Mbyllet Komisioni, s'ka dakordësi
për institucionet e reja të drejtësisë

Mbyllet Komisioni, s'ka dakordësi<br />për institucionet e reja të drejtësisë
Krijimi i institucioneve të reja në kuadër të reformës në drejtësi, duket se do të jetë shkaku i radhës për të zvarritur dakordësinë mes mazhorancës dhe opozitës. Mbledhja e sotme e komisionit të posaçëm parlamentar nuk ka marrë vendim në lidhje me ngritjen e institucioneve të reja si Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë.
 
Kryetari i Komisionit të posaçëm parlamentar, Fatmir Xhafaj tha palët po debatojnë për institucionet e reja që krijohen nga reforma në drejtësi.

"Është rënë dakord për shumicën prej tyre, arkitekturën e sistemit, funksionimin e institucioneve të reja që do të ngrihen në sistem, për strukturën e hetimit dhe ndjekjes penale dhe një sërë çështjesh të tjera. Çështja më fort e debatueshme dhe që pretendonim të kishim dakordësi, ka të bëjë me emërimin e institucioneve të reja. Ka pasur opinion nga opozita për këtë çështje, ka dhënë një propozim, kemi dhënë dhe ne një propozim që në thelb shqetësimi që kemi pasur ne në propozimin tonë është një dhe vetëm një, se si institucionet e reja të mos jenë në kontrollin politik. Këtë reformë e kemi nisur për tre arsye: E para për luftën kundër koorporativizmit në sistem, luftën kundër korrupsionit në sistem dhe për të minimizuar shkallën e ndikimit të politikës në sistem. Kemi diskutuar 10 çështjet e pretenduara nga opozita, një pjesë e të cilave për fat të mirë ishin çështje të ezauruara nga Komisioni i Venecias gjë që na e bën më të lehtë diskutimin, një pjesë ishin çështje që kanë nevojë për diskutim dhe debat në rrafshin politik që u zhvillua sot dhe mbetet i hapur për tu rikthyer pasi të kemi një qëndrim të ekspertëve ndërkombëtarë që janë pranuar si ekspertiza e përbashkët në këtë proces", u shpreh Xhafaj.
 
Ai theksoi se nuk do të ketë konsensus jashtë rekomandimeve të Komisionit të Venecias. Sipas tij, korniza mbi të cilën do të vijojë diskutimi për reformën në drejtësi është opinioni përfundimtar i Komisionit të Venecias. "Është gjë pozitive që opozita erdhi në mbledhje, kemi pas një diskutim të frytshëm në vazhdim të çështjeve të debatuara lidhur me projektin e reformës në drejtësi, duke mbetur të fokusuar tek pretendimet apo argumentet që ka pasur dhe ka opozita lidhur me disa çështje të projektit. Ka një gjë pozitive, kemi tashmë një projekt kushtetues për të cilin flasim dhe debatojmë, kemi një opinion final të Komisionit të Venecias mbi këtë projekt dhe natyrisht kemi qëndrime të ndryshme për pika të caktuara që do debatohen. Korniza mbi të cilën është zhvilluar dhe do të zhvillohet gjithë ky debat në Komision dhe seancë plenare është opinioni final i Komisionit të Venecias. Çdo lloj debati në këndvështrimin tonë nuk mund të jetë një debat që do të cenojë thelbin e reformës. Duke ruajtur kornizën e Komisionit të Venecias, rekomandimet, mbi këtë shtrat dhe projekt shumë të mirë që kemi, jemi në gjendje të mund të arrijmë në një konsensus që nuk do të cenojë thelbin e projektit", tha Xhafaj.
 
Bashkëkryetari demokrat i komisionit, Eduard Halimi u shpreh se pati "Ok" mes palëve për disa prej 10 pikave të diskutuara kryesisht në pjesën e luftës kundër korrupsionit, siç është krijimi i Prokurorisë Speciale dhe Byroja Kombëtare e Hetimit. Por, siç theksoi ai, palët ngecën te diskutimi për institucionet e reja.

"Ka mos dakordësi ndërmjet palëve dhe diskutimet do tëv vazhdojnë, që ka të bëjë me pjesën e institucioneve të reja. Kanë të bëjnë me pjesën e emërimit dhe disiplinimit të gjyqtarëve. Për ne i mungojnë elementët e balancës. Ka probleme me kapjen politike dhe që Venecia ka dhënë rekomandime, si dhe ka probleme me koorporatizmin", tha Halimi.
 
Ai konfirmoi se mazhoranca dhe opozita kanë dakordësi të plotë për ngritjen e Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe krijimin e Prokurorisë Speciale.

"Lidhur me komponentin e parë, të tre elementët, si ngritja e Byrosë së Hetimit pranë Prokurorisë, ngritjen e Prokurorisë Speciale për korrupsionin në nivelet e larta, dhe për komponentit tjetër siç është kontrolli i gjyqtarëve, ka një dakordësi thuajse të plotë midis palëve", deklaroi Halimi.

  • Sondazhi i ditës:

    Ervin Salianji dënohet me 1 vit burg për kallëzim të rremë, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Kryeministri izraelit në OKB: Jam këtu për të thënë të vërtetën kundër gënjeshtrave për vendin tim! Diplomatët largohen nga salla

Kryeministri izraelit në OKB: Jam këtu për të thënë të vërtetën kundër gënjeshtrave për vendin tim! Diplomatët largohen nga salla