Mbyllet fushata elektorale, Rama
mesazh LSI: S'do jeni në pushtet

Mbyllet fushata elektorale, Rama<br />mesazh LSI: S'do jeni në pushtet
Partitë politike mbyllën dje në mbrëmje fushatën zgjedhore për parlamentaret e të dielës së 25 qershorit. 

E shtuna do të jetë heshtje zgjedhore, çka do të thotë që askush nga politikanët nuk mund të flasë. Pasditja e të premtes ka qenë intensive pasi të gjitha partitë pjesëmarrëse në zgjedhje kanë zhvilluar mitingjet finale 48 orë përpara zgjedhjeve parlamentare.

Ndërkohë që nesër do të votojnë 3 452 308 shtetas për të zgjedhur Kuvendin e ri. Ndër ta, 136 651 zgjedhës votojnë për herë të parë.

Mitingun përmbyllës Partia Socialiste e zhvilloi në Vlorë në sheshin e Lungomares. Edhe katër vite më parë PS mbajti takimin final në qytetin e pavarësisë, kjo për shkak se kryetari i PS dhe kryeministri Edi Rama kandidon pikërisht në këtë qark. 

Nga ana tjetër, demokratët zbarkuan në Tiranë përpara Kryeministrisë aty ku edhe e nisën rrugëtimin e tyre 30 ditor të kësaj fushate. 

Ndërsa Lëvizja Socialiste për Integrim zgjodhi Fierin ku zhvilloi takimin përmbyllës përpara mbështetësve të saj.  

Vlorë, Rama: Dy të këqija për vendin nëse mungoni të dielën
Partia Socialiste mbylli zyrtarisht fushatën elektorale për zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit, përmes një mitingu në Vlorë. 

Kryeministri Edi Rama vijoi kështu traditën e finalizimit të mitingjeve elektorale në qarkun ku ai kandidon për deputet për mandatin e dytë. 

Rama kërkoi votën e qytetarëve për të vijuar qeverisjen e vendit vetëm pas 25 qershorit, ndërsa paralajmëroi dy të këqija, sipas tij, nëse qytetarët nuk do marrin pjesë masivisht në zgjedhje. 

"PS e kërkon votën këtë herë pa të tjerë në krah, sepse në këtë stacion zgjedhor të historisë tonë ne nuk vijmë për poushtetin, por për shtetin, për Shqipërinë, shqiptarët pa dallim nga veriu në jug. Atë tepsi të turpshme ta çojmë për skrap së bashku me ju.

Ne jemi këtë herë ballë për ballë me ju, pa hije nga pas dhe pa perde në sy. S'jemi në vete, kemi numrin dy, një jam unë dhe një je ti. Dhe duam të bashkohemi mu siç thotë ajo kënga labe, as për mua, as për ty, por për gjithë Shqipëri. 

Në 28 nëntor këtu u ngrit flamuri i pavarësisë, në 25 qershor është dita që çdo shqiptar ta bëjë fletën e vet të votimit flamur kuqezi. 

Kush mungon në zgjedhje le të hapur shtegin për të këqija. Të mungosh në vendimmarrjen e 25 qershorit e le shtegun hapur për të paktën 2 të këqija të mëdha, e para është e keqja e ribllokimi, rizvarritjes së reformës në drejtësi dhe sabotimit të zbatimit të Vettingut nga partitë e tjera që s'e kanë fshehur atë që e dinë të gjtihë, nuk e duan suksesin e reformës në drejtësi.

Nuk e duan pastrimin rrënjësor që Vettingu do i bëjë pallatit të drejtësisë, nuk e duan drejtësinë të rilindë që të hapë pas çereshekulli të zuvllumeve të politikanëve që strehohen në flamujt e partive të tjera. E dyta, është e keqja e vazhdimit të avazit të keqtrajtimit të njerëzve të zakonshëm në zyrat e shtetit qoftë edhe për të marrë një copë letër, jo më dokument pronësie e heqjen e një gjobe të marrë padrejtësisht
". 



"Edhe ditën e fundit të jetës do e kaloja në Vlorë"
Fjalë emocionuese ka zgjedhur të përdorë kryeministri i vendit Edi Rama në përmbyllje të fushatës elektorale, kur tha se edhe po të kishte ditën e fundit të jetës do kishte zgjedhur ta jetonte atë në Vlorë.

“Do të zgjidhja Vlorën po të ishte dita ime e fundit, do të zgjidhja prapë Vlorën edhe për fjalimin tim të fundit në publik. Sikur të më duhet të them ku janë bashkë në të njëjtin vend Shqipëria dhe Kosova unë them Vlora", tha ai.

Ndër të tjera, kryeministri veçoi nderin më të madh që i kanë bërë vlonjatët ndonjëherë.

“Nderi më i madh që më bëtë është të jem deputet dhe i dyti kryeministër i Vlorës pas Ismail Qemalit. Përulja ime ndaj popullit të Vlorës është një detyrim i pashlyeshëm dhe një emocion i pashlyeshëm”- tha ai në nisje.

Rama shuplakë LSI: S’do jetë në pushtet sikur deti të bëhet kos
Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur ashpër sulmeve të Lëvizjes Socialiste për Integrim, duke paralajmëruar se s’do jetë në pushtet edhe sikur deti të bëhet kos.
 
Nga qyteti i Vlorës, ku zhvilloi mitingun përmbyllës me mbështetës të PS, Rama tha se LSI vijon të premtojë vende pune, por nuk do ketë më çifligun në shtet.
 
“Unë ua them vlonjatçe, çamëve të Vlorës, nëse në fletën e votimit, në vend që ta bëni flamur kuqezi e bëni biletë mikrobusi për dashin e Havasë, Jazëk ju qoftë.
 
Je anëtar i LSI-së, aq më keq dhe aq më mirë. Lërë sot atë parti në lajthitjen e saj dhe mos lajthit bashkë me atë që nëse të gjeti një punë të merr kuotë mujore nga rroga.
 
Nëse ta premtojnë një punë sot, të gënjejnë, sepse çiflig në shtet për ta nuk do të ketë më të paktën për katër vjet dhe sikur deti i skelës të bëhet kos.
 
Të ofrojnë hallvë në këmbim të votës, mos e refuzo, por votën që ke për Shqipërinë, mos e bëj hallvë për tepsinë e tyre”
, tha Rama.



PD mbyll fushatën në Tiranë, Basha: Pakt qytetarë-politikë
Ndërsa rivali i tij Lulzim Basha, e mbylli fushatën në kryeqytet me një miting përpara Kryeministrisë aty ku edhe e nisën rrugëtimin 30 ditor të fushatës.

Kryetari demokrat, Lulzim Basha, u shpreh përpara mbështetësve se Republika e Re do sjellë një pakt të ri mes politikës dhe qytetarëve.

Kreu demokrat theksoi se Rama flet si kryetar opozite edhe pse ka qenë 4 vjet në pushtet. Sipas tij, qytetarët s'do kursejnë të dielën votat kundër Republikës së Vjetër për t'i hapur dritaren Republikës së Re. 

"Republika e re do sjellë një pakt të ri mes politikës dhe qytetarëve.

Kurrë më s'do keni kryeminisrtër që shpërfill qytetarët, një kryeministër të qefeve dhe tekave të tij, Ju meritoni dhe do të keni kryeministrin e qytetarëve, kryeministrin e ekonomisë. Sepse ekonomia është çështja kryesore për të cilën vendosim ne këtë dielë.

Edi Rama ka katër javë që flet sikur nuk ishte kryeministër por kryetar opozite. E dini si i thonë kësaj apo jo? Ngaqë dëgjonte çadrën për tre muaj filloi edhe ai të flasë si i çadrës, por ai nuk është i çadrës, nuk është i Republikës së Re, ne do ta largojmë me votë",
u shpreh Basha. 



Kreu i PD tha se plani i tij ekonomik ka mbështetjen e Merkel dhe Trump, ndërsa premtoi uljen e taksave nëse PD do vijë në pushtet në 25 qershor. 

"Plani im ekonomik ka marrë bekimin e Merkel dhe mbështetjen e Trump me taksa të ulta, me uljen e TVSH-së dhe me Republikën e Re i japim shqiptarëve ekonominë e fortë dhe e nesërmen e sigurtë për çdo qytetar. Dita e diel ndan gjithçka. Prandaj ndodhemi në këtë sheshs, siç ishit në të gjitha sheshet e Shqipërisë pre tre javë. Ditën e dielë mbushini qendrat e votimit, merrini me vete familjarët tuaj. Ju që ende s'e keni vendosur në këto 48 orë të undit, dijeni mirë që jemi shqiptar, jemi krenar që jemi shqiptar, e duam flamurin kuqezi, jemi krenar për Ismail Qemalin, por të dielën nuk votohet për Ismail Qemalin, të dielën votohet për Skënderbeun, votohet për prindërit dhe fëmijët tuaj. 

Në katër vite nuk mbajti asnjë premtim sepse nuk kishte prioritet hallet dhe problemet e qytetarëve. Mundësia e vetme që Rama iu ka dhënë shqiptarëve është ajo që Gallup konstatoi para një jave, 56% duan të largohen nga Shqipëria. Republika e Vjetër na çon në hajatin e krizës, ne do ta mbyllin atë derë dhe dera tjetër që hapim bashkë është vota për numrin 6, është dera për planin ekonomik të vetëm në këto zgjedhje me TVSH 15%, taksën e sheshtë 9%, 1.5% të xhiros taksën e biznesit të vogël dhe pullën fiskale që do të ndalojë tmerrin e taksidarëve. Vetëm investime sjellin ekonominë e fort
ë". 



Valentina Leskaj i bashkohet fushatës së PS: Vlora është me fat që ka Edi Ramën
Me një gjest për t’u përshëndetur, deputetja socialiste Valentina Leskaj, e cila nuk garon në këto zgjedhje, i është bashkuar aktivitetit të sotëm elektoral të Partisë Socialiste në Vlorë.

Në fjalën e mbajtur përpara shqiptarëve në sheshin e Vlorës, Valentina Leskaj i ka kujtuar vlonjateve se janë me fat që përfaqësues të tyre kanë Edi Ramën.

“Miqtë e mi, dua t’ju kujtoj se katër vite më parë kam thënë se Vlorës i ka ardhur fati në derë, që të ketë deputet Edi Ramën, kryeministrin e vendit. Koha provoi të vërtetën, sepse sot kemi një Vlorë të re, kemi një Vlorë të bukur dhe do të kemi një Vlorë edhe më të bukur”, tha Leskaj.

Ajo më pas tregoi një histori me një grua vlonjate, e cila përtej bindjeve të saj për Partinë Demokratike këtë herë do të votonte Partinë Socialiste për t’i garantuar një të ardhme të sigurt fëmijevë te saj.

Takova një grua të PD, e dini çfarë më tha? Jam e PD-së, tha, por para se të jem e PD-së jam një nënë me tre fëmijë dhe Vlorën e ka ndryshuar Edi Rama me PS-në prandaj nuk e shes të ardhmen e fëmijëve të mi, për bindjen time personale. Nuk ia privoj të drejtën fëmijëve të mi për shkak të bindjeve të mia. Vota ime do të jetë për Partinë Socialiste, do të jetë për ju më ka thënë kjo nënë”.

Në fund, Leskaj ka pasur një thirrje të fundit për të gjithë vlonjatët, që të shprehin vullnetin e tyre në 25 qershor dhe të marrin me vete të gjithë të pavendosurit.

“Vlora ka bërë historinë dhe këtë herë do bëjë diferencën. Do jetë e para edhe këtë herë më 25 qershor. Miqtë e mi unë e di që të gjithë ju që jeni këtu jeni votuesit tanë, jeni mbështetësit tanë. Në këto orë që na kanë mbetur, do të marrim edhe ata që përtojnë të dalin, edhe ata që janë të mërzitur, edhe ata që nuk e kanë kuptuar që më 25 qershor votojmë për të ardhmen e vendit. Jam e sigurt që Vlora do të jetë e para”, tha Leskaj.

LSI mbyll fushatën në Fier, Meta: Rama i thotë PD-së "më shpëto"
Lëvizja Socialiste për Integrim zgjodhi Fierin për të mbyllur zyrtarisht fushatën elektorale.

Përpara mbështetësve të LSI, ish-kryetari i kësaj force politike dhe njëherazi presidenti i ardhshëm, Ilir Meta, thumboi kryeministrin Edi Rama se po i kërkon ndihmë PD-së dhe Bashës. 

Meta kujtoi se LSI zgjodhi Fierin për mbylljen e fushatës pasi mbështetja e saj më e madhe është pikërisht në këtë qark. Sipas Metës, Fieri është kryeqyteti i socialistëve, por jo i mavisë, siç e quajti ai PS-në. 

“Jo rastësisht mitingun e fundit e lamë këtu në Fier, në kryeqendrën historike të socialistëve dhe të progresistëve. Asnjëherë ky shesh s’ka qenë kaq i madh, kaq i bukur dhe me kaq të rinj dhe të reja.

Anjëherë ky shesh s’ka qenë kaq i kuq dhe me kaq shumë shpresë. Kjo ndodh se këtu nuk janë bashkuar vetëm anëtarët e LSI por këtu janë shumë më tepër, janë gjithë socialistet e ndershëm të Fierit që u mashtruan nga partia. Mavia e tmerruar besoj e dëgjuat dje i bëri thirrje PD për ta ndihmuar. Tani i thonë PD aman na shpëto. Na shpeto nga ky uragan mbarëpopullor. Mavia tani do iki njëherë e përgjithmonë nga drejtimi i Shqipërisë se përfaqëson drejtimin më të vjdtër, shtypës ndaj qytetarëve të thjeshtë”,
u shpreh Meta. 



Ai iu referua edhe dhunimit të një të riu anëtar të LRI, në fshatin Zharrëz. Meta fajësoi socialistët dhe theksoi se këto ngjarje fierakëve iu kujtojnë dhunën e Berishës në 94-ën në Libofshë. 

“Këtu janë gjithë ata që e kuptuan se mavija punon për oligarkinë dhe xhepat e saj, ata që se pranojnë dot dhunën presionin për të mos votuar për alternativën që duan. Janë ata që dhuna ndaj një 18 vjeçari në Zharrëz, që u godit pabesisht nga kreu i mavisë atje në Zharrëz, me projektin e të 9-it në listë. Nuk mund të pranojnë fierakët se iu kujton dhunën që Berisha bëri në ‘94 në Libofshë", deklaroi Meta. 

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Këngëtarja italiane Giusy Ferreri koncert në Tiranë: E lumtur që rikthehem, të rinjtë të jenë autentikë

Këngëtarja italiane Giusy Ferreri koncert në Tiranë: E lumtur që rikthehem, të rinjtë të jenë autentikë