes që sot funksion me emrin opozitë në Shqipëri. Bashkë me të kemi edhe paketën e re për turizmin, përjashtimin komplet nga taksat i hoteleve që do të ndërtohen me katër dhe pesë yje", tha Rama. 

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si ju duket turizmi këtë sezon, krahasuar me një vit më parë?



×

Lajmi i fundit

Zgjedhjet në Himarë/ Gushti ktheu himariotët në vendlindje, rritet pjesëmarrja në votime! 2% më shumë se në zgjedhjet lokale të 14 majit 2023

Zgjedhjet në Himarë/ Gushti ktheu himariotët në vendlindje, rritet pjesëmarrja në votime! 2% më shumë se në zgjedhjet lokale të 14 majit 2023