LEZHË - Dy persona kanë rënë në prangat e policisë për shkak se akuzohen për transportin e mallrave të prodhuara në mënyrë të kundërligjshme dhe i ofruan ryshfet punonjësve të Policisë, me qëllim shmangien e kontrollit të automjetit.
Sipas policisë arrestimi i tyre ka ardhur pas kontrollove të ushtruara në Fushë- Milot, Kurbin ku kanë bërë ndalimin e mjetit tip "Opel" me drejtues B. A., 32 vjeç dhe pasagjer B. S., 39 vjeç, të dy banues në Tiranë, të cilët i kanë ofruar 2 kartëmonedha të prerjes 1 000 lekë, me qëllim shmangien e kontrollit të mjetit. Gjatë kontrollit të mjetit u gjetën dhe sekuestruan një sasi e konsiderueshme pijesh alkoolike të prodhuara në mënyrë të kundërligjshme.
Dy të arrestuarit akuzohen për veprat penale "Prodhimi dhe shitja e ushqimeve dhe lëndëve të tjera të rrezikshme për shëndetin", “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike", "Prodhimi i kundërligjshëm i artikujve dhe mallrave industriale e ushqimorë", "Fshehja e të ardhurave" dhe "Manipulimi i tregut".