Igor Tudor nuk është më trajner i Juventusit. Klubi bardhezi ka njoftuar se ka shkarkuar trajnerin pas humbjes 1-0 kundër Lazio-s, duke qenë se shkuan në 3 disfatat radhazi në të gjithë kompeticionet. Për më shumë Juventus ka 8 ndeshje pa fitore, ndërsa në 4 të fundit nuk ka arritur të shënojë asnjë gol.

Tudor mori postin e trajnerit sezonin e kaluar pas shkarkimit të Thiago Motta-s, ndërsa bashkë me të do të largohet edhe stafi i kroatit.

Drejtimin e Juventusit do ta marrë përkohësisht trajneri i ekipit të të rinjve Massimiliano Brambilla, ndërsa emri i parë që ka dalë në qarkullim për ta zëvendësuar përfundimisht Tudorin është Luciano Spalleti. Edhe ky i fundit i shkarkuar nga Italia pas disfatës me Norvegjinë, por në aventurën e fundit në Seria A u shpall kampion me Napolin.

Emrat e tjerë që mund të zëvendësojnë Tudorin janë Roberto Mancini dhe Raffaele Palladino, ndërsa jo italianë janë Xavi, Southagte dhe Terzic.