Rrëzohet qeveria e Malit të Zi, 43 deputetë të opozitës votojnë pro mocionit të mosbesimit ndaj Krivokapiç

Parlamenti i Malit te Zi votoi me shumicë votash rrëzimin e qeverisë së 42-të të Kryeministrit Zdravko Krivokapiç. Mosbesimin e qeverisë e votuan 43 deputetë të opozitës dhe të grupit parlamentar “Bardhezi”, kurse 11 ishin kundër që i përkisnin partive Demokratët, të Drejtat dhe Mali i Zi i Bashkuar.

Para votimit, deputetët e Frontit Demokratik (DF), Lëvizjes për Ndryshim (PzP) dhe Partisë Popullore Socialiste (SNP) u larguan nga salla plenare.

Në total votuan 54 deputetë, ndërsa gjatë votimit në seancën e Kuvendit nuk ishte as Kryeministri Zdravko Krivokapiq.  

Nisma për rrëzimin e Qeverisë u nënshkrua nga partitë e opozitës dhe Lëvizja Qytetare URA, të cilat kanë shumicën prej 44 deputetësh nga gjithsej 81 deputetë në Kuvend.

Epilogu i krizës politike

Votimi i propozimeve të përmendura paraqet epilogun e krizës politike që nga formimi i Qeverisë së Zdravko Krivokapiçit, më 4 dhjetor 2020.

Qeveria e Krivokapiçit, e afërt me Kishën Ortodokse Serbe, u zgjodh me votat e tri koalicioneve fituese të kryesuara nga Fronti Demokratik, Demokratët dhe Lëvizja Qytetare URA në zgjedhjet e 30 gushtit 2020.

Qeveria qysh në fillim nuk e ka pasur mbështetjen e plotë të shumicës parlamentare në Kuvend, kurse konfliktet më të mëdha kanë shpërthyer në mes të kryeministrit Krivokapiç dhe Frontit Demokratik, një pjesë e partive në pushtet disa muaj e ka bojkotuar punën e Kuvendit, kurse muajt e fundit ka ardhur edhe deri te ndarja në mesin e ministrave, atyre besnikë të kryeministrit Krivokapiç apo të zëvendëskryeministrit Abazoviç.

Në deklaratën e tij të fundit publike më 3 shkurt, kryeministri Krivokapiç tha se është i vetëdijshëm se nuk do të jetë më kryeministër dhe se Qeveria e tij do të rrëzohet.

Ai akuzoi zëvendëskryeministrin Dritan Abazoviç se kishte planifikuar të rrëzonte Qeverinë shumë kohë më parë dhe se presidenti malazez, Milo Gjukanoviç është gjithashtu pjesëmarrës në këto marrëveshje.

Nga ana tjetër, Abazoviç ka thënë se pas rënies së Qeverisë së Krivokapiçit do të fillojnë bisedimet për formimin e një pushteti të ri ekzekutiv dhe se ka disa opsione, duke përfshirë edhe zgjedhjet e parakohshme.

Të pakënaqura me nismën për rrëzimin e Qeverisë, disa parti politike dhe organizata të afërta me Kishën Ortodokse Serbe kanë nisur protesta në rrugë duke kërkuar që partitë e shumicës aktuale parlamentare të arrijnë marrëveshje për formimin e qeverisë së re.

Zëvendëskryeministri dhe koordinatori i shërbimeve të sigurisë, Dritan Abazoviq, tha se gjendja e sigurisë në Mal të Zi është e rregullt.

SI.E./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon rikthimin e koalicioneve të vjetra, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

Drejt përfundimit ‘Veliera’ në Durrës, pritet të jetë gati para qershorit! Rama: Këtu të bëjmë festën e fëmijëve

Drejt përfundimit ‘Veliera’ në Durrës, pritet të jetë gati para qershorit! Rama: Këtu të bëjmë festën e fëmijëve