Kuvendi/ Mes debateve, Denar Biba zgjidhet me 72 vota pro në krye të Autoritetit të Konkurrencës! Miratohet edhe borxhi prej 60 mln euro për përballimin e luftës kundër COVID

Denar Biba është zgjedhur sot me 72 vota pro në krye të Autoritetit të Konkurrencës. Votimi i tij u shoqërua me debate mes maxhorancës dhe opozitës në Kuvend, ku fillimisht PD pati pretendime për parregullsi. Ata pretenduan fletët e votimit nuk kanë firmat e përfaqësuesve të saj, si anëtarë të Sekretariatit për Procedurat, Votimet dhe Etikën, siç e thotë rregullorja. Por pas debateve, në Konferencën e Kryetarëve u ra dakord që votimi të konsiderohej i vlefshëm.

Ndërkohë në seancën e sotme u miratua po ashtu me 74 vota pro edhe marrja e 60 milionë euro kredi nga Banka e Zhvillimit të Këshillit të Evropës për menaxhimin e pandemisë. Paratë do të përdoren për shpenzimet e bëra në qershorin e  2020 deri tani, dhe do të jetë si likuiditet në thesarin e shtetit për nevojat e vitit 2022.

Marrja e kësaj kredie u kritikua jo pak gjatë diskutimeve në Kuvend nga opozita, të cilët i kërkuan llogari qeverisë, por një përgjigje e morën nga deputeti socialist, Erion Braçe. Ai kritikoi ashpër deputetët se 99% e tyre nuk respektojnë as rregullat më minimale të vendosura për të frenuar përhapjen e COVID.

Në unanimitet deputetët e Kuvendit votuan për ratifikimin e memorandumit me SHBA lidhur me vendosjen e kufizimeve të importit të kategorive të materialeve arkeologjike dhe etnologjike të Shqipërisë. Në fjalën e saj, Ministrja e Kulturës Elva Margariti tha se nëpërmjet kësaj marrëveshje do të luftohet trafikimi i objekteve të trashëgimisë kulturore, duke theksuar se do të kthehen në Shqipëri veprat e konfiskuara në SHBA.

(Kliko këtu për të lexuar votimet e plota ne parlament)

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:04
Votohet në Kuvend, Denar Biba zgjidhet kryetar i Autoritetit të Konkurrencës! Miratohet edhe borxhi 60 mln euro për pandeminë

Pak ditë pasi mori miratimin e Komisionit të Ekonomisë për t’u zgjedhur në krye të Autoritetit të Konkurrencës, ish-kreu i KQZ Denar Biba ka marrë besimin e  seancës plenare. Ai mori 72 vota pro dhe zëvendëson në krye të Autoritetit të Konkurrencës Luljana Latifin. 
 

Ora 14:49
Debat në Kuvend/ PD: Votimi për Denar Bibën i pavlefshëm, fletët e votimit nuk kanë firmat e përfaqësuesve tanë

Partia Demokratike akuzon strukturat e Kuvendit se kanë organizuar një votim të parregullt për kreun e ri të Autoritetit të Konkurrencës, Denar Biba.

PD pretendon se fletët e votimit nuk kanë firmat e përfaqësuesve të saj, si anëtarë të Sekretariatit për Procedurat, Votimet dhe Etikën, siç e thotë rregullorja.

Anëtarët e PD në këtë sekretariat Flutura Açka dhe Saimir Korreshi kanë thënë se firmat e tyre mungojnë, ndaj votimi është i paligjshëm.

Ora 13:31
Ministrja e Shëndetësisë: Koha për një vrull të ri në përballje me pandeminë COVID-19 për një dimër të sigurt! Kemi kaluar në një plan ‘B’ për parandalimin e virusit

Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, e ka konsideruar marrëveshjen, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Bankës për Zhvillim të Këshillit të Evropës, një mbështetje për zbutjen e efekteve të pandemisë COVID-19 ndaj dhe kërkoi në Kuvend miratimin e kësaj marrëveshje.

Ajo tha se investimet në Shëndetësi, do të vijojnë deri në fund të pandemisë së COVID-19 në mbështetjen e personelit shëndetësor dhe sigurimin e vaksinave.

“21 muaj më vonë sfida e kësaj përballje me një emergjencë kaq të rrallë mbetet njësoj e vështirë. Ka testuar çdo hallkë të sistemit tonë shëndetësor, ka vënë në provë çdo pjesë të këtij sistemi. E kuptueshme është lodhja prej pandemisë. Por sado e gjatë të duket kjo përballje vigjilencën nuk duhet ta ulim dhe përpjekjet për të mbrojtur jetën e qytetarët duhet ti intensifikojmë. Virusi është një realitet i panjohur që po shtyn shumë vende perëndimor t’i kthehen masave më të ashpra se në fillim të pandemisë. Falë punës së palodhur të mjekëve dhe infermierëve sistemit shëndetësor nuk pësoi kolaps. Varianti i ri i ka dhënë një tjetër dimension i të panjohurës. I kemi bërë të gjitha këto duke patur përballë jo thjeshtë virusin, por edhe sulmet e akuzat që i kaluan edhe kufijtë e absurdit”, tha Manastirliu.

Ministrja tha se mbi 5.5 mln vaksina, do të vijnë brenda 6 mujorit të parë të 2022, duke i bërë apel të gjithë qytetarëve që endë nuk e kanë marrë vaksinën ta bëjnë. Gjatë fjalës së saj ajo ka theksuare edhe rëndësinë që ka vaksinimi në “luftën” me COVID-19.

 “Janë garantuar mbi 5.5 mln vaksina, që do të vijnë brenda 6 mujorit të parë të 2022.Vaksina është e garantuar për çdo qytetar. Kemi një rritje në përdorimin e vaksinave në raport me tre muaj më parë dhe kemi filluar prej 3 dhjetorit me dozën përforcuese. Duhet të rrisim mbrojtjen ndaj varianteve të reja. Vaksinimi me dozën e tretë e rrit mbrojtjen. Është koha të kemi një vrull të ri për një dimër të sigurt për përballjen me rrezikun e virusit. Kemi kaluar në një plan “B” të masave për parandalimin e përhapjes së virusit. Edhe me të gjitha masat për paraqitjen e kartës së vaksinimit për administratën dhe punonjësit në qendra tregtare duke filluar nga data 4 janar, ose me testin e vaksinimit” tha Manastirliu.

Ora 12:35
'Bëni paradë mode', ministrja i përgjigjet Dashnor Sulës: Kujdes me steriotipizimin gjinor, gratë mbajnë barrën më të rëndë të kësaj qeverie

 

 

Deputeti i PD-së, Dashnor Sula u përfshi në një debat me Ministren Elisa Spiropali në seancën e sotme plenare, ku i akuzoi ministret se kanë një standard të lartë jetese. Ai tha se ministret 'bëjnë modë' në Paralament dhe se lëvizin me makina luksoze.

"Shquheni për të bërë kilometra. Kryeministri jonë i ka bërë kilometrat me charter. Këto janë të vërteta. Ky është luksi. Ka dhe zonja të nderuara në qeveri dhe jo të korruptuara. Ka dhe deputetë me integritet. Ka dhe deputetë që kanë zonat e tyre të parajsës. Unë fola me shifra. Për të bërë paradë mode unë nuk di ta bëj paradën e modës", tha ai.

I menjëhershëm ishte edhe reagimi i Ministres Elisa Spiropali,e cila i kërkoi që të bënte kujdes me gjuhën dhe steriotipizimin gjinor.

"Kujdes me steriotipizimin gjinor, se këto gratë që etiketove ti mbajnë barrën më të rëndë të kësaj qeverie, sepse përbëjnë mbi 70 të kabinetit. Pastaj për flokë e për xhelra, dihet se kë keni ju", iu përgjigj Spiropali.

Ora 12:14
Braçe kritika deputetëve: 99% s'respektojnë rregullat anti-COVID, po japim mesazh të gabuar! Pandemia mund ta fusë ekonominë në rrugë pa krye

Deputeti i PS, Erion Braçe i është drejtuar me kritika të ashpra sot deputetëve në Kuvend, ku tha se po japin shembullin më të gabuar për qytetarët duke mos respektuar as rregullat më elementare anti-COVID. Sipas Braçe janë 99% e deputetëve që nuk respektojnë rregullat, teksa tha se po i përçojnë qytetarëve mesazhin se rreziku i pandemisë ka kaluar. Përkundrazi, Braçe shprehet se pandemia mund ta fusë ekonominë e vendit në rrugë pa krye, duke i kërkuar deputetëve që të bëhen edhe pjesë e fustave sensibilizuese për t'i drejtuar qytetarët që të vaksinohet.

"Pa diskutim që qeveria është këtu për ti kërkuar llogari. Po mirë a shkon sikur ta fillojmë nga vetja njëherë? Çfarë kuptimi ka të flasim e përgjërohemi dhe nga ana tjetër të kërkojmë llogari kur 99% që janë këtu në sallë nuk respektojnë as rregullat më elementare të vendosura për përballimin e pandemisë. Në Kuvendin e Shqipërisë nuk respektohen rregullat. Nuk shkon që dikush të kapi për krahu deputetë  et 'i kërkojë respekto rregullat. Problemi është te shembulli që japim. Çfarë po bëjmë, po sfidojmë rregullat që kemi vendosur?Çfarë kërkojmë ne të zbatohen rregullat në një qendër tregtare kur në këtë sallë askush nuk i zbaton. Çfarë kërkojmë ne që të mbahet maska, kur nga këtu i përcillet mesazhi që nuk ka më asnjë rrezik dhe nuk duhet të mbajmë as maskë as distancim social. Çfarë mesazhi përcjellim ne? I themi njerëzve puthuni e përqafohuni, hyni ku të doni, mos mbani asnjë maskë, asnjë lloj distance se nuk ka rrezik. vaksinat janë falas, nuk mjafton që vetëm njëri këtu nga ne të dali të thotë vaksinohuni, por duhej të ishin bërë pjesë e sensibilizimit të qytetarëve për t'u vaksinuar. Me shifrat e vaksinimit, 47.6%C me dozë të parë dhe 42.7% me dozë të dytë, jemi në mes të hallit. E kuptoni që po i vjen prapë radha ekonomisë? Qytetarët duhet të mendojnë edhe për ekonominë, jo vetë për shëndetin. FMN dje vuri theksin te risku numër një që i vjen kësaj ekonomie, pandemia. Pandemia rrezikon të na fusë në një rrugë pa krye sa i përket ekonomisë. Ça do bëjmë, do sillemi sikur nuk ka asgjë, sikur nuk duhet të respektojë asnjë masë? Duhet ët vijë inspektorati këtu të vendosë gjoba? Çfarë morali do japim ne jashtë kur këtu sfidojmë të gjitha rregullat? Do bëjmë teori? Kjo është sëmundje që mundet me disiplinë, jo në mënyrë fakultative, secili sillet sipas dëshirës së vet", tha Braçe.

Ora 10:58
Marrëveshja me SHBA për trashëgiminë kulturore, Ministrja e Kulturës: Do luftojmë trafikimin e objekteve të trashëgimisë kulturore

 

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, teksa foli në lidhje me marrëveshjen me SHBA për trashëgiminë kulturore, tha se synimi është që të luftohet trafikimi i objekteve të trashëgimisë kulturore. Nga foltorja e kuvendit, Margariti u shpreh se ratifikimi i këtij memorandum është një mbështetje jo vetëm për Ministrinë e Kulturës por për të gjithë trashëgiminë kulturore shqiptare, ndërsa shtoi se po ashtu do të bëhet e mundur që objektet e konfiskuara në ShBA, të kthehen në Shqipëri

"Debati shtrohet në dy aspekte, e para jemi pro memorandumit por nuk arrijmë dot që as kulturën mos ta kthejmë në politikë. U fol pa shifra, emra konkret ndërhyrjesh. Në 2021 investimet e brendshme për Ministrinë e Kulturës kanë qenë 1 mln 495 mln lekë. Nëse do shihnim objektet arkeologjike, kemi miratuar në 2021 mbi 30 projekte shkencore dhe po i mbështesim si me fondet e Shqipërisë dhe të huaja. Ne kemi patur vetëm vizitorë në sitet e trashëgimisë kulturore mbi 1 milion vizitorë, ky është një rekord. Mbi bazën e këtij memorandum Shtete e Bashkuara të Amerikës do të angazhohen së bashku me ne të luftojmë trafikimin e objekteve të trashëgimisë kulturore, ta mbrojmë atë. Do të kufizojnë importimin e kategorive të caktuara të materialit arkiologjik dhe etnologjik. Nga ShBA do të shpallet dhe një listë së bashku me Republikën e Shqipërisë ku do të shihet nëse eksportimi ka qenë i paligjshëm. Objektet e konfiskuara në ShBA do të kthehen në Shqipëri si dhe nga ana tjetër Shqipëria do të ndajë informacione të çmuara rreth gërmimeve të autorizuara në këto vite si dhe vjedhjen dhe trafikimin e pasurisë së trashëgimisë kulturore. Kjo marrëveshje na siguron një mbështetje nga ShBA në aspektin teknik, për të ndarë eksperiencat në këtë fushë, por dhe shkëmbimin e materialeve arkeologjike dhe etnologjike. Ratifikimi i këtij memorandum është një mbështetje jo vetëm për Ministrinë e Kulturës por për të gjithë trashëgiminë kulturore shqiptare", tha ministrja.

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Mara: 09/12/2021 17:48

    Pse ka shume rendesi forma si zgjidhet apo substanca, kush zgjidhet? Jeni bere te dy palet kaq qesharake sa te vjen zor nga bota. Populli mendonte ne 90 se do kishin mundesi dhe shance te njejta pra meritokraci. Si Evropi. I ndrifte te nderuarit Agolli se e tha aq bukur "Shkerdhatokraci"!!!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Zbulohen profecitë e Baba Vangës për vitin 2025: Alienët me apokalips, ilaçi kundër kancerit dhe nanoteknologjia! Çfarë u realizuan dhe çfarë jo më 2024

Zbulohen profecitë e Baba Vangës për vitin 2025: Alienët me apokalips, ilaçi kundër kancerit dhe nanoteknologjia! Çfarë u realizuan dhe çfarë jo më 2024