POGRADEC-Ishte mënyra e vetme për të siguruar të ardhura për familjen dhe nuk ishte hera e parë që detyrohej të hynte në thellësitë e minierës për të nxjerrë hekur për skrap, por përpjekja e fundit ka qenë fatale për 33 vjecarin Gerald Xhukellari. Emigranti i sapo kthyer nga Greqia, ka mbetur i bllokuar në minierën e braktisur të fshatit Vërdovë të Pogradecit, pasi është asfiksuar nga gazi metan që është cliruar nga thellësitë e galerisë. Vështirësitë e hasura në emigracion për shkak të krizës në Greqi e detyruan të kthehet në vendin e tij, por gjendja e rëndë ekonomike e familjes së tij të përbërë nga 8 anëtarë si dhe mungesa e një pune e cuan në 33 vjecarin drejt fundit tragjik të jetës. E vetmja zgjidhje për të duket se ishte mbledhja e hekurit për ta shitur për skrap, në minierën e braktisur të fshatit të tij. Ai kishte hyrë disa herë në thellësitë e kësaj miniere, por sot clirimi i gazit metan i ka shkaktuar vdekjen nga asfiksia. Rrjedhja e gazit duket se ka qenë në sasi të mëdha pasi inspektorët e RISHM-it e kanë pasur të vështirë të ndërhyrjnë për nxjerrjen e trupit të tij dhe e kanë realizuar këtë vetëm pas 3 tentativash dhe pajisjes me aparaturat e posacme. Nxjerrja e trupit të tij u bë pas 21 orësh nga 1550 metër thellësi të galerisë. Familjarët e Gerald Xhukellarit bënë denoncimin për zhdukjen e tij rreth orës 01.30 të mëngjesit të sotëm, duke njoftuar largimin nga shtëpia rreth orës 17 00 të pasdites së djeshme.
(jd/shqiptarja.com)
/Shqiptarja.com
(jd/shqiptarja.com)











