Një ndalim total i rrjeteve sociale për fëmijët nën 16 vjeç u njoftua këtë mëngjes nga kryeministri britanik Keir Starmer. Të gjitha platformat do të ndalohen, nga Instagram në TikTok, nga Facebook në YouTube e deri te X (vetëm WhatsApp do të mund të aksesohet).
"Mënyra se si i mbajmë fëmijët të sigurt në internet është një nga debatet më të mëdha të kohës sonë. Si baba, e di që çdo prind dëshiron që fëmija i tij të rritet i sigurt dhe i lumtur. Kjo është një zgjedhje se në anën e kujt jemi: familjeve në të gjithë vendin, apo një status quo-je që nuk po funksionon", tha Starmer.
Është një ndalim i modeluar sipas atij që hyri në fuqi vitin e kaluar në Australi, por Londra po shkon më tej: transmetimet e drejtpërdrejta do të ndalohen gjithashtu për fëmijët nën 16 vjeç, si dhe kontaktimi me të huajt në internet. Së fundmi, po merret në konsideratë futja e një "ore policore dixhitale" për fëmijët nën 18 vjeç, duke filluar nga ora 20:30.
Masa do t'i paraqitet Parlamentit deri në Krishtlindje, me qëllim që ndalimet të hyjnë në fuqi në pranverën e vitit të ardhshëm.
“Zbatimi i rregullave do të jetë përgjegjësi e kompanive të teknologjisë, ato me siguri nuk do të shfrytëzojnë fëmijët”, shpjegoi Starmer.
Kompanitë e mëdha të teknologjisë do të duhet të zbatojnë sisteme të rrepta të verifikimit të moshës, bazuar në kartat dixhitale të identitetit, madje edhe në kontrollin e fytyrës: kompanitë që nuk i përmbushin këto kërkesa rrezikojnë gjoba prej dhjetëra milionësh.
Kryeministri britanik pranoi se shumë të rinj do të përpiqen të anashkalojnë ndalimet, ndoshta duke përdorur VPN: në Australi, gati pesë milionë llogari janë çaktivizuar, por vlerësohet se 60% e adoleshentëve janë ende në mediat sociale. Megjithatë, Stramer tha, si shembull, fakti që të miturit pinë alkool nuk do të thotë që ndalimi për të rinjtë nuk është i drejtë; është thjesht çështje zbatimi i tij në mënyrë efektive.
Vendimi i qeverisë së Londrës erdhi pas muajsh konsultimesh me familjet: sipas Downing Street, 90% e prindërve shprehën mbështetje për ndalimin.
Megjithatë, kritikat nuk mungojnë: Fondacioni Molly Rose, i emëruar sipas një vajze të re që kreu vetëvrasje pasi u ekspozua ndaj përmbajtjes së dëmshme në internet, i ka quajtur masat "të pazbatueshme" dhe të pamjaftueshme për të adresuar rrënjën e problemeve.
Starmer përballet gjithashtu me një problem politik: përveç asaj që ai vetë e ka përcaktuar si një "betejë" që do të zhvillohet me kompanitë e mëdha teknologjike, mbetet për t'u parë se si do ta pranojë atë Donald Trump, një kampion i teknologjive të prodhuara në SHBA dhe me të cilin Starmer do të takohet së shpejti në samitin e G7 në Francë./Corriere della Sera
Komente







