Tetë vatra zjarri janë raportuar gjatë ditës së sotme në qarqet Tiranë, Fier, Durrës dhe Lezhë.
Sipas Agjencisë Kombëtare për Mbrojtjen Civile, 6 prej tyre vijojnë të jenë aktive, ndërsa 2 janë nën kontroll dhe monitorim.
Në terren janë angazhuar 227 forca, mjete zjarrfikëse dhe kapacitete ajrore për përballimin e situatës.
Për përballimin e vatrave të zjarrit janë angazhuar gjithashtu 3 helikopterë, një avion Air Tractor, si dhe një mjet ajror i Forcave të Armatosura në zonën e Cikalleshit.
Tiranë
Në Dajt, pranë fabrikës së ujit në Selitë, janë rishfaqur disa vatra zjarri, ndërsa vijon ndërhyrja dhe monitorimi i situatës.
Në Cikallesh, Kavajë, zjarri është në rënie dhe po shkon drejt shuarjes së plotë. Ndërkohë, në Priskë të Madhe vijon puna për vënien nën kontroll të disa vatrave të vogla.
Sipas autoriteteve, nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Fier
Në zonën Panahor–Ndrenie–Vlosht, në Mallakastër, vijon puna për izolimin e vatrave, ndërsa zjarri raportohet nën kontroll.
Në Koilaç–Greshicë, vatra e zjarrit është izoluar dhe ndodhet nën kontroll. Edhe në këto zona nuk raportohet rrezik për banesat.
Durrës
Në Abaze, Krujë, situata është stabilizuar. Në terren kanë mbetur vetëm disa vatra të vogla me prush dhe tym, ndërsa strukturat vijojnë monitorimin dhe ndërhyrjen.
Situata paraqitet më e vështirë në lagjen Boje, ku terreni i vështirë dhe mungesa e aksesit rrugor kanë bërë që të kërkohet urgjentisht angazhimi i 50 forcave ushtarake.
Edhe në këtë zonë, autoritetet bëjnë me dije se nuk ka rrezik për banesat dhe bizneset.
Lezhë
Në Vilëz të Kurbinit, zjarri vijon aktiv në një sipërfaqe pyjore.
Në terren janë angazhuar rreth 50 forca nga strukturat vendore, MZSH, Policia dhe vullnetarë. Ndërhyrja nga ajri me dy helikopterë ka frenuar avancimin e flakëve, duke shmangur përhapjen e zjarrit drejt Kishës, varrezave dhe banesave përreth.
Lajmi kryesor:
Kruja nuk gjen qetësi, tjetër vatër zjarri pranë qytetit! Ndërhyet me mjete rrethanore! Flakët në Mallakastër e Patos vihen nën kontroll, nuk përbëjnë më rrezik për banesat









