Mbrojtja e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ka kërkuar nga Gjykata Speciale, lirimin me kusht të këtij të fundit nga qelia.

Në kërkesë thuhet se, ish-presidenti Thaçi nuk paraqet rrezik për t'u arratisur. Po ashtu avokatët mbrojtës kanë deklaruar se Thaçi ka ofruar garanci financiare prej 50 mijë eurosh për lirimin e tij.

“Mbrojtja e z. Hashim Thaçi (“Mbrojtja”) paraqet me këtë parashtresë argumentet e saj në kuadër të rishikimit të paraburgimit, në përputhje me nenin 41(6) dhe (10) të Ligjit,¹ rregullat 56 dhe 57 të Rregullores,² si dhe urdhrin e Gjyqtarit të Vetëm të Gjykimit (“GVG”).³ Mbrojtja kërkon që GVG-ja të urdhërojë lirimin e përkohshëm të z. Thaçi, ndër të tjera, me arsyetimin se ai nuk paraqet rrezik arratisjeje, veçanërisht duke pasur parasysh garancinë financiare prej 50.000 eurosh të ofruar për të siguruar lirimin e tij,⁴ si dhe se vazhdimi i paraburgimit të tij nuk është më i arsyeshëm ose proporcional”, thuhet mes tjerash në kërkesë.

Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë njoftuan të mërkurën se aktgjykimi për katër ish-udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin – do të shpallet më 16 shtator të këtij viti.

Thaci, Veseli, Krasniqi dhe Selimi, akuzohen për vepra si vrasje, torturim dhe përndjekje, gjoja të kryera gjatë viteve 1998-’99 gjatë luftës për pavarësimin e Kosovës nga Serbia.

Që të katërt i kanë mohuar këto akuza dhe janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që përfshijnë rreth 155 viktima. Prokurorët kanë kërkuar që ata të shpallen fajtorë dhe secili të dënohet me nga 45 vjet burgim për krimet e pretenduara.

Kushtet e publikuara në kërkesë:

Z. Thaçi është i gatshëm t’u përmbahet kushteve të ngjashme me ato që u janë vendosur bashkë të akuzuarve të tij, të cilat janë cilësuar si “një kornizë e provuar dhe e përshtatshme për lirimin e përkohshëm”,⁵⁵ ose çdo kushti tjetër që Gjyqtari i Vetëm i Gjykimit (GVG) e konsideron të përshtatshëm, përkatësisht:

a) Z. Thaçi nuk do të largohet nga territori i Kosovës, përveç nëse autorizohet për këtë nga një trup gjykues kompetent i Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK);

b) Z. Thaçi do t’ia dorëzojë Regjistrarit pasaportën dhe çdo dokument tjetër udhëtimi, përfshirë vizat dhe çdo dokument identifikimi që mund të përdoret për udhëtim. Ky detyrim shtrihet edhe mbi çdo pasaportë ose dokument të ri udhëtimi që mund t’i lëshohet nga autoritetet e Kosovës ose autoritete të tjera pas nxjerrjes së këtij vendimi. Nëse prania e z. Thaçi kërkohet në selinë e DhSK-së, Regjistri do t’ia vërë në dispozicion pasaportën vetëm për atë qëllim. Pas kthimit të tij në Kosovë, pasaporta do t’i dorëzohet sërish Regjistrarit;

c) Z. Thaçi do të japë adresën ku do të banojë në Kosovë gjatë gjithë kohëzgjatjes së procedurës gjyqësore dhe do të kërkojë leje nga DhSK-ja përpara çdo ndryshimi të vendbanimit;

d) Z. Thaçi do të depozitojë pranë Regjistrarit, si kusht paraprak për lirimin e tij, një garanci financiare në formën e një transferi monetar në shumën prej 50.000 eurosh në llogarinë e Regjistrit;

e) Z. Thaçi do të përmbahet nga çdo kontakt ose komunikim, të drejtpërdrejtë apo të tërthortë (nëpërmjet çdo personi tjetër), të çfarëdo lloji dhe me çfarëdo mjeti, me bashkë të akuzuarit e tij (Bashkim Smakaj, Isni Kilaj, Fadil Fazliu dhe Hajredin Kuçi);

f) Z. Thaçi do të përmbahet nga çdo kontakt ose komunikim, të drejtpërdrejtë apo të tërthortë (nëpërmjet çdo personi tjetër), të çfarëdo lloji dhe me çfarëdo mjeti, me çdo person për të cilin ai e di se është dëshmitar në këtë ose në ndonjë çështje tjetër para DhSK-së;

g) Z. Thaçi do të përmbahet nga çdo kontakt ose komunikim, të drejtpërdrejtë apo të tërthortë (nëpërmjet çdo personi tjetër), me çdo person që në Aktakuzën e Ndryshuar të Konfirmuar pretendohet se ka marrë pjesë ose ka ndihmuar në sjelljen penguese objekt të kësaj çështjeje;

h) Z. Thaçi nuk do të diskutojë përmbajtjen e çështjes së tij me askënd, përveç anëtarëve të caktuar të ekipit të tij mbrojtës, përfshirë edhe anëtarët e ngushtë të familjes, dhe do t’i informojë çdo personi që bën pyetje lidhur me çështjen e tij se ai i nënshtrohet një ndalimi të tillë nga DhSK-ja;

i) Z. Thaçi do të përmbahet nga bërja e çdo deklarate publike, drejtpërdrejt ose tërthorazi (për shembull, nëpërmjet anëtarëve të familjes), në media dhe/ose në rrjetet sociale lidhur me DhSK-në, Zyrën e Prokurorit të Specializuar (ZPS) dhe/ose çdo procedurë para DhSK-së;

j) Z. Thaçi do të paraqitet për një verifikim javor pranë Policisë së Kosovës, në përputhje me procedurat e përcaktuara nga Regjistrari;

k) Z. Thaçi do të dorëzohet në paraburgimin e DhSK-së, nëse urdhërohet për këtë, dhe do të marrë pjesë në çdo seancë gjyqësore sipas kërkesës së DhSK-së. Çdo mosparaqitje para DhSK-së, sipas urdhrit, do të sjellë konfiskimin e garancisë financiare të parashikuar në nënparagrafin (d), si dhe lëshimin e menjëhershëm të një urdhër-arresti;

l) Z. Thaçi do ta njoftojë Regjistrarin për adresën ku do të qëndrojë gjatë kohës që ndodhet në territorin e Shtetit Pritës për të marrë pjesë në seancat gjyqësore dhe do t’u përmbahet çdo kufizimi të lëvizjes në territorin e Shtetit Pritës që mund t’i vendoset gjatë periudhës së qëndrimit të tij atje;

m) Z. Thaçi do ta respektojë klasifikimin konfidencial të vendimit për lirimin e tij dhe nuk do ta publikojë, zbulojë apo diskutojë në çfarëdo mënyre përmbajtjen e tij, drejtpërdrejt ose tërthorazi, me asnjë person, përfshirë çdo të akuzuar në Objektin e Paraburgimit dhe anëtarët e familjes së tij, me përjashtim të avokatit të tij dhe anëtarëve të caktuar të ekipit mbrojtës, derisa vendimi të bëhet publik me urdhër të GVG-së; dhe

n) Z. Thaçi do t’i përmbahet çdo vendimi, urdhri ose udhëzimi tjetër të Gjyqtarit të Vetëm të Gjykimit dhe të Regjistrarit.