Bordi i Paqes për Gazën do të mblidhet në një vendpushim në Qipro më 30 qershor. Sipas Politico, dy zyrtarë të lartë të BE-së konfirmuan se takimi do të zhvillohet në ishullin mesdhetar javën e ardhshme dhe do të zgjasë dy ose tre ditë. Ata u shprehën se, qëllimi është të rivendoset pasi lufta e Iranit e ka zhvendosur plotësisht vëmendjen në disa muajt e fundit.

Në takim do të marrin pjesë përfaqësues nga Komiteti Kombëtar për Administrimin e Gazës, një komitet teknokratësh palestinezë të ngarkuar me detyrën për të zëvendësuar Hamasin në qeverisjen e Rripit të Gazës dhe Zyra e Nikolai Mladenov, ish-diplomatit bullgar të emëruar nga Trump si përfaqësuesin e tij të lartë për Gazën, sipas zyrtarëve. Qiproja, e cila është në përputhje me qëndrimin e BE-së , do të marrë pjesë si vëzhguese.

“Qiproja nuk është bashkëorganizatore e këtij eventi dhe nuk po zhvillohet në nivel politik. Qiproja u zgjodh nga komiteti ekzekutiv”, shpjegoi një nga zyrtarët.

Bordi i Paqes për Gazën, është pjesë e fazës së dytë të planit 20-pikësh të armëpushimit në Gaza, të ndërmjetësuar nga SHBA-të, në shtator të 2025-ës Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara e mbështeti planin në nëntor, duke i dhënë Bordit legjitimitet ndërkombëtar.

Bordi synon të mbikëqyrë çmilitarizimin dhe rindërtimin e Gazës edhe pse karta e bordit të paqes që shtetet anëtare kanë pranuar dhe ratifikuar në parlamentet dhe qeveritë përkatëse nuk e përmend specifikisht Gazën.

Shqipëria ratifikoi aderimin në Bordin e Paqes, me 110 vota pro në Kuvend. Kryeministri Edi Rama mori ftesë nga presidenti amerikan, Donald Trump, që vendi ynë t'i bashkohej Bordit të Paqes si vend anëtar themelues.

Nisja e punës së Bordit të paqes, u njoftua se bashku me një kontribut prej 17 miliardë dollarësh, nga të cilat 7 prej vendeve anëtare dhe 10 nga shtetet e Bashkuara. Kazakistani, Azerbajxhani, Maroku, Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahreini, Katari, Arabia Saudite, Uzbekistani dhe Kuvajti kanë dhënë në total 7 mld dollarë, ndërsa Shqipëria dhe Kosova deri në këtë fazë nuk kanë kontribuuar financiarisht, por do angazhohen duke dërguar trupa sigurie.