Franca njohu shtetin e Palestinës në samitin e OKB-së në New York, gati dy vjet pas nisjes së luftës në Gaza, duke iu bashkuar Britanisë, Kanadasë dhe aleatëve të tjerë perëndimorë që ndërmorën të njëjtin hap historik të dielën dhe u kritikuan nga Izraeli.

“Duhet të bëjmë gjithçka që kemi në dorë për të ruajtur vetë mundësinë e një zgjidhjeje me dy shtete, Izraeli dhe Palestina të jetojnë krah për krah në paqe dhe siguri,” tha presidenti francez Emmanuel Macron, në hapjen e samitit në Kombet e Bashkuara, i cili ka mbledhur udhëheqësit botërorë në një samit për zgjidhjen me dy shtete të konfliktit Izrael-Palestinë.

“Njohja e të drejtave legjitime të popullit palestinez nuk i heq asgjë të drejtave të popullit të Izraelit,” shtoi ai, përpara se të shpallte këtë vendim diplomatik, i cili u shoqërua me duartrokitje të gjata nga salla.

"Nuk mund të presim më", tha Macron, duke shtuar se njohja është një hap i nevojshëm për të thyer spiralen e dhunës dhe për të siguruar paqen.

Macron shpalosi gjithashtu një kornizë për një “Autoritet Palestinez të rinovuar”, sipas së cilës Franca do të hapte një ambasadë, në varësi të faktorëve si reformat, arritja e një armëpushimi dhe lirimi i të gjithë pengjeve të mbetura të marra nga Izraeli dhe të mbajtura nga Hamasi në Gaza.

Ministria e Jashtme palestineze e mirëpriti njohjen nga Franca, duke e cilësuar si një hap “historik dhe të guximshëm” që mbështet përpjekjet për arritjen e paqes dhe zbatimin e zgjidhjes me dy shtete.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, e paralajmëroi Izraelin të mos përgjigjet me aneksimin e Bregut Perëndimor. "Shtetësia për palestinezët është një e drejtë dhe jo një shpërblim ", shtoi ai.

Duke iu bashkuar konferencës përmes një videomesazhi, Presidenti palestinez Mahmoud Abbas i bëri thirrje Hamasit të dorëzojë armët. Abbas deklaroi se Hamasi nuk do të ketë asnjë rol në qeverisje.

"Hamasi nuk do të ketë asnjë rol në qeverisje. Hamasi dhe fraksionet e tjera duhet t'ia dorëzojnë armët e tyre Autoritetit Palestinez... Ajo që duam është një shtet i bashkuar pa armë, një shtet me një ligj dhe një forcë legjitime sigurie", tha ai.

Megjithatë, edhe pse samiti për zgjidhjen me dy shtete i thirrur nga Franca dhe Arabia Saudite, mund të ngrejë moralin e palestinezëve, nuk pritet të sjellë ndryshime konkrete në terren. Qeveria më e djathtë ekstreme në historinë e Izraelit ka thënë se nuk do të ketë shtet palestinez, teksa vazhdon luftën kundër grupit militant Hamas në Gaza, pas sulmit të 7 tetorit 2023 ndaj Izraelit që vrau rreth 1.200 persona.

Izraeli është bërë gjithnjë e më i izoluar dhe ka tërhequr dënime globale për sjelljen e tij ushtarake në Gaza, ku sipas autoriteteve lokale shëndetësore janë vrarë mbi 65.000 palestinezë. Në javët e fundit, Izraeli ka nisur një ofensivë tokësore të shumëparalajmëruar mbi qytetin e Gazës.

Andorra, Belgjika, Luksemburgu dhe San Marino pritet gjithashtu të njohin shtetin Palestinez, përpara Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së këtë javë, pasi Australia, Britania, Kanadaja dhe Portugalia e bënë këtë gjatë fundjavës. Malta e shpalli vendimin e saj më herët të hënën.

SHBA-të u shprehën kundër vendimit të Mbretërisë së Bashkuar, Kanadasë, Australisë dhe Portugalisë, të cilat një ditë më parë njoftuan zyrtarisht njohjen e Palestinës si shtet. Një zëdhënës i DASH e cilësoi vendimin si “veprim kozmetik” dhe si një “diplomaci jo serioze”. 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:46
Erdogan: Izraeli dëshiron të shkatërrojë zgjidhjen me dy shtete

Erdogan gjatë fjalës në samitin e OKB-së

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, deklaroi në samitin e OKB-së se qëllimi i qeverisë së Benjamin Netanyahut është të bëjë të pamundur krijimin e një shteti palestinez. Ai tha se kundërshtimi ndaj “shtypjes” izraelite është një “përgjegjësi morale”.

Erdogan shtoi se “qëllimi i politikave të pushtimit dhe aneksimit është i qartë: të asgjësojnë vizionin e zgjidhjes me dy shtete, të mos lënë asnjë hapësirë për mbijetesën e palestinezëve dhe të dëbojnë popullin palestinez.”

Ora 22:40
Samiti i OKB-së/ Presidenti palestinez i bën thirrje Hamasit të dorëzojë armët: Nuk do ketë asnjë rol në qeverisje

Abbas gjatë videomesazhit në samitin e OKB-së

Mahmoud Abbas, Presidenti i Autoritetit Palestinez, u shfaq me një videomesazh në samitin e OKB-së, pasi Shtetet e Bashkuara i mohuan vizën për të shkuar personalisht në selinë e OKB-së në Nju Jork.

Presidenti palestinez Abbas deklaroi se Hamasi nuk do të ketë asnjë rol në qeverisje dhe i bëri thirrje grupit t'ia dorëzojë armët Autoritetit Palestinez.

"Hamasi nuk do të ketë asnjë rol në qeverisje. Hamasi dhe fraksionet e tjera duhet t'ia dorëzojnë armët e tyre Autoritetit Palestinez... Ajo që duam është një shtet i bashkuar pa armë, një shtet me një ligj dhe një forcë legjitime sigurie. Ne gjithashtu dënojmë vrasjen dhe ndalimin e civilëve, përfshirë veprimet e Hamasit më 7 tetor 2023”, tha ai.

Ai gjithashtu bën thirrje për fillimin "pa vonesë" të rindërtimit të Gazës dhe Bregut Perëndimor.

Brenda tre muajve nga përfundimi i luftës, thotë Abbas, do të hartohet një kushtetutë e përkohshme për të siguruar transferimin e saktë të pushtetit.

Zgjedhjet do të mbahen më pas nën vëzhgim ndërkombëtar, shton ai, duke përshkruar aspiratat e tij për një shtet të qeverisur nga sundimi i ligjit.

Pastaj, Abbasi përgëzon 149 kombet që e kanë njohur tashmë shtetin palestinez dhe u bën thirrje atyre që nuk e kanë bërë këtë, të ndjekin shembullin e vendeve që njohën Palestinën si shtet.

Ai gjithashtu shpreh gatishmërinë e tij për të punuar me Presidentin e SHBA-së Donald Trump, Arabinë Saudite dhe partnerë të tjerë për të zbatuar çdo plan paqeje të miratuar gjatë konferencës së OKB-së.

Ora 22:06
Guterres në OKB: Sovraniteti kombëtar është një e drejtë për palestinezët

“Duhet të angazhohemi sërish për një zgjidhje me dy shtete, përpara se të jetë tepër vonë. Një zgjidhje ku dy shtete të pavarura, të njëpasnjëshme, demokratike, të gjalla dhe sovrane – Izraeli dhe Palestina – të njihen reciprokisht dhe të jenë plotësisht të integruara në komunitetin ndërkombëtar. Të jetë e qartë: sovraniteti kombëtar për palestinezët është një e drejtë, jo një shpërblim. Mohimi do të ishte një dhuratë për ekstremistët në mbarë botën.” Kështu deklaroi, mes duartrokitjeve, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, në samitin e Asamblesë së Përgjithshme të organizuar nga Franca dhe Arabia Saudite, pasi dënoi sulmet e Hamasit.

Ora 22:02
Autoriteti Palestinez: Vendimi i Francës është historik dhe i guximshëm

1758571692_4443.avif

Autoriteti Palestinez ka përshëndetur njohjen formale të një Shteti palestinez nga presidenti francez Emmanuel Macron si një “vendim historik dhe i guximshëm”.

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës mirëpret njohjen e Shtetit të Palestinës nga Republika mike e Francës, duke e konsideruar atë një vendim historik dhe të guximshëm, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe me rezolutat e Kombeve të Bashkuara, si dhe që mbështet përpjekjet e vazhdueshme për të arritur paqen dhe për të zbatuar zgjidhjen me dy shtete” – thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Jashtme të Autoritetit Kombëtar Palestinez në Ramallah.

Ora 22:01
Macron në OKB: Koha për paqe në Lindjen e Mesme ka ardhur! Ne nuk do ta ndalojmë luftën ekzistenciale kundër antisemitizmit

“Ka ardhur koha për të ndaluar luftën, masakrën, ka ardhur koha për paqe në Gaza dhe Lindjen e Mesme”. Kështu u shpreh presidenti francez Emmanuel Macron ndërsa hapi konferencën e nivelit të lartë në OKB për zgjidhjen me dy shtete dhe nënvizoi "urgjencën" e një zgjidhjeje.

Presidenti francez tha gjatë fjalës së tij se “ne kurrë nuk do ta ndalojmë luftën ekzistenciale kundër antisemitizmit".

Më tej, presidenti francez njoftoi se do të njohin shtetin e Palestinës.

"Asgjë nuk e justifikon luftën e vazhdueshme në Gaza. Asgjë. Përkundrazi, gjithçka na detyron t'i japim fund asaj përfundimisht, pasi nuk e kemi bërë më parë. Duhet ta bëjmë këtë për të shpëtuar jetë njerëzore", tha presidenti francez Emmanuel Macron në konferencën e nivelit të lartë të OKB-së.

Ora 21:56
Franca njeh shtetin e Palestinës, Macron: Asgjë nuk mund të justifikojë përdorimin e terrorizmit, 7 Tetori është ende një plagë e hapur

1758571285_6dedd2bdf541a8cf94c85.jpg

 

“Asgjë nuk mund të justifikojë përdorimin e terrorizmit”. Kështu u shpreh presidenti francez Emmanuel Macron gjatë fjalës së tij në OKB, duke i cilësuar sulmet e 7 tetorit si “një plagë ende të hapur”.

Macron përsëriti gjithashtu thirrjen e tij për “lirimin” e 48 pengjeve që mbahen nga Hamasi, duke theksuar se “më 7 tetor populli izraelit përjetoi sulmin më të rëndë të historisë së tij”. “Ligji duhet të mbizotërojë mbi forcën” – shtoi presidenti francez.

Ora 16:55
Hamasi i shkruan Trumpit: Gjysma e pengjeve në këmbim të një armëpushimi

Hamasi i ka shkruar një letër Presidentit të SHBA-së Donald Trump ku i kërkon drejtpërdrejt atij të garantojë një armëpushim 60-ditor në Gaza në këmbim të lirimit të gjysmës së pengjeve të mbajtura atje. Kjo u raportua ekskluzivisht nga Fox News, që citon një zyrtar të lartë të administratës amerikane dhe një burim të përfshirë në negociata. Letra është aktualisht në duart e negociatorëve të Katarit, i cili do ta dorëzojë atë në Shtëpinë e Bardhë më vonë këtë javë. Doha ka pezulluar përpjekjet e ndërmjetësimit për të arritur një marrëveshje për një armëpushim në Rrip dhe lirimin e 48 pengjeve që mbahen ende në Gaza që nga sulmi i Izraelit ndaj udhëheqjes së Hamasit në kryeqytetin e Katarit dy javë më parë.

Ora 14:16
Macron: Njohja e Palestinës është e vetmja zgjidhje politike

1756996431_emmanuelmacron.JPG

Presidenti francez, Emmanuel Macron tha se njohja e shtetit të Palestinës është e vetmja mënyrë për të ofruar një zgjidhje politike për atë që po ndodh në Gaza. 

"Njohja e Shtetit të Palestinës sot është e vetmja mënyrë për të ofruar një zgjidhje politike për një situatë që duhet të marrë fund", tha Macron në një intervistë me CBS, ditën që po përgatitet të njoftojë njohjen e shtetit palestinez nga Franca para Kombeve të Bashkuara.

Ora 14:14
Arabia Saudite drejtuar Izraelit: Aneksimi i Bregut Perëndimor është një vijë e kuqe

Arabia Saudite i ka dërguar një mesazh Izraelit duke e paralajmëruar se e konsideron aneksimin e mundshëm të Bregut Perëndimor "një vijë të kuqe" që do të kishte "implikime të rëndësishme në të gjitha aspektet".

Riadi mund të braktisë perspektivën e normalizimit, të tërhiqet nga Marrëveshjet e Abrahamit ose të mbyllë përsëri hapësirën e tij ajrore për fluturimet izraelite, raporton Channel 12.

Një paralajmërim i ngjashëm është lëshuar ditët e fundit nga Emiratet e Bashkuara Arabe. Zyrtarët sauditë, do të diskutojnë se si t'i japin fund luftës në Gaza dhe skenarët e ardhshëm me Presidentin e SHBA-së Donald Trump në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, së bashku me udhëheqësit e Emirateve të Bashkuara Arabe, Katarit, Jordanisë, Egjiptit dhe Turqisë.

Ora 11:22
Ushtria izraelite: Zëvendëskomandanti i Forcave Detare të Hamasit u vra në një sulm ajror

Foto: Ushtarë izraelitë

Zëvendëskomandanti i policisë detare të Hamasit, Iyad Abu Youse, u vra në një sulm ajror të kohëve të fundit në Rripin qendror të Gazës, njoftoi IDF.

Sulmi u krye nga Forcat Ajrore Izraelite, bazuar në informacionin e dhënë nga Divizioni i Inteligjencës Detare dhe Drejtoria e Inteligjencës Ushtarake.

IDF deklaron se Abu Yousef mori pjesë në sulmin e 7 tetorit 2023 dhe se gjatë luftës ai planifikoi prita kundër trupave izraelite dhe ishte përgjegjës për sigurinë e aseteve të Hamasit.

 "Eliminimi i tij është një goditje serioze për aftësitë e policisë detare të Hamasit, të cilat përdoren për të mbledhur inteligjencë mbi forcat tona dhe për të zbatuar kontrollin detar për krahun ushtarak të organizatës", deklaroi ushtria izraelite.

Ora 11:08
Netanyahu: Në Gaza, përpara me objektivat e luftës

"Ne do të vazhdojmë të veprojmë me vendosmëri derisa të arrijmë të gjitha objektivat e luftës, për të siguruar të ardhmen tonë në tokën tonë të mrekullueshme." Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu e tha këtë në një mesazh video të publikuar nga media izraelite me rastin e Vitit të Ri Hebraik. "Duke vepruar kështu, ne do të hapim rrugën edhe për zgjerimin e rrethit të paqes", shtoi Netanyahu në mesazhin e tij për Rosh Hashanah.

"Ne e kemi goditur fort boshtin iranian. E kemi bërë këtë në Liban, Siri, Jemen dhe vetë Iranin", tha ai. "Forcat tona tani po veprojnë me forcë të madhe në Rripin e Gazës për të mposhtur më në fund Hamasin dhe për të sjellë të gjithë pengjet tona në shtëpi", shtoi ai.

Pas komenteve të javës së kaluar se Izraeli mund të duhet të bëhet një "super Sparta", Netanyahu pohon se Izraeli "do të vazhdojë të përparojë ekonominë dhe sigurinë tonë, përmes teknologjisë, sigurisë kibernetike, inteligjencës artificiale, industrive tona të mbrojtjes dhe zhvillimeve që janë të pashembullta në botë dhe që tejkalojnë kufijtë e imagjinatës". "Le të jetë ky një vit uniteti, një vit fitoreje, një vit paqeje", përfundon ai.

Ora 11:03
Danimarka njofton një "ndryshim qëndrimi" për Palestinën

"Ne duam ta ndryshojmë qëndrimin tonë në mënyrë që të mos jetë Izraeli, por vetë populli palestinez, ai që merr vendime dhe ndërmerr veprime për të siguruar që Danimarka ta njohë Palestinën. Kjo është diçka që shpresojmë ta arrijmë", tha Ministri i Jashtëm danez Lars Loekke Rasmussen, duke njoftuar se do të japë detaje më të sakta sot në lidhje me ato që ai beson se janë kriteret që Kopenhageni të njohë Palestinën.

"Deri më tani, ne në fakt i kemi dhënë Izraelit një veto për këtë çështje, pasi kemi deklaruar se njohja daneze e Palestinës do të ndodhë vetëm pasi të jetë negociuar një zgjidhje me dy shtete", deklaroi ministri në një video të postuar në Instagram. "Dhe kjo zgjidhje duket ende larg, nëse shikoni se çfarë po ndodh jo vetëm në Gaza, por edhe me vendbanimet në Bregun Perëndimor dhe kundërshtimin e deklaruar të qeverisë Netanyahu ndaj një zgjidhjeje me dy shtete", shtoi ministri, i cili tashmë është në Nju Jork për të marrë pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, e cila do të diskutojë situatën në Gaza dhe njohjen e Palestinës.

Ora 10:37
Belgjika: Ne e njohim Palestinën për të detyruar Netanyahun të veprojë

Foto: Maxime Prevot

Ministri i Jashtëm belg, Maxime Prevot, festoi njohjen simbolike të Shtetit të Palestinës nga Belgjika dhe bëri thirrje për sanksione kundër qeverisë izraelite për të "detyruar dorën" e administratës së Benjamin Netanyahut.

"Ne e njohim qartë Palestinën, legjitimitetin e popullit palestinez për të parë një shtet të tillë. Ne do ta formalizojmë atë administrativisht dhe ligjërisht në një fazë të dytë, por kjo është arsyeja pse jemi shumë krenarë që jemi midis kombeve që do të bëjnë një hap tjetër zyrtar drejt njohjes sot", tha ministri i jashtëm belg në një intervistë me radion RTL .

Prevot bëri deklaratën para se të udhëtonte për në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, ku Belgjika do ta njohë "politikisht" Palestinën si shtet, duke iu bashkuar deklaratës së promovuar nga Franca dhe Arabia Saudite.

Belgjika do ta formalizojë njohjen e saj ligjore në një datë të mëvonshme, në të ardhmen "pa asnjë afat", dhe sapo Hamasi të dorëzojë pengjet izraelite dhe të zhduket nga skena politike, pas marrëveshjes së arritur nga qeveria e koalicionit belg.

"Gjëja e rëndësishme është të dërgohet një mesazh i fortë ndërkombëtarisht në lidhje me njohjen që Belgjika dëshiron t'i japë Shtetit të Palestinës", deklaroi Prevot.

Megjithatë, ministri belg theksoi se njohja nuk është urgjente "nëse ajo që duam është t'u sjellim ushqim atyre që qajnë nga uria, atyre fëmijëve që vdesin nga uria, atyre grave dhe qytetarëve që presin ndihmë humanitare në Gaza".

"Ne duhet të veprojmë duke vendosur sanksione ndaj qeverisë izraelite, krahu i së cilës duhet të shtrembërohet pak në mënyrë që ndihma humanitare të shpërndahet më në fund masivisht në Gaza", shtoi Prevot, duke vënë në dukje se "Belgjika është aktualisht në ballë të vendeve evropiane në zbatimin e sanksioneve më të ashpra kundër qeverisë izraelite, kështu që më në fund mund të presim një ndikim në situatën humanitare".

Ora 10:33
Sot, dita e Shtetit të Palestinës në OKB, 10 vende drejt njohjes

Emmanuel Macron në fund të korrikut njoftoi se Franca do ta njihte Shtetin e Palestinës (pavarësisht se nuk ekziston ende realisht). Gati dy muaj më pas, presidenti francez duket se ka korrur një sukses diplomatik, pasi të paktën 10 vende do ta njohin zyrtarisht Palestinën në OKB: Andorra, Australia, Belgjika, Kanadaja, Luksemburgu, Portugalia, Malta, Mbretëria e Bashkuar, San Marino dhe Franca.

Akuzat izraelite

Qëllimi i Macron është të rilançojë zgjidhjen me dy shtete, jo të ndryshojë qëndrimin e Izraelit, i cili prej javësh kundërshton me forcë. Netanyahu dje iu drejtua liderëve perëndimorë me një video ku thoshte:
“Kam një mesazh për ju: asnjë shtet palestinez nuk do të dalë në perëndim të lumit  Jordan”.

Programi në OKB

Asambleja e 80-të e OKB-së zhvillohet në Nju Jork nga sot deri më 29 shtator. Një konferencë për Palestinën e bashkëdrejtuar nga Franca dhe Arabia Saudite do të mbahet sonte nga ora 21:00 deri në mesnatë, e hapur me fjalimin e Macron. Mahmoud Abbas, 89 vjeç, presidenti i Autoritetit Kombëtar Palestinez, i cili nuk ka marrë vizë nga SHBA, do të marrë pjesë me videokonferencë. Këto 10 vende do t’u shtohen 148 prej 193 shteteve që tashmë e kanë njohur Palestinën (pothuajse e gjithë Afrika, Azia me Kinën dhe Indinë, dhe Amerika Latine. Anëtari i parë i BE-së që bëri këtë hap ishte Suedia në vitin 2014.

//Corriere

 

 

Ora 09:07
Njohja e shtetit të Palestinës, Britania e Madhe paralajmëron Izraelin të mos ndërmarrë veprime hakmarrëse

1758524879_yvettecooper.webp

Mbretëria e Bashkuar ka paralajmëruar Izraelin që të mos ndërmarrë veprime për aneksimin e Bregut Perëndimor, si shenjë hakmarrje për vendimin për të njohur Palestinën si shtet.

Sekretarja e Jashtme britanike, Yvette Cooper, e pyetur nga BBC nëse Izraeli do ta përdorë këtë vendim si pretekst për të aneksuar pjesët e Bregut Perëndimor, tha se ia kishte bërë të qartë homologut izraelit se një gjë e tillë është e patolerueshme.

“Ne kemi qenë të qartë se ky vendim që po marrim ka të bëjë me mënyrën më të mirë për të respektuar sigurinë për Izraelin, si dhe sigurinë për palestinezët. Bëhet fjalë për mbrojtjen e paqes dhe drejtësisë dhe, mbi të gjitha, sigurinë për Lindjen e Mesme dhe ne do të vazhdojmë të punojmë me të gjithë në rajon për ta bërë këtë. Gjëja më e lehtë për t’u bërë do të ishte thjesht të largoheshim dhe të thoshim se është shumë e vështirë. Ne thjesht mendojmë se kjo është e gabuar kur kemi parë kaq shumë shkatërrime, kaq shumë vuajtje. Ashtu siç e njohim Izraelin, shtetin e Izraelit... ashtu duhet të njohim edhe të drejtat e palestinezëve për një shtet të tyren.”, u shpreh ajo.

Ora 08:26
Izraeli: I hedhim poshtë deklaratat e njohjes së shtetit palestinez! Nuk promovon paqen, por destabilizon rajonin

1758522669_flamuriiizraelit.JPG

Foto: Flamuri i Izraelit

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme izraelite, Oren Marmorstein në përgjigje të Mbretërisë së Bashkuar, Kanadasë dhe Australisë në lidhje me njohjen e shtetit palestinez tha në një postim në X se deklaratat e tyre nuk promovojnë paqen, por minon shanset për të arritur një zgjidhje paqësore.

"Izraeli e hedh poshtë kategorikisht deklaratën e njëanshme të njohjes së një shteti palestinez të bërë nga Mbretëria e Bashkuar dhe disa vende të tjera. Kjo deklaratë nuk promovon paqen, por përkundrazi destabilizon më tej rajonin dhe minon shanset për të arritur një zgjidhje paqësore në të ardhmen", shkroi Oren Marmorstein.

"E quajtur nga udhëheqësit e Hamasit si 'frytet e masakrës së 7 tetorit'", vazhdoi zëdhënësi, "deklarata jo vetëm që shpërblen masakrën më të madhe të hebrenjve që nga Holokausti nga një organizatë terroriste që bën thirrje dhe punon për shfarosjen e Izraelit, por gjithashtu konsolidon mbështetjen që gëzon Hamasi.

Është shkatërruese të ndash shtetësinë - një nga çështjet e statusit përfundimtar - nga paqja. Ky vendim shkon kundër çdo logjike të negociatave dhe arritjes së një kompromisi midis dy palëve dhe do ta distancojë më tej paqen e dëshiruar."

"Për më tepër," pohon Marmorstein, "Autoriteti Palestinez nuk ka përmbushur asnjë nga detyrimet dhe kërkesat e tij; nuk ka ndaluar nxitjen ose politikën 'paguaj për të vrarë', as nuk ka marrë masat e nevojshme për të luftuar terrorizmin, siç u demonstrua së fundmi me zbulimin e raketave dhe raketave pranë Ramallahut javën e kaluar. Autoriteti Palestinez është pjesë e problemit, jo zgjidhja.

Kjo është edhe arsyeja pse Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione ndaj Autoritetit Palestinez dhe u kanë ndaluar zyrtarëve të tij të lartë të hyjnë në territorin e tij. Sidoqoftë, Izraeli nuk do të pranojë asnjë tekst të shkëputur dhe imagjinar që përpiqet ta detyrojë atë të pranojë kufij të pambrojtshëm. Gjestet politike që synojnë audiencat e brendshme vetëm sa dëmtojnë Lindjen e Mesme dhe nuk janë të dobishme. Në vend të kësaj, nëse vendet që nënshkruan këtë deklaratë dëshirojnë vërtet të stabilizojnë rajonin, ato duhet të përqendrohen në presionin ndaj Hamasit për të liruar pengjet dhe për të vazhduar me çarmatimin e menjëhershëm", përfundoi ai.