Mbyllet ekspozita/ Maks Velo i
dhuron 54 vepra Galerisë Kombëtare

Mbyllet ekspozita/ Maks Velo i<br />dhuron 54 vepra Galerisë Kombëtare
TIRANE- Piktori dhe arkitekti i njohur, Maks Velo, një muaj pas çeljes së ekspozitës së tij retrospektivë në Galerinë Kombëtare të Arteve, ka bërë një gjest shumë surprizues. I ka dhuruar institucionit të Galerisë Kombëtare të Arteve një koleksion të jashtëzakonshëm me vepra arti. Janë plot 54 vepra të piktorit nga 95 vepra që ka ekspozita, që do të bëhen pas aktit të dhurimit pronë e shtetit shqiptar.

Dhe nuk bëhet fjalë për vepra me vlerë të vogël, mjafton të kujtojmë se disa nga veprat e Maks Velos i kanë blerë disa koleksionistë të galerive të botës deri në SHBA me shifra mbi 700 euro. Veprat e ekspozuara të Maks Velos, nga të cilat janë zgjedhur dhe 54 dhuratat për GKA-në janë në teknikat vaj e akrilik, grafikë, vizatim, skulpturë.

Veprat sipas kuratores Suzana Varvarica Kuka “demonstrojnë në mënyrë të qartë trysnitë e kohëve mbi artistin”, “rrugën “rebele”, “mbijetesën e artistit në mungesë të lirisë”. Veprat e ekspozuara janë shenja vetjake e artistit në hapësirën e madhe të artit. Artisti Maks Velo do ta kryejë dhurimin e veprave për fondin e Galerisë Kombëtare të Arteve ditën e hënë paradite, me një ceremoni të thjeshtë me praninë e medias, njofton drejtoria e këtij institucioni, duke theksuar se dhurimi i veprave është bërë nisur nga vullneti dhe dëshira e tij.

“Maks Velo ka vendosur të kontribuojë për pasurimin e këtij fondi me 54 vepra nga koleksioni i tij. Ky rast është veçanërisht i rrallë për GKA, pasi kanë qenë shumë të pakët  artistët shqiptar që i kanë dhuruar vepra këtij institucioni”, shprehen drejtuesit e këtij institucioni. Ata theksojnë se me dëshirën e  artistit, përzgjedhja e veprave iu besua studiuesve të GKA-së. Ndërkohë Galeria Kombëtare e Arteve e vlerëson dhe e falënderon artistin Maks Velo “për këtë gjest të çmuar ndaj institucionit dhe artit pamor shqiptar”.

Maks Velo ka hapur 40 ekspozita personale në Shqipëri, Francë, Poloni, ShBA. Ai ka botuar dhjetëra studime mbi artin popullor në revistat shkencore, ka botuar dhjetëra artikuj mbi artin, ka shkruar dhjetëra libra me kujtime, libra letrarë dhe ese. Ka botuar disa albume me veprat e tij dhe të tjerë me vepra të artistëve shqiptarë dhe është aktiv në jetën publike shqiptare.
 
 
Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 8 Tetor 2015

Redaksia Online
(e.m/shqiptarja.com) 

  • Sondazhi i ditës:

    Himara, i kujt është faji që 6 mijë votues ishin me karta të skaduara?



×

Lajmi i fundit

Kohë të vështira për proamerikanët në rajonin tonë

Kohë të vështira për proamerikanët në rajonin tonë