Ministria e Mbrojtjes ka bërë një bilanc të situatës së përmbytjeve dhe bllokimit të akseve rrugore në të gjithë vendin të shkaktuar nga shirat e dendur dhe rrëshqitja e dherave. Ministri Niko Pelishi shprehet se ushtria është në gatishmëri dhe se po ndihmohen familjet në nevojë dhe po punohet për zhbllokimin e rrugëve.
Në jug të vendit dhe në rajonin qendror situata është drejt normalizimit, ndërkohë që ka një përmirësim të dukshëm edhe në Lezhë. Qarku i Shkodrës është në monitorim të vazhdueshëm pasi prurjet e ujit janë të mëdha si nga liqeni dhe prurjet e lumit Buna, Kir dhe përrenjtë që vijnë nga zonat malore.
Të gjitha hidrovoret në qarqet Shkodër, Lezhë dhe Durrës funksionojnë me kapacitet të plotë.
Në Shkodër nuk ka asnjë familje të evakuuar, ndërkohë që janë përmbytur 4080 ha tokë. Si pasojë e rrëshqitjeve të tokës 3 banesa janë bërë të pabanueshme në bashkinë Pukë.
Aksi rrugor rural Bogë-Qafë Thore është i bllokuar, i pakalueshëm, ka rreth 1m borë. Rruga e fshatit Dardhë, bashkia Fushë Arrëz është shembur rreth 60-70 metra duke e bërë rrugën të pakalueshme.
Në qarkun Lezhë lumi Drin është ulur 70 cm nga kuota kritike, ndërkohë që janë evakuuar 28 familje. 2850 ha tokë në këtë qark është nën ujë.
Nga rrëshqitjet e tokës 6 banesa janë bërë të pabanueshme në Lezhë dhe 2 të tjera në Mirditë. Rruga Gallat-Minjollë në Milot dhe rruga pranë lumit Drojë janë të bllokuara. 600 pako ushqimore janë shpërndarë në Lezhë, Kurbin dhe Mirditë.
Në qarkun Durrës janë evakuuar 8 familje, ndërkohë që 20 banesa janë përmbytur dhe ka prezencë uji. Sipërfaqe nën ujë në Durrës janë 520 ha. 300 pako ushqimore janë shpërndarë në këtë qark në Durrës, Krujë dhe Shijak.