Salla e mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve edhe këtë të premte është kthyer në një arenë debati mes mazhorancës dhe opozitës, pasi kërkesat e demokratëve duket se për të disatën herë nuk po marrin zgjidhje.

Kërkesa e demokratëve për ngritjen e një komisioni hetimor për verifikimin e ligjshmërisë së veprimeve të zyrtarëve shqiptarë në raport me ish-agjentin special të FBI-së, Charles McGonigal, këtë herë ka marrë një dakordësi pa zgjidhje nga socialistët.

Mazhoranca kërkoi gjatë mbledhjes së të riformulohet objekti i kërkesës. PD ra dakord me propozimin e mazhorancës që në seancën plenare të 30 Tetorit të paraqiten me një tekst të ripunuar.

E njëjta procedurë do të ndiqet edhe në lidhje me kërkesën e opozitarëve për ngritjen e një tjetër komisioni hetimor, konkretisht "për kontrollin e ligjshmërisë së veprimtarisë të organeve të pushtetit qendror dhe pushtetit vendor, si dhe për të verifikuar përdorimin e burimeve të administratës shtetërore për qëllime elektorale në zgjedhjet e 11 maj 2025."

Mbledhja e ditës së sotme pati dhe përplasje për shkak të seancës plenare të  një dite me parë, pasi opozita pretendon se iu hiqet e drejta e fjalës dhe kreu i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi, u përjashtua pa të drejtë.

Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi ka komentuar dhe senacën e djeshme, duke iu drejtuar në këtë rast deputetit demokrat Agron Gjekmarkaj.

“Gjuha që u përdor dje në sallën e Kuvendit ka qenë e dhunshme dhe e turpshme, përtej çdo caku të pranueshëm, edhe kur vjen nga opozita, edhe në kontekstin e opozitarizmit është e papranueshme. Ajo që ndodhi dje nuk mund të fshihet pas finesës suaj letrare.

Për sa më përket, gjatë gjithë drejtimit tim dhe në mbarë karrierën time politike, mund të akuzohem vetëm për durimin e tepruar. Kam treguar një durim të jashtëzakonshëm dhe nuk jam marrë, e as do të merrem, me sulme personale ndaj askujt.

E vlerësoj shumë edhe elokuencën tuaj politike, por sot më vjen keq të them se ndërhyrja juaj është thellësisht e ndikuar nga kalkulime politike. Nëse ju vazhdoni të mbroni atë që ndodhi dje, në fakt po nxisni një klimë përplasjesh dhe mosmarrëveshjesh që nuk i shërben askujt  as Kuvendit, as qytetarëve, as vetë opozitës”, tha Peleshi.

Ndërkohë, sot Gjekmarkaj tha se moslejimi i Bardhit për të bërë pyetjet e tij është një tjetër formë të të marrë peng mazhorancës për të marrë peng parlamentin dhe fjalën e lirë.

“Ju po përpiqeni te depersonalizoni Opozitën por ne fakt po depersonalizoni vetveten , ju nuk e kuptoni ne këtë turravrap se duke zvogëluar  liritë  dhe hapësirat e opozitës keni ngushtuar  liritë e hapësirat  tuaja jetike politike e njerëzore!”, tha ndër të tjera Gjekmarkaj.

Ndërsa një pikë tjetër në rendin e ditës të kësaj mbledhje, ishte shqyrtimi i kërkesës së demoratëve “Për zhvillim të mocionit me debat”.

Demokratët dhe socialistët ranë dakord që të rishikohen propozimet që u bënë gjatë mbledhjes, ndërsa u caktua një afat 30 ditor për të vendosur qëndrimin në raport me mocionin dhe më pas do t'i kalojë seancës plenare për votim.

Socialistët lanë pa përgjigje edhe kërkesën e PD-së për debat apo interpelancë për gjendjen në spitalin onkologjik, ku Kontrolli i Lartë i Shtetit raportoi mungesë serioze ilaçesh. Për të gjitha këto çështje, do të vendoset me votë në seancën plenare të 30 tetorit.